Një javë vendimtare me sy e vesh nga Gjykata Kushtetuese - Gazeta Express

Lajme

Gazeta Express

25/05/2020 7:09

Një javë vendimtare me sy e vesh nga Gjykata Kushtetuese

Lajme

Gazeta Express

25/05/2020 7:09

Numërimi për se prapthi fillon nga nesër për një vendim të Gjykatës Kushtetuese, që po konsiderohet tejet i rëndësishëm për rrjedhat politike në vend. Derisa jemi në pandemi, që ka dëmtuar rëndë ekonomitë globale dhe ka ndryshuar ritmin e jetës, si dhe ndërkombëtarët po na presin për një marrëveshje paqeje dhe finale me Serbinë, kemi betejë të brendshme që do të përcaktojë shumë zhvillime në vitet që do të vijnë. Presioni është i madh.

Lëvizja Vetëvendosje po angazhohet fort që të shkohet në zgjedhje të cilat konsideron se i fiton me 51%. Në faqen e saj në Facebook, partia që po e drejton vendin këto ditë 100 e më shumë ditë, postoi një video të përgatitur këtu në Kosovë e të inspiruar nga Koreja Jugore. Në të tregohet se si mund të votohet në kohë pandemie.

Ky reagim i saj, vjen pak orë para se të hyjmë në javën vendimtare për zhvillimet politike në vend:

Do të kemi Qeveri të drejtuar nga Avdullah Hoti i LDK-së apo do të shkojmë në zgjedhje, shkruan Reporteri?

Këtë do ta përcaktojë Gjykata Kushtetuese, e cila si asnjëherë më parë konsiderohet se është përballë me presion nga jashtë, sa i përket vendimit në lidhje me dekretin e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi për ta mandatuar Avdullah Hotin për Kryeministër, pasi që Albin Kurti nuk u përgjigj në 4 letra që i shkuan për të provuar të krijojë sërish një Qeveri, pas asaj 51 ditëshe me LDK-në.

Deri më 29 maj, ditë e premte, është afati kur Gjykata Kushtetuese do të vendos për lëndën në fjalë. Më 1 Maj e pezulloi dekretin e Thaçit.

Në media dhe nga njohës të çështjeve kushtetuese po flitet për një opsion që Gjykata ta nxjerrë një vendim që ia njeh të drejtën e krijimit të Qeverisë edhe një subjekti tjetër, por paraprakisht do të kërkojë që VV ta ketë një afat për të treguar nëse i ka numrat apo jo. Mirëpo, kjo është kundërshtuar nga Gjykata Kushtetuese.

Ky institucion ditë më parë reagoi edhe ndaj dy krerëve institucionale më të lartë në vend dhe rivalëve kryesorë politikë, Hashim Thaçit dhe Albin Kurtit. Pohoi se ndjehet nën presion nga këta dy.

“Gjykata Kushtetuese po ndjekë me shqetësim diskursin publik kërcënues që po zhvillohet ditëve të fundit nga Presidenti dhe Kryeministri në detyrë, si dhe bartës të tjerë të funksioneve institucionale dhe politike, të cilët duke akuzuar njëri-tjetrin për presion ndaj Gjykatës Kushtetuese nga pala tjetër, po mundohen të ndikojnë apo paragjykojnë vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese për çështjen e dekretit të Presidentit për caktimin e mandatarit për krijimin e Qeverisë së re. Gjykata Kushtetuese e dënon ashpër këtë ndërhyrje në pavarësinë e vet institucionale, si dhe përpjekjen e akterëve politik dhe institucional për të përfshirë Gjykatën Kushtetuese në debate politike ditore.

Gjykata Kushtetuese dënon po aq ashpër edhe përfoljen e gjyqtarëve individual, si persona që kanë autorizime apo përgjegjësi vendimmarrëse individuale në këtë çështje”, tha Gjykata në një reagim, shkruan Reporteri.

Deri para kësaj, kishte deklarata e aksione simbolike që tentonin të paralajmëronin masa. Disa aktivistë të Vetëvendosjes dhe pjesëtarë të shoqërisë civile, e afërt me VV-në kanë vendosur pika të kuqe në shesh, dhe kanë bërë protesta provë duke paralajmëruar se do të protestojnë nëse një vendim i Kushtetueses ia njeh të drejtën dikujt tjetër ta bëjë Qeverinë. Ata konsiderojnë se një vendim i tillë do të ishte kundër vullnetin të popullit.

Nga partia e Albin Kurtit thanë se nuk janë organizatorë por i mbështesin dhe nuk mund të ndalojnë protestat.

“Unë nuk mund t’i ndaloj dhe nuk dua t’i ndaloj qytetarët që të shprehen. Si qeveri në detyrë ne jemi të thirrur të garantojmë lirinë e shprehjes”, ka thënë ai.

Por, Kurti nuk është ndalë me kaq në raport me Gjykatën Kushtetuese. Para disa dite bëri të ditur se ka pranuar një letër kërcenim që sipas tij, është më shumë për Gjykatën Kushtetuese.

Letra e nënshkruar nga ‘Garda Vullnetare Shqiptare’ nuk u vërtetua ende për nga burimi i lëshimit dhe detajeve tjera.

Rivali i tij politik, Hashim Thaçi e quajti këtë kërcenim një shpike të Kurtit, e sipas tij e bërë në zyrat e VV-së.

”Hetimi ka filluar por t’i lëmë organet përkatëse që të punojnë. Kurti e din që diçka e tillë nuk ekziston, një kërcënim i tillë nuk ka ekzistuar, ai e din kush e ka sajuar, cili ka qenë mesazhi i këtij improvizimi, prandaj është një lojë e ulët politike nga ana e tij dhe e njerëzve të tij përreth, sepse gjithçka buron nga selia e partisë së tij dhe nga njerëzit përreth tij. Një dramë të tillë e ka sajuar personalisht ai për të krijuar një konfuzion, tension para vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe duke përmendur emra të gjykatësve, mendoj se është direkt një presion me pretendime kërcënimi ndaj tyre që të ju tregoj se ne e dimë kush po punon aty. Kurti e din se unë e di, se ai qëndron me ekipin e tij pas gjithë kësaj drame”, tha ai.

Këshilltarët e Thaçit kanë qenë ata që kanë dhënë opinione të shpeshta mbi atë se si duhet të jetë vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Dhe kjo është konsideruar një presion.

Duke mbrojtur presidentin, ai ka përmendur të dhëna e momente historike në politiken kosovare, që sipas tij çojnë drejt një vendimi të Gjykatës Kushtetuese pro dekretit të presidentit për Avdullah Hotin.

“Pra, me asnjë rrethanë krahasuese dhe analoge, Gjykata Kushtetuese nuk duhet të jetë bllokuese e krijimit të institucioneve. Po bllokim të shkeljes së procedurave. Jo bllokim të krijimit të qeverisë. Dy fakte shumë kokëforta janë para Gjykatës Kushtetuese sot. Një, 82 vota kundër kryeministrit Kurti. Dy, vullneti politik për të mos shkuar në zgjedhje të reja. Kosova duhet t’i provojë dhe t’i ketë të hapura të gjitha mundësitë për të krijuar qeverinë, por gjithnjë duke ecur në përfillje të të gjitha procedurave, ligjeve dhe rregulloreve”, shkruante ai.

Shefi i tij, Thaçi, tha se do ta paguajë çmimin nëse Gjykata konstaton se dekreti i tij ishte në kundërshtim me Kushtetutën e vendit.

I pyetur se a do të jap dorëheqje nëse Gjykata Kushtetuese vendosë se është bërë shkelje me dorëzimin e dekretit, Thaçi tha se ky është një çmim të cilin ai është i gatshëm ta paguaj.

“Unë nuk e di çfarë vendimi do të nxjerrë Gjykata Kushtetuese, nuk i di opinionet e tyre, ata duhet t’i lëmë të qetë, por nëse duhet me pagu çmim presidenti i vendit vetëm që vendi të ecë përpara”.

Kurti ndërkaq tha se do ta respektonte vetëm nëse do të ishte interpretim.

“Do ta respektojmë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, përderisa është interpretim i Kushtetutës”, tha shkurt Kurti.

Kjo po interpretohet se nëse Gjykata Kushtetuese cakton afate për të dhënë përgjigje nga kërkesa për mandatar, atëherë kemi të bëjmë me amendamentim të Kushtetutës dhe jo interpretim.

Nga partia e tij kanë thënë se ‘do ta respektojnë një vendim të Kushtetutës nëse ai është pro Kushtetueses’, duke aluduar se nuk duhet tejkaluar vendimin e vitit 2014.

Derisa Kurti e Thaçi po shtyhen me presion e deklarata, nga tabori tjetër, LDK, po thonë se janë të gatshëm ta bëjnë Qeverinë me 16 ministri. Ata po deklarojnë 64 vota, duke mos e llogaritur nënkryetaren e tyre, Vjosa Osmani që ka dalë kundër tyre dhe në përkrahje të Albin Kurtit.

“Java e ardhshme do ta gjejë Kosovën me qeveri të re, ne jemi të gatshëm, në momentin që del vendimi i gjykatës kushtetuese, unë do të ridërgoj kërkesën për seancë”, tha para tri dite, shefi i Grupit Parlamentar, Arben Gashi.

Qeveria e tyre po premton një pako prej 1 miliard eurove për rimëkëmbje ekonomike nga pasojat e pandemisë. Ndonëse nuk ka ende shifra të sakta për pasojat ekonomike, llogaritjet janë që ajo do të ketë rënie deri në 5 %, shkruan Reporteri.

Nga Partia Demokratike e Kosovës, që ka qenë në qeveri që nga vitit 2008, janë deklaruar kundër cilësdo Qeveri dhe në favor të zgjedhjeve menjëherë pas pandemisë.

Në vitin 2014 , Kosova ishte përballë pothuajse me situatë të ngjashme. Edhe atëherë procesi ishte dërguar në Gjykatë Kushtetuese dhe PDK si fituese nuk dëshirohej nga të tjerat që u mblodhën ne bllokun VLAN.

Kushtetuesja ia njohu të drejtën partisë fituese që ta ketë Kryetarin e Kuvendit dhe radhën e parë e ndoshta edhe të dytën për ta ndërtuar Qeverinë. Kjo prishi matematikat në VLAN dhe PDK.

Kësisoj prodhoi një Qeveri të drejtuar nga LDK e në koalicion me partinë fituese, PDK-në.