Ruben Amorim raportohet se po kërkohet për një rikthim të shpejtë në pankinë, vetëm pak më shumë se një muaj pasi u shkarkua nga Manchester United.
Pas një serie shumë të dobët rezultatesh, Amorim u largua nga United më 5 janar, pas barazimit 1-1 me Leeds United në “Elland Road”, dhe u zëvendësua nga trajneri i përkohshëm Michael Carrick.
Trajneri portugez thuhet se përfitoi rreth 12 milionë paund si dëmshpërblim pas shkarkimit dhe ka shijuar kohën larg stresit të menaxhimit.
Megjithatë, raportime të reja sugjerojnë se ai mund të rikthehet shpejt në stol, pasi është një nga kandidatët kryesorë për postin vakant të trajnerit te klubi brazilian CR Vasco da Gama.
Të dielën, Vasco u nda nga ish-trajneri i Brazilit, Fernando Diniz, pas një fillimi të dobët të sezonit që vazhdoi me humbjen 1-0 ndaj Fluminense.
Klubi tani është në kërkim të një trajneri të ri, me portugezët Artur Jorge dhe Amorim që përmenden si opsione, sipas “supervasco.com”.
Leonardo Jardim është përmendur gjithashtu si objektiv, por nuk shihet si një mundësi reale. Jorge mbetet zgjedhja e preferuar dhe Vasco është e gatshme t’i ofrojë një pagë të konsiderueshme, megjithëse do të duhej të negociohej klauzola e lirimit, pasi ish-trajneri i Bragës aktualisht drejton klubin nga Katari, Al Rayyan.
Amorim, ndërkohë, është i lirë në treg pas largimit nga United dhe mund ta shohë këtë mundësi si një rast për të rindërtuar reputacionin e tij.
41-vjeçari u shndërrua në një nga trajnerët më të vlerësuar në futbollin botëror pasi fitoi dy tituj kampion me Sporting CP, por vështirësitë te United nuk i shërbyen aspak imazhit të tij.
Ai është lidhur gjithashtu me disa poste të tjera, përfshirë SL Benfica, ku ka luajtur gjatë karrierës si futbollist.
Jose Mourinho mori drejtimin e klubit të tij të dikurshëm në shtator, por nuk pritet të qëndrojë përtej këtij sezoni.
Sipas “ESPN”, Benfica pret që Mourinho të largohet para përfundimit të kontratës për të realizuar ëndrrën e tij për të drejtuar kombëtaren e Portugalisë, me Roberto Martínez që pritet të largohet pas Kupës së Botës.
“ESPN” shton se Amorim gëzon “mbështetje të konsiderueshme” nga drejtuesit më të lartë të klubit dhe për këtë arsye konsiderohet si një nga kandidatët kryesorë./GazetaExpress/