Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka kritikuar Komunën e Prishtinës për suficit buxheti, ky deklarim një javë para zgjedhjeve lokale.
Sipas Muratit për 3 vjet nga 2022 në 2024 janë 136 milionë euro mjete të buxhetit të pashpenzuara.
Tutje, Murati ka shkruar në Facebook se në vitin 2025, i cili nuk mbaron edhe 3 muaj pritet suficiti të kalojë 50 milionë euro.
“Buxheti që i ka shku suficit (i pashpenzuar) Komunës së Prishtinës, nëpër vite: – Viti 2022: 49 milionë euro të pashpenzuara – Viti 2023: 53 milionë euro të pashpenzuara – Viti 2024: 34 milionë euro të pashpenzuara Kurse për vitin 2025 i cili ende nuk ka përfunduar, me shumë gjasë suficiti përsëri do ta kalojë 50+ milionë euro. Pra, secilin vit të qeverisjes janë me dhjetëra miliona euro që i kanë tepru të pashpenzume dhe i ka kthy mrapa, ama Përparim Rama ankohet që s’ka pasë buxhet dhe qeveria e paska diskriminu”, ka thënë Murati.
Tutje, ai ka thënë se “është marre”, për një kryetar t’i kthejë 50 milionë euro të pashpenzuara.
“Është marre për një kryetar me i kthy 50 milionë euro të pashpenzume në fund të vitit, përderisa ke probleme me bërllog, me qenë endacakë, me mungesë të çerdheve, e infrastrukturë të pakompletuar”, ka thënë Murati. /Gazeta Express