Një punëtor ka humbur jetën, dhe sipas informacioneve jozyrtare, katër punëtorë të tjerë konsiderohen të vdekur pas shembjes së pakontrolluar të një kulle 60-metërshe në një termocentral të braktisur në qytetin Ulsan të Koresë së Jugut gjatë punimeve për prishjen e saj të enjten.
Dy persona vazhdojnë të konsiderohen të zhdukur, njoftuan zjarrfikësit lokalë të premten, raporton reuters.
Në momentin e shembjes së kullës, në vendngjarje ndodheshin nëntë punëtorë. Shpëtimtarët arritën shpejt të nxirrnin dy persona nga nën mbeturinat e shembura, ndërsa një punëtor i tretë, i cili u nxor pak më vonë, vdiq të premten në mëngjes në spital.
Trupat e katër punëtorëve të tjerë u gjetën disa orë më pas. Vetëm një prej tyre u dërgua në spital, por shërbimi i zjarrfikësve në Ulsan njoftoi se të katër konsiderohen të vdekur. Kërkimi të premten në mëngjes u pezullua përkohësisht për shkak të frikës se rrënojat e paqëndrueshme mund të rrezikonin më tej ekipet. Pas gjetjes së punëtorëve të tjerë, operacioni u rifillua.
Mbi 340 shpëtimtarë u dërguan në terren, së bashku me qentë kërkues, kamera termike dhe pajisje të tjera për detektim, për të marrë pjesë në kërkim dhe shpëtim.
“Vendi ku po kryhen operacionet e shpëtimit është i mbuluar me sasi të mëdha azbesti dhe fibra qelqi… hapësira është jashtëzakonisht e ngushtë dhe shpëtimtarët duhet të largojnë rrënojat me dorë për të vazhduar operacionet”, deklaroi një nga zyrtarët gjatë një konference për shtyp.
Pas publikimit të lajmit për tragjedinë, presidenti i Koresë së Jugut, Yi Che-myong, urdhëroi të gjitha shërbimet përgjegjëse të angazhojnë personelin dhe pajisjet e disponueshme për punimet e shpëtimit, duke siguruar maksimalisht sigurinë e njerëzve në terren.
Termocentrali u mbyll në vitin 2021 pas 40 vjetësh punë. Zyrtarët njoftuan se kulla e kazanëve, një nga tri kullat, ishte tashmë dobësuar sepse po përgatitej për prishje me eksploziv. /Telegrafi