Një muaj paraburgim ndaj të dyshuarës për aksidentin ku mbeti i vdekur 26-vjeçari - çka deklaroi ajo në seancë dëgjimore - Gazeta Express
string(118) "nje-muaj-paraburgim-ndaj-te-dyshuares-per-aksidentin-ku-mbeti-i-vdekur-26-vjecari-cka-deklaroi-ajo-ne-seance-degjimore"

Lajme

Gazeta Express

28/02/2024 15:41

Një muaj paraburgim ndaj të dyshuarës për aksidentin ku mbeti i vdekur 26-vjeçari – çka deklaroi ajo në seancë dëgjimore

Lajme

Gazeta Express

28/02/2024 15:41

Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, duke ia caktuar masën e paraburgimimt në kohëzgjatje prej një muaji të dyshuarës Y.B, pasi dyshohet se më 26 shkurt 2024, në rrugën “Agim Ramadani”, ka shkaktuar aksidentin ku mbeti i vdekur këmbësori Sh.H (26-vjeçar).

Sipas vendimit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, janë plotësuar kushtet ligjore për caktim të masës së paraburgimit prej 30 ditësh, pasi që në rastin konkret ka pësuar tani i ndjeri Sh.H, i cili humbi jetën.

Lexo Edhe:

Në vendim thuhet se e dyshuara ka vepruar në kundërshtim me rregulltat e trafikut rrugor, duke mos përshtatur shpejtësinë e automjetit dhe kushteve të rrugës dhe se si pasojë e kësaj, kishte goditur shtyllën e semaforit, e më pas shtylla kishte goditur tani të ndjerin Sh.H.

Ndërkaq, për pretendimin e Prokurorisë lidhur me mundësinë e ndikimit të të dyshuarës Y.B., në prova apo dëshmitarë, sipas gjykatës janë pretendime të paarsyetuara dhe pararafrazim i dispozitave, pasi që në kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit nuk ceket se në cilin dëshmitar apo prova mund të ndikohet.

Me rastin e caktimi të masës së paraburgimit, mbrojtësi i të dyshuarës Y.B., avokati Nasuf Hasani tha se do ta ankimojnë vendimin në Gjykatë të Apelit, me pretendimin se për rastin e ndodhur masa adekuate është arresti shtëpiak.

Çka ka deklaruar e dyshuara, mbrojtësi i saj dhe prokurori në seancë dëgjimore?

Në vendimin e Gjykatës, thuhet se në seancë dëgjimore, e dyshuara Y.B., ka shprehur keqardhje lidhur me rastin duke thënë se asnjëherë në jetën e saj nuk ka rënë ndesh me ligjin. Ajo ka kërkuar edhe falje publike për rastin që ka ndodhur.

Ndërkaq, mbrojtësi i saj, avokati Nasuf Hasani, thuhet se në atë seancë ka thënë se ndjen keqardhje për rastin që ka ndodhur dhe se nuk ka dëshirë askujt t’i ndodh ky rast.

Tutje, avokati Hasani ka kundërshtuar kërkesën e Prokurorisë për caktim të paraburgimit, me arsyetimin se nuk ka ekzistuar dashja për privimin nga jeta të tani të ndjerit Sh.H dhe se kërkesa për paraburgim është masa më e rëndë e mundshme.

Avokati Hasani ka theksuar po ashtu se nuk ekziston rreziku i ikjes apo të ndikimi në prova apo dëshmitarë dhe se e dyshuara do të jetë e gatshme në secilin moment të përballet me drejtësinë.

Ndërkaq, prokurori Eset Rama, thuhet se ka qëndruar pranë kërkesës për caktimin e masës së paraburgimit, duke shtuar se nga video-incizimi i kamerave, skica e vendit të ngjarjes, raporti i mjetit, kuptohet se e dyshuara ka vepruar në kundërshtim me rregullat e trafikut.

Lidhur me rastin, sipas prokurori Rama në vend të ngjarjes ka pasur shumë dëshmitarë dhe se ekziston rreziku i ndikimit në ta, pasi që Prokuroria ende nuk i ka dëgjuar të njëjtit dhe se sipas prokurorit e vetmja masë për sigurimin e të dyshuarës në procedurë, është paraburgimi.

Çka thuhet në kërkesën e Prokurorisë për caktim të paraburgimit?

Sipas Dosjes së Prokurorisë, e dyshuara nga pakujdesia derisa ishte duke vozitur veturën, ka vepruar në kundërshtim me rregullat e trafikut pasi nuk ka përshtatur shpejtësinë e automjetit dhe kushteve të rrugës.

“Me të arritur përballë Ministrisë së Arsimit te semafori, e njëjta duke vazhduar në mënyrë të pakontrolluar dhe me pjesën e përparme të automjetit godet shtyllën e semaforit dhe nga goditja, semafori rrëzohet dhe godet këmbësorin SH.H, me çka tani të ndjerit i ka shkaktuar lëndime të rënda trupore, ku si pasojë e lëndimeve, tani i ndjeri ka ndërruar jetë në vend të ngjarjes”, thuhet në kërkesën e Prokurorisë për caktim të paraburgimit.

Me këtë, dyshohet se ka kryer veprën penale “Rrezikimi i trafikut publik”, nga neni 370, paragrafi 9 lidhur me paragrafin 6 dhe paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.