string(76) "nje-perralle-per-perralle-pse-u-hodhen-librat-nga-biblioteka-hivzi-sulejmani"

Arte

Donjeta Abazi

06/06/2025 16:48

Një përrallë për përrallë – pse u hodhën librat nga Biblioteka “Hivzi Sulejmani”

Arte

Donjeta Abazi

06/06/2025 16:48

Në një kënd të tezgës së njërit prej librashitësve në sheshin e Prishtinës po qarkullojnë disa botime të vjetra. “Dreri në mal” i autorit Ali Huruglica, botim i vitit 1989, mban në faqet e para të librit vulën me të dhëna dhe një kartelë në të cilën janë të shkruara datat e marrjes se librit bashkë me nënshkrimin e librarit. Kjo lektyrë dhe botime të tjera, shumica sish ndër botimet e para të Rilindjes, të viteve ’50 dhe ’60 të shekullti të kaluar, janë të ekspozuara nëpër tezga shitjesh, duke pasur burim Bibliotekën ‘Hivzi Sulejmani’

Nga Donjeta Abazi

Një prolog i përvajshëm

Derisa pajisja e bibliotekave me libra dhe frekuentimi i tyre është ideali dhe pastaj gjëja normale, ndonjëherë, në gjendje konfliktesh, trazirash e luftash ndodh edhe e kundërta, duke bërë që vjedhja dhe djegia e tyre të bëhet ideali, pastaj edhe gjëja normale. Në Kosovë, menjëherë pas luftës, një mori bibliotekash që i kishin shpëtuar djegies nga forcat serbe, ishin vjedhur dhe nëpërkëmbur në mënyra të ndryshme. Jo që kishte ndonjë etje aq të pashuar leximi: thjesht dikush konsideronte se mund të fitonte dy groshë duke ua shitur ato shitësve ambulantë (ose mbase vetë shitësit ambulantë nxisnin veprime të tilla). Kur ndaleshe të rrëmoje mes librave të përdorur tek ata shitës në rrugë, gjeje jo vetëm vulën e bibliotekës përkatëse, por zakonisht edhe kartonin e regjistrimit në bibliotekë. Ndonjëherë, mbase edhe të qëllonte të dëshifroje emrin e lexuesit dhe bibliotekistit. Goxha joshëse për adhuruesit e gjërave të tilla.

Dhe një ditë ca punëtorë pastrimi…

Florim Beqirit, librashitës në sheshin e Prishtinës tash e shumë vite, një ditë i janë ofruar një sasi e librave për t’i blerë, nga dy djem të cilët punë primare nuk i kanë librat e as bibliotekën, por merren me pastrime objektesh. Sipas tij, janë një numër i madh i librave që ata i kanë ofruar, por për shkak të dëmtimit të disa prej tyre ai ka vendosur t’i blejë veç disa sosh. Ato të pa dëmtuarat tashmë janë në tezgën e tij. Përfshirë këtu emra të autorëve për fëmijë si Ymer Elshani, Ibrahim Kodra, Ali Huruglica, Rexhep Hoxha, etj.

Botimet mbajnë në fletën e parë vulën “Biblioteka Popullore Miladin Popoviq”, “Nova Makedonija” ose “Hivzi Sulejmani”.

Një vështrim ligjor

Meqë në Ligjin për Biblioteka, në nenin 15 të këtij ligji parashihet që arkivi, botimet e vjetra, materialet, nuk lejohet të hidhen, por edhe ne rast së ndodh diçka e tillë të konsultohet një Këshill i veçantë, e bën krejt çështjen më të komplikuar së sa duket në fillim.

Në piken 4 dhe 5 të ligjit për Biblioteka, përkatësisht tek neni  “Zhvillimi dhe përpunimi i koleksioneve”, thuhet kështu:

4. Koleksioni dhe materiali bibliotekar nuk lejohet të dëmtohet, të tjetërsohet dhe as të asgjësohet, nëse me këtë ligj apo aktet nënligjore nuk përcaktohet ndryshe.

5. Koleksioni dhe materiali bibliotekar ruhet dhe mirëmbahet në vendet e mbrojtura nga zjarri, lagështia dhe nga shkaktarët tjerë fizikë, biologjikë e kimikë që do të mund ta dëmtonin ose shkatërronin.

Ndërsa pika 10 shpjegon procesin e spastrimit, eventualisht të çregjistrimit.

10. Revizioni, spastrimi dhe çregjistrimi i koleksioneve dhe materialeve bibliotekare bëhet me rregullore të veçantë të cilën e nxjerrë Ministria përkatëse për Kulturë.

Kur në bibliotekë vjen kanalizimi

Duke ditur që Biblioteka ‘Hivzi Sulejmani’ është ndër të tjera edhe monument kulturor në rrafshin e arkitekturës, një hapësirë shumë e rëndësishme për lexuesit, autorët e studentet në kryeqytet, një lajm i tillë ka nxitur një dyshim fillestar, çfarë në të vërtetë ka ndodhur. Drejtoresha e kësaj Biblioteke, Naime Beqiraj, thotë se nuk është e vërtetë e gjithë ngjarja siç është paraqitur dhe se disa materiale janë larguar për shkak të dëmtimeve të mëdha.

“Në Bibliotekën tonë në Ulpianë ka shpërthyer kanalizimi para së të bëhesha unë drejtoreshë. Një sasi e vogël librash janë mbushur me fekale dhe jashtëqitje të minjve gjë qe do të sillte shumë sëmundje për fëmijët. Një komision i Bibliotekës ka konstatuar që paraqesin shumë rrezik. Kam kontaktuar kolegen që ka qenë në krye të grupit të punës për rifunksionalizimin e degëve tona në Ulpianë të cilat inaugurohen të hënën pas 6 vitesh kur ka ndodhur shpërthimi. Kolegia Fatime Mehmetaj që e kryesonte rivendosjen e librave më shpjegoi rrezikun për ato pak libra që i ka vërshuar kanalizimi asokohe dhe kundërmonin”, thotë Beqiraj.

Ani pse drejtoresha pohon se ka qenë një sasi e vogël e librave që janë larguar për shkak të rrezikut, siç thotë ajo ndaj sëmundjeve, librashitësi Florim Beqiri thotë se ka qenë një sasi goxha e madhe e cila i është ofruar për t’i blerë.

“Ka qenë një sasi goxha e konsiderueshme, realisht prej tyre kam mundur t’i nxjerr në gjendje të mirë vetëm 2 paketa me libra, e megjithatë, ato të cilat i kam ndarë janë në gjendje të mirë dhe nuk janë të dëmtuara”, shton Beqiri.

Një përrallë me Degën e Përrallave

Nga Drejtoria për Kulturë në Prishtinë janë fokusuar më shumë tek rubrika “Përrallat” ani pse pyetjet janë shtruar në përgjithësi për të gjitha materialet të cilat po qarkullojnë jashtë Bibliotekës. Ne mesin e materialeve që janë gjetur, po, janë edhe disa nga rubrika e përrallave ndër to edhe “Kasollja e Xha Tomit”, me autor E.B. Stowe, “Kurrizi i Notrë-Damit” nga Shtëpia Botuese ‘Cabej’, “Përralla Italiane 1”, përkthyer nga Halit Shamata, e botime tjera të autorëve të huaj.

“Një pjesë e fondit të librave në degën “Përrallat” u dëmtua rëndë nga lagështia, minjtë dhe era e kanalizimit, duke u bërë e papërdorshme dhe e rrezikshme për shëndetin e fëmijëve. Me rekomandim të kolegiumit profesional, ato libra janë larguar dhe dërguar në deponinë e riciklimit. Nuk kemi informacion se si ato mund të kenë përfunduar në shitje. Dega “Përrallat” është mbyllur përkohësisht që nga viti 2020 për shkak të kushteve të papërshtatshme sanitare dhe vërshimeve të ujërave të zeza. Gjatë kësaj kohe, librat u dëmtuan rëndë dhe nuk mund të përdoren më. Këtë vit, objekti është rinovuar nga komuna, janë sjellë inventarë të rinj dhe po bëhet sistemimi i fondit të ruajtur”, thotë Arlinda Kastrati, zyrtare për marrëdhënie me publikun në këtë drejtori.

Ska dhe smund të ketë asgjësim libri

Çështja e asgjësimit të librave apo materialeve të cilat janë nëpër hapësirat e Bibliotekave për vite dhe që dokumentojnë një pjesë të rëndësishme të letërsisë tonë është një çështje e ndjeshme. Ndër tjerash një çështje e cila duhet të kalojë nëpër disa hapa deri në finalizim të procesit e për më shumë kjo është një procedurë e rregulluar mbi ligje.

Nga Biblioteka Kombëtare shpjegojnë që nuk ndodh procesi i asgjësimit, por në rast tepricave të materialeve, atëherë aplikohet forma e shpërndarjes.

“Biblioteka Kombëtare nuk asgjëson libra, apo materiale të tjera arkivore. Megjithatë, librat dhe periodikët që gjenden në tepricë shpërndahen nëpër bibliotekat komunale, sipas një plani të miratuar paraprakisht. Aktualisht, jemi në proces të planifikimit të një shpërndarjeje tjetër të librave me tepricë drejt bibliotekave komunale”, thotë ndër tjerash Blerina Rogova Gaxha, drejtoreshë e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës.

Ndërsa edhe Picimuli është zhdukur nga biblioteka 

Në mesin e atyre që janë prekur nga ky rast dhe që i kemi kontaktuar në lidhje me botimet që janë gjetur në këtë tezgë është edhe Shpend Hoxha, djali i autorit Rexhep Hoxha. “Verorja” e Rexhep Hoxhës, literaturë e famshme shkollore, gjendet në qarkullim. Ai thotë se i ka disa informata, por nuk është i informuar detajisht, ai për gjatë viteve ka koleksionuar dhe ruan krijimtarinë e babait, dhe kishte kërkuar nga Biblioteka “Hivzi Sulejmani” një botim të librit “Picimuli” të cilin nuk ka arritur ta sigurojë. Sipas tij është mirë të hulumtohet me tej çështja e këtij tregu për të parë nëse libra tjerë kanë shkuar në duar tjera, ndoshta ne mesin e tyre është edhe botimi që ai e kërkon për vite.

Rrahmani: «Pavarësisht dëmtimit të librit nuk do të ishte mirë asgjësimi i tyre, duke ditur që po flasim për testamente që zakonisht i kanë shërbyer letërsisë»

Nga Drejtoria për Kulturë në Komunën e Prishtinës thonë së rubrika “Përralla” po ruhet edhe në pikën në Dardani.

“Të gjithë librat që kanë qenë në degën “Përrallat” ekzistojnë edhe në fondin e Trashëgimisë në bibliotekën qendrore në Dardani. Aty ruhen me kujdes ekzemplarët e çdo libri të botuar në Prishtinë ndër vite, përfshirë edhe ata me vlerë historike”, shton Arlinda Kastrati.

Drejtoresha e Bibliotekës “Hivzi Sulejmani” pos çështjes së ngjarjes së fundit shton edhe një tjetër informatë.

“…madje, Bibliotekat Botërore i heqin nga raftet librat që nuk kërkohen, por kjo as ne mendje nuk me shkon, sepse letërsia e Kosovës është e re, nuk ka më shumë së 70 vjet ekzistencë”, përfundon Beqiraj.

Në anën tjetër autori i romanit “Malësorja”, Nazmi Rrahmani, thotë se nuk është në dijeni që ne mesin e botimeve të dala nga Biblioteka është edhe libri i tij. Sipas tij librat duhet arkivuar e të mos largohen por edhe në rast largohen të bëhet përmes një komisioni, ani pse ai insiston se pavarësisht dëmtimit të librit nuk do të ishte mirë asgjësimi i tyre, duke ditur që po flasim për testamente që zakonisht i kanë shërbyer letërsisë.

Ndërsa thjesht duhej restaurimi

Përderisa kjo situatë ka shkaktuar një konfuzitet, në interes është edhe e ardhmja e botimeve, librave e materialeve të veçanta, veçmas të atyre që datojnë shumë vite me parë.

Prandaj nga Drejtoria për Kulturë thonë së do të angazhohen për trajnime dhe ngritje profesionale të stafit të bibliotekës, sidomos në fushën e ruajtjes dhe mirëmbajtjes së fondit librar. Përderisa në Bibliotekën Kombëtare duket se kjo çështje është e zgjidhur, sipas drejtoreshës aty ekziston edhe qendra për restaurim.

“Biblioteka Kombëtare e Kosovës ka në përbërje të saj Qendrën për Restaurimin e Librave, e cila është një nga të vetmet qendra të këtij lloji në Kosovë. Në këtë qendër punojnë restaurues të trajnuar profesionalisht, të cilët kanë ndjekur trajnime të specializuara, nder to edhe në Bibliotekën Kombëtare të Francës”, përfundon Gaxha Rogova.

Ajo që dihet deri më tash është se, nga Biblioteka “Hivzi Sulejmani” kanë dalë një sasi botimesh që përmes një rruge alternative kanë mbërritur deri tek librashitësit në shesh. Nuk dihet numri i saktë i librave dhe nuk dihen saktë titujt e autorët e këtyre botimeve. Disa nga këto libra që janë në qarkullim nuk janë në gjendje të keqe, ani pse nga Drejtoria dhe Biblioteka kanë pretenduar se librat paraqesin rrezik për përhapje të ndonjë sëmundjeje. Një qendër për dezinfektim të librave në raste të tilla nuk ekziston. Ajo qe e dimë është që ligji parasheh ruajtjen e tyre ne vende të sigurta, larg lagështisë, zjarrit, ujit ose ndonjë tjetër fenomen natyror që do të shkaktonte dëme. Megjithatë nga ajo që thuhet më lart, shpërthimi i një kanalizimi ka ndodhur në vitin 2020 dhe pasojat e tij po vazhdojnë të ndihen edhe sot.

/Gazeta Express

aaaaa