Një interpretim ndryshe për ndërtimin e Xhamisë Qëndrore në Prishtinë! - Gazeta Express
string(69) "nje-interpretim-ndryshe-per-ndertimin-e-xhamise-qendrore-ne-prishtine"

Një interpretim ndryshe për ndërtimin e Xhamisë Qëndrore në Prishtinë!

Gazeta Express

26/07/2020 13:46

Kur jemi tek ndërtimet arkitektonike të kultit duhet shtuar kujdesin, ngase edhe në to, po ashtu ka deformime ose kopijime të dobëta, me shumë pak elemente kombëtare-tradicionale Në anën tjetër, shohim që edhe Xhamia e cila po pretendohet të ndërtohet, i përket stilit otoman, të shek.XVI, xhami të ngjashme mund të vizitosh sa të duash në Stamboll

Mentor Hasani

Lexo Edhe:


Një debat jo fort i strukturuar po vazhdon që ta dominoi opinionin publik dhe jo vetëm, sa here po shtrohet nevoja e ndërtimit të objekteve fetare. U diskutua dhe vazhdon edhe sot të diskutohet ashpër për ndërtimin ose jo të Xhamisë Qëndrore në Prishtinë. Ashtu sikurse diskutohej për ndertimin e Katedrales së nisur me iniciativën e presidentit Ibrahim Rugova. Ç’është e vërteta në një mënyrë apo tjetër, privatisht apo publikisht pothuajse askush nuk i shpëtoi dot’ këtij debati e diskutimi me argumente pro e kundër ndërtimit të saj. U tha shumçka, por ama nuk u pa ndokush të japi një interpretim të mirëargumentuar, pos argumenteve politike e moralizuese, dhe ideologjike e dogmatike. Kur jemi tek argumentet politike Richard Rogers thoshte se “Arkitektura është gjithnjë politike”, APO Peter Eisenman në Haaretz se:“Arkitektura është padyshim një akt politik”. E tillë po shihet edhe sot, prandaj ka reagim nga një pjesë e shoqërisë.


Përtej kësaj, duhet potencuar faktin se ndërtimi i xhamisë për besimtarët është i nevojshëm, madje i domosdoshëm, marrë për bazë se mungesen e një objekti të tillë kulti e shohim në vazhdimësi, e veçanërisht ditëve të premte (xhumave) gjatë faljes së besimtarëve në rrugët e kryeqytetit. Pamjet e tilla nuk flasin mire për ne, janë fotografi jo të mira për vendin, institucionet dhe shoqërinë tonë. Sidoqoftë, kur diskutohet për ndërtimin xhamisë, shtrohet pyetja se cila apo si do duhej të ishte ky ndërtim; arkitektura, forma, madhësia dhe gjithçka tjetër rreth saj? Në kontekst të këtyre pyetjeve, duhet pasur parasysh se qoftë ky, apo projekte të tjera në të ardhmen, parase të fillojë skicimi i tyre, duhet bërë analizë dhe studim fizibiliteti i thellë, ku do të kontribuonin së pari grupe ekspertësh të arkitekturës, pastaj historianë të artit dhe religjionit, antropologët, teologët etj. Në këtë mënyrë do të merreshin për bazë disa parametra esencial mbi kuptimin që do ta barte në vete ndërtimi i xhamisë qendrore përtej edhe vet misionit të saj, ngase arkitektura në përgjithësi e ajo fetare në veçanti është shumë komplekse.

Prandaj e konsideroj si shumë me rëndësi një bashkëpunim e përbërje të tillë, ngase kur vendoset për ndërtimin e objekteve të kultit, në vende dhe hapësirë gjeografike si kjo e jona, atëhere mendoj se duhet pasur parasysh një sërë faktorësh, në mënyrë që t’u iket shablloneve të ndërtimeve pa stil e takt, të krijuara ndër vite në qytetet tona, në krye të të cilave qëndron fuqishëm Prishtina. Në të, gjithandej vërejmë stile ndërtimi çeroditëse, pa asnjë lloj estetike. Aty shohim se mungon plani dhe mbikqyrja nga institucionet përkatëse, mungon dora e shtetit në orientimin e gjithçkaje. Çeroditizimi i arkitekturës në kryeqytet flet shumë për qytetarin saj, dhe vlerat që ai përfaqëson, kujdesin që ka për publiken dhe ambientin, duke bërë që të bihet në kundërshtim të plotë me atë që Norman Foster arkitekturën e vlerëson si një shprehje të vlerave – ngase sipas tij, mënyra se si ndërtojmë është një pasqyrim i mënyrës sonë jetësore”.

Sidomos, kur jemi tek ndërtimet arkitektonike të kultit duhet shtuar kujdesin, ngase edhe në to, po ashtu ka deformime ose kopijime të dobëta, me shumë pak elemente kombëtare-tradicionale. Shiheni për këtë katedralen e cila i takon një stili ndërtimi të njohur për të gjithë, pra nuk ka kurrfar veçantie apo origjinaliteti në të. Të tilla mund të hasësh gjithandej në perëndim, veçanërisht në Itali. Në anën tjetër, shohim që edhe Xhamia e cila po pretendohet të ndërtohet, i përket stilit otoman, të shek.XVI, xhami të ngjashme mund të vizitosh sa të duash në Stamboll.

Kur jemi tek ndërtime të tilla është me rëndësi të theksohet se të gjitha kryeqendrat evropaiane dhe jo vetëm, posedojnë objekte kulti me stil tepër të veçantë arkitektonik, ku secili njeri i apasionuar pas vlerave kulturore e arkitektonike, mezi do priste të vizitonte cilëndo nga to, pa çka se mund të mos i përkiste një besimi apo asaj çfarë x objekti përfaqëson. Përshembull, kush nuk do të dëshironte që ta vizitonte Katedralen Notre Dame në Francë, apo Xhaminë Aja Sofia në Stamboll, ose Tempullin e Jerusalemit, e shumë objekte të tjera. Në to, pos shërbimit për besimtarët, mund të gjesh civilizim, art, kulturë, histori, mesazh, stil, imagjinatë dhe vlera të tjera unikale. Pra, ato shërbejnë edhe për tërheqjen e vizitorëve nga e gjithë bota. Është stili dhe vecantia e një objekti arkitektonik i cili mund të ketë pasoja shumë pozitive në të ardhmen për promovimin e diversitetit kulturor, me vlera të shtresuara historike të shqiptarëve, ku me ndërtimin e një objekti feje unik, do të krijoheshin mundësi të mëdha për tërheqje vizitorësh, rrjedhimisht promovim të vlerave tradicionale e civilizuese, mbi harmoninë fetare që i ka karakterizuar shqiptarët ndër shekuj.

 Ne, duhet të ndërtojmë e promovojmë gjithçka origjinale, sepse në vendin tonë nuk ka ekonomi të zhvilluar, mungon turizmi dhe investimet, prandaj fokusi ynë institucional e shoqëror duhet orientuar seriozisht në këtë segment. Mbështetja e projekteve të mirëstudiuara arkitektonike, është një hap tutje në këtë drejtim. Arkitektura e objekteve fetare nuk duhet të jetë diçka e izoluar apo në shërbim vetëm të një pjese a grupi interesi, madje, një gjë të tillë e mbështet edhe Joshua Prince-Ramus me ç’rast arkitekturën e definon si një proces shumë bashkëpunues.

 
Stilet e ndërtimit të aplikuara gjerësisht tek ne, nuk është se kanë ndonjë veçanti apo element dallues, perjashtimisht disa kullave të trashëguara e disa tjerave të rindërtuara. Sikurse u tha më lartë as tek arkitektura fetare ekzistuese në vendin tone, nuk mund të gjesh diçka esenciale e cila do ta bënte dallimin me autenticitetin e saj. Prandaj, mungesa e këtyre veçorive dalluese, të cilat do të kryenin shumë punë në aspekt të promovimit të vlerave tona unikale, bënë që askush të mos ket’ interesim që të marri rrugën për në Kosovë që të vizitoj dicka impresionuese dhe origjinale. Sa për katedralen dhe stilin që ka ajo, njerëzit natyrshëm më parë zgjedhin që ta vizitojnë Italinë. Ndërkohë, për Xhami të stilit ottoman, po ashtu askush nuk do ta merrte mundin apo nuk do të kishte kurreshtjen që të vizitonte Kosovën, për shkak se xhami të tilla ka gjithandej në Turqinë e sotme. Arkitektuara është me shumë rëndësi për tërheqje vizitorësh. Ajo është një koncept filozofik, të cilën Thom Mayne në fjalimin e tij të pranimit të një çmimi për arritjet e tij, “Arkitekturën e cilëson si një mënyrë për të parë, menduar dhe vënë në pikëpyetje botën tonë dhe vendin tonë.”


Marrë për bazë këtë që u tha më lart, duhet të kemi vëmendjen që parase të bëjmë kopje të dobëta arkitektonike, të vemi në prioritet, projekte që në thelbin e tyre kanë vizionin për objekte kulti krejt të vecanta, madje në këtë mënyr, do t’i shërbenim edhe një ‘MITI’ tash më të njohur se jemi popull e rast i veçant në botë, prandaj ne duhet të shfrytëzojmë këtë rast dhe të bëhemi me të vërtetë të tillë. Të mos mendojmë vetëm për sot, por edhe për 500-1000 vitet e ardhshme.

Ne kemi mundësinë e jashtëzakonshme që të ndërtojmë diçka e cila vë në pah harmoninë fetare në vendin tonë, diçka e cila është autentike dhe nxit kureshtje edhe për besimtarët e feve të tjera dhe jo besimtarët dhe u shërben edhe atyre, në mos për t’u falur a lutur, të pakten për t’i vizituar. Pra, ne duhet ta bëjmë kapërcimin e madh, ku BIK-u do ta lunate rolin e saj kyç, në mënyrë që të kontribuonte në shtyerjen tutje të një projekti të tillë i cili megjithatë do të kishte në interierin dhe exterierin e saj shumëçka shqiptare. Një mesazh dhe stil në të cilin do ta gjenin veten të gjithë dhe pa dallim.


Është krejt e kuptueshme se realizimi i projekteve të tilla, ka kosto të lartë financiare, por një projekt i mirë do të merrte mbështetje financiare nga e gjithë shoqëria, sepse do t’u shërbente të gjithëve, e veçanërisht shqiptarëve të besimit musliman. Pra nëse shteti ynë nuk posedon mjete financiare, apo dëshiron që mos ta ‘cenoj’ laicitetin e tij, atëhere një xhami e tillë do të ndërtohej nga participimi i qytetarëve brenda e jashtë vendit, në mënyrë që t’i ikej një brenge të hezituesve se ka tendenca akulturalizimi dhe deformimi të asaj në të cilën besojnë shqiptarët përgjithësisht. Megjithëse, siç potencon edhe vet Bernard Tschumi në The New York Times…shkëputja nga pushteti e politika është problematike për faktin se ‘Arkitektura është gjithmonë e lidhur me pushtetin dhe lidhet me interesa të mëdha, qoftë financiare apo politike’.