Një javë ditë pa lëvizje për Presidentin, Kurti tha se s'ka pasur kohë për "konsultimet e brendshme" - Gazeta Express
string(96) "nje-jave-dite-pa-levizje-per-presidentin-kurti-tha-se-ska-pasur-kohe-per-konsultimet-e-brendshme"

Lajme

Gazeta Express

31/03/2026 12:38

Një javë ditë pa lëvizje për Presidentin, Kurti tha se s’ka pasur kohë për “konsultimet e brendshme”

Lajme

Gazeta Express

31/03/2026 12:38

Nga 34 ditët e afatit që i dha Gjykata Kushtetuese për zgjedhjen e Presidentit, tani kanë mbetur më pak se 30. Kryeministri Albin Kurti thotë se ka kohë për ta gjetur një emër për shef të shtetit. Ai paralajmëroi se do t’u bëjë ftesa për takime kryetarëve të partive opozitare, por përpara kësaj, tha se i nevojiten “konsultimet e brendshme”, të cilat tha se ende nuk ka pasur kohë t’i bëjë.

Gazeta Express

Ka kaluar rreth një javë që kur Gjykata Kushtetuese vendosi që Presidenti të zgjidhet në një afat prej 34 ditësh. Ende nuk është bërë asnjë lëvizje.

Kryeministri Albin Kurti tha dje se do t’u bëjë ftesa për takime kryetarëve të partive opozitare. Por përpara kësaj, ai tha “më nevojiten konsultimet e brendshme”, të cilat tha se ende nuk ka pasur kohë t’i bëjë.

Ai përmendi vizitën e fundit në Paris dhe takimin me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, dhe shtoi: “Prandaj unë nuk e kisha kohën e mjaftueshme që t’i bëj konsultimet e brendshme për takimet e ardhshme”.

Kurti tha se “nuk është mirë të jemi veçse 80 apo 81” deputetë, por “rreth 85”. Për pyetjen rreth ofertës dhe kompromisit për Presidentin, Kurti tha se duhen pritur takimet.

“Padyshim që do të bëj ftesa për takime për kryetarët e partive opozitare në mënyrë që të shohim cilat janë rrugët që ta arrijmë numrin prej së paku 80 deputetëve, e po e ritheksoj, unë besoj që nuk është mirë të jemi veçse 80 apo 81. Duhet të jemi rreth 85, 84 deri në 86 në mënyrë që ta zgjedhim Presidentin aty, dhe për këtë do të bëjë edhe ftesa e do të zhvillojmë edhe takime”, tha ai në një konferencë për media pas një mbledhjeje të Qeverisë.

Për kompromis nuk foli, por një pyetjeje për këtë iu përgjigj duke thënë se “duhet të presim që të ndodhin ato takime” për të parë se “çfarë ofertash e kërkesash do të ketë”.

Tha se ka kohë për zgjedhjen e Presidentit dhe se “sa është e rëndësishme ta trajtojmë me urgjencë, është e rëndësishme edhe të kemi sukses”.

“Në bazë të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, nëse nuk jam gabim, kemi kohë deri më 28 prill, që do të thotë se i kemi 30 ditë. Pra nuk janë 3 ditë, janë 30. Por do të përpiqemi që sa më parë të bëjmë sa më shumë”, tha ai.

Kryeparlamentarja Albulena Haxhiu tha mbrëmë në një intervistë për televizionin publik se “zgjedhja e presidentit të vendit është përgjegjësi e të gjithë deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës”.

Ajo tha se do të janë të hapur të dëgjojnë emra të propozuar nga partitë opozitare për President por edhe të propozojnë vetë.

“Mendoj që e rëndësishme është vullneti. Në qoftë se ka vullnet nga partitë politike për të gjetur një zgjidhje, gjithçka është e mundshme. Prandaj po them që në këto takime duhet të jemi seriozë, duhet të jemi konstruktivë dhe të sillemi në raport me përgjegjësitë politike që i kemi”, tha ajo.

Sipas saj, “do të ishte historike për Republikën e Kosovës që ta ketë president të vendit dikë nga familja Jashari, me theks të veçantë zotin Murat Jashari”, i cili e ka refuzuar këtë ofertë.

Mandati i presidentes Osmani përfundon më 5 prill dhe mundësia që LVV-ja ta mbështeste atë edhe për një mandat duket se u hodh poshtë përfundimisht më 5 mars, kur partia e Kurtit njoftoi se për shef të shtetit e kishin propozuar Glauk Konjufcën, ministrin e Punëve të Jashtme.

Advertisement
Advertisement
Advertisement