Një javë nga vrasja në Gjilan - U vranë tre persona në pikë të ditës, nuk u arrestua askush - Gazeta Express
string(88) "nje-jave-nga-vrasja-ne-gjilan-u-vrane-tre-persona-ne-pike-te-dites-nuk-u-arrestua-askush"

Lajme

Gazeta Express

18/08/2025 8:12

Një javë nga vrasja në Gjilan – U vranë tre persona në pikë të ditës, nuk u arrestua askush

Lajme

Gazeta Express

18/08/2025 8:12

Kanë kaluar një javë nga kur në Gjilan, në pikë të ditës, në qendër të qytetit, u vranë tre persona. Një javë pas, tre të dyshuarit, Mefaiil Shkodra, Engjëll Shkodra e Edonis Shkodra janë në arrati. Deri tash, bilanci është vetëm katër zyrtarë të suspenduar nga IPK-ja.

Ndërkohë që të tre të dyshuarit ia dolën të arratisen fare shpejt nga vendi i ngjarjes dhe as pas një dite nuk është lokalizuar vendndodhja e tyre. Kjo ngjarje e rëndë ka trazuar opinionin vendor dhe është bërë brum për debat të ashpër edhe mes institucioneve. Në konferencë për shtyp që mbajti dje Policia e Kosovës bashkë me Prokurorinë e Gjilanit u bë e ditur se plot 30 vepra penale rëndojnë mbi Mefail Shkodërn, famëkeq në veprimtari si organizim i grupeve kriminale, fajde, kërcënim, detyrim (etj). Ndërkaq vetëm gjatë ditës së sotme u ‘sqaruan’ Gjykata Themelore dhe Prokuroria Special se si u bë që Mefail Shkodra me të birin e tij dolën të lirohen nga paraburgimi (qershor – tetor, 2024) përmes ndërrimit të masës me ‘dorëzani’. Njëri me dorëzani 50 mijë euro, tjetri 20 mijë: 70 mijë euro që të dy si tiketë dalje nga paraburgimi.

Çka tha Gjykata?

  • Me datë 08.10.2024 Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special ka pranuar Propozimin për Zëvendësimin e masës së Paraburgimit me masën e Dorëzanisë nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës për çështjen penale ndaj të pandehurve M.Sh. dhe E.Sh., ( lidhur me të pandehurin M.Sh. është propozuar dorëzania në vlerë prej 50,000.00 € (pesëdhjetë mijë euro), ndërsa ndaj të pandehurit E.Sh. është propozuar dorëzania në vlerë prej 20,000.00 € (njëzetë mijë euro). Gjyqtari i procedurës paraprake, me datë 08.10.2024 përmes Aktvendimit ka aprovuar propozimin e PSRK-së për Zëvendësimin e masës së Paraburgimit me masën e Dorëzanisë në çështjen penale ndaj të pandehurve M.Sh. dhe E.Sh. dhe ka obliguar të pandehurit që të lënë në hipotekë njësinë kadastrale në të cilën parcelë janë të ndërtuara dy objekte me shumë totale prej 354.00 euro, e cila shumë siguron vlerën e shumës sa është propozuar vlera e masës së dorëzanisë prej 70.000.00 (shtatëdhjetë mijë euro) nga Prokuroria Speciale, për të pandehurit M.Sh. dhe E.Sh..

Çka tha Prokuroria?

  • Ndërsa, Prokuroria sqaron se në rastin e parë, i dyshuari M.SH dhe E.SH kanë qenë në paraburgim për katër muaj për disa vepra penale, përfshirë fajden dhe detyrimin. Pas propozimit të avokatëve mbrojtës për zëvendësimin e masës me dorëzani në Gjykatën Themleore në Prishtinë, e njëjta propozimin e tillë e ka përcjell për vlerësim në Prokurori. PSRK-ja pas analizimit të kërkesës, ka dhënë propozimin për ndryshimin e masës së sigurisë, dhe Gjykata ka vendosur zëvendësimin e masës, pasi është vlerësuar se nuk ekzistonin më kushtet ligjore për vazhdimin e paraburgimit. Njëkohësisht ndaj këtyre të pandehurëve kjo Prokurori ka sekuestuar 9 prona të paluajtshme në kuadër të këtij hetimi, dhe ka intervistuar të gjithë personat e përfshirë në këtë rast penal, në përputhje me standardet e përcaktuara në Kodin e Procedurës Penale. Theksojmë se rasti është ende në fazën e hetimeve, dhe gjithashtu janë duke u siguruar prova në kuadër të bashkëpunimit juridik ndërkombëtar.

Çka tha Ministria e Drejtësisë?

  • Ky vendim është i pakuptueshëm dhe i papranueshëm, sidomos duke pasur parasysh që të dy të dyshuarit ishin subjekt i hetimeve për vepra të rënda penale si fajdeja dhe detyrimi. Lirimi i tyre përbën një neglizhencë të rëndë institucionale dhe ka prodhuar pasoja tragjike e të pariparueshme. Ministria e Drejtësisë i bën thirrje Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe atij Gjyqësor, që të nisin menjëherë procedurat disiplinore ndaj të gjithë prokurorëve e gjyqtarëve që kanë qenë të përfshirë. Përgjegjësia ligjore, institucionale dhe morale duhet të jetë e plotë dhe e pakompromis.