Një javë pa takim Kurti – Mustafa, s’ka vendim për postin e presidentit

Ballina

Gazeta Express

09/12/2019 11:08

As sot nuk është paraparë të mbahet takim në mes të kreut të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe Isa Mustafës së Lidhjes Demokratike të Kosovës për të vendosur për koalicionin, kanë bërë të ditur për Gazetën Express burime brenda partive. Deri tash dy liderëve u ka mbetur të dakordohen vetëm për pozitën e presidentit, kusht ky i vendosur në tavolinë nga LDK-ja

Gazeta Express

Sot është bërë një javë nga takimi i fundit VV – LDK në nivel të liderëve, ku ishte thënë se do të finalizohet marrëveshja e koalicionit në mes të dy partive.

Hesapet ndryshuan kur Isa Mustafa ia prezantoi edhe një kusht tjetër Albin Kurtit, pasi që të dy liderët fillimisht zgjodhën ministritë që do t’i takojnë secilës.

Derisa Mustafa zgjodhi i pari MPB-në, ministri që kishte qenë premtim elektoral i VV-së, ai tha se me Kurtin duhet të merren vesh edhe për presidentin që do ta pasojë Hashim Thaçin, e që sipas kësaj marrëveshjeje duhet t’i takojë LDK-së.

Pikërisht ky kusht kishte qenë arsye se pse të hënën që lamë pas nuk u arrit marrëveshja e premtuar e koalicionit, që u tha se do të nënshkruhet 72 orë pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve.

Kjo “mosmarrëveshje” do të pasonte pastaj me akuza në distancë në mes të anëtarëve të të dy partive. U bë e ditur se as VV-ja e as LDK-ja nuk kanë hequr dorë nga kushtet e tyre. LDK-ja vazhdon të insistojë për presidentin, e VV-ja nuk do të bëjë pazare me këtë temë.

Si rrjedhojë e kësaj, as sot nuk është paraparë takim në mes të dy liderëve, Albin Kurti e Isa Mustafa. LDK-ja bile tha se i takon VV-së ta thërrasë takimin e ardhshëm. Deri tani dihet se Kurti i ka shkruar Mustafës, e të dy partitë po tentojnë të vazhdojnë bashkëpunimin.

Në takimin e fundit, merret vesh se LDK-ja kishte zgjedhur fillimisht MPB-në, pastaj Ministrinë e Arsimit, Bujqësisë, Ministrinë e Mbrojtjes dhe të Planifikimit Hapësinor.

VV-ja ndërkaq, zgjodhi Ministrinë e Punëve të Jashtme, të Financave, Zhvillimit Ekonomik, Shëndetësisë dhe Drejtësisë.

Nuk dihet nëse këto ministri që thuhet se kanë zgjedhur liderët në takimin e fundit do të qëndrojnë të ndara njësoj në mes të partive, edhe në takimin e ardhshëm që parashihet të mbahet në mes të Kurtit e Mustafës, e ku diçka do të vendoset edhe për postin e presidentit.

Kujtojmë që kanë kaluar 13 ditë prej kur KQZ-ja ka certifikuar rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të mbajtura më 6 tetor.

Derisa LDK-ja e VV-ja po synojnë të formojnë koalicionin qeverisës, në çdo kohë mbetet në dorë të presidentit Hashim Thaçi që të thërrasë seancën konstituive. /GazetaExpress/