Kompania britanike Eco Buildings Group PLC, e specializuar në ndërtim modular dhe nxjerrje mermeri, ka bërë të ditur një përparim të rëndësishëm në procesin e arbitrazhit ndërkombëtar të iniciuar nga dega e saj, Fox Marble Ltd, kundër Republikës së Kosovës.
Në një njoftim zyrtar, kompania ka konfirmuar se ka siguruar financim të plotë ligjor nga Atticus Litigation Financing, një fond i ri i financimit të litigacioneve, i cili pritet të fillojë aktivitetin në gusht 2025.
Atticus këshillohet nga Nick Rowles-Davies, një emër i njohur globalisht në këtë sektor, që më parë ka qenë drejtues i Burford Capital PLC, financuesi më i madh në botë i çështjeve gjyqësore.
Ky financim do t’i mundësojë Fox Marble të ndjekë në mënyrë të plotë kërkesën prej 195 milionë eurosh përmes Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit, ku tashmë ka nisur procesi i përzgjedhjes së panelit arbitrar.
Sipas kompanisë, çështja lidhet me humbje të mëdha që pretendohet se janë shkaktuar nga veprime të papërshtatshme dhe të padrejta të disa agjencive shtetërore në Kosovë.
Në bazë të pretendimeve të kompanisë, autoritetet kosovare, përkatësisht Komisioni i Pavarur i Minierave dhe Mineraleve dhe Agjencia e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës kanë refuzuar t’ia regjistrojnë transferimin e pronësisë pas arritjes së një marrëveshjeje për blerjen e aksioneve të Green Power Sh.P.K. dhe Scope Sh.P.K.
Përfaqësimi ligjor është marrë nga BSA Law, një firmë ndërkombëtare me bazë në Dubai, që vepron përmes një Marrëveshjeje me Tarifë të Kushtëzuar (CFA).
“Ky është një moment i rëndësishëm për të ecur përpara me këtë çështje. Me ofertën për financim të plotë nga Atticus dhe mbështetjen e një firme të fuqishme ligjore si BSA Law, kemi besim të plotë në një rezultat pozitiv. Kjo përforcon qëndrimin tonë ligjor dhe tregon seriozitetin e padisë sonë”, është shprehur Sanjay Bowry, Drejtor Ekzekutiv i Eco Buildings.
Kjo çështje është përmendur më herët në Dokumentin e Pranimit AIM të publikuar më 28 prill 2023 dhe në njoftimin e Kompanisë më 5 maj 2023.
Sipas një shkrimi më herët të mediumut britanik ‘The Telegraph’, dokumentet e arbitrazhit pretendojnë se përpara se drejtorët e Fox-it të arrinin transferimin e aksioneve, pronarët e Green Power dhe Scope, përmes avokatëve të tyre, sfiduan vlefshmërinë e marrëveshjes, duke thënë se marrëveshja ishte anuluar.
Kur Fox u përpoq të regjistronte pronësinë e Green Power dhe Scope me departamentin e regjistrimit të biznesit ARBK të Kosovës, aplikimi u refuzua.
Rregullatori i minierave i Kosovës, gjithashtu tërhoqi licencën e ndërmarrjes.
Në dokumentin e dërguar në arbitrazh, tutje thuhet se kjo nënkuptonte “humbje të konsiderueshme financiare. Ata gjithashtu humbën një mbështetës të madh financiar nga SHBA që do të kishte ndihmuar në financimin e 40 guroreve dhe fabrikave në Kosovë”.
Eco Buildings është një lider në teknologjinë e ndërtimit të qëndrueshëm dhe parafabrikat, duke përdorur sistemin patentuar të paneleve GFRG.
Kompania ofron zgjidhje të shpejta, të përballueshme dhe miqësore me mjedisin për tregjet globale të strehimit. /Telegrafi