Një histori distopike e Kosovës - Gazeta Express
string(31) "nje-histori-distopike-e-kosoves"

Një histori distopike e Kosovës

Gazeta Express

14/09/2020 20:41

Historitë alternative janë zhanër që përshkruajnë historinë e një vendi apo një ngjarjeje ngritur mbi premisën e pyetjes hipotetike “çka nëse?” Në fakt, prandaj quhen edhe histori hipotetike. Historitë hipotetike mund të jenë edhe utopike, një përshkrim idilik i asaj çfarë do të mund të ndodhte sot sikur diçka të (mos) kishte ndodhur në të kaluarën. Këto përshkruhen edhe me neologjizmën “histori ukronike” – nga fjalët greke utopos (e pavend) dhe kronos (kohë). E kundërta e historive utopike ose ukronike janë historitë distopike, ato që paraqesin një histori hipotetike me nuanca të zymta. Një të tillë do ta lexoni në vijim:

Shkruan : Fitim Salihu

Lexo Edhe:

1.

Pasi u ndal kamera, ai ktheu bidonin e ujit për të lagur fytin e tharë në këtë zagushi vere. Kishte dhënë një intervistë për BBC-në nga malet e Pashtrikut. “S’kemi pasur gazetarë ndërkombëtarë në male qe nëntë vite,” tha ai duke fshirë buzët me mëngët e kapotës së tij ushtarake në atë ditë të nxehtë gushti të vitit 2020. “Pasi nuk e nënshkruam Marrëveshjen e Rambujesë më 1999 gazetarët vazhduan të vinin edhe për nja dy-tri vite më vonë. Pas sulmeve të 11 Shtatorit, ata u rralluan dhe të fundit që na kanë vizituar për të bërë storje për ne kanë qenë disa gazetarë turq në vitin 2011. Prej atëherë më s’është interesuar asnjeri për ne,” vazhdon Hashim Thaçi, drejtori politik i UÇK-së, gueriljes e cila po lufton maleve të Kosovës tani e gati një çerek shekulli.

I thinjur nga koha dhe nga lufta e gjatë, me një shikim të përhumbur diku në horizont, në rrudhat e tij vërehen vragë të një pendese që e ndjek nga pas, ndonëse nuk e pranon hapur. Një “ah sikur ta kisha ditur” i doli disa herë nga goja pasi u pyet nëse do të vepronte ndryshe po të mund ta kthente kohën prapa në atë dimër të acartë të vitit 1999. “Kam pasur presion të madh. Kam menduar se do të bëja tradhëti nëse e nënshkruaj atë dreq marrëveshje. Doja t’i besoja amerikanëve, por diçka nga brenda më thoshte të mos i besoja. Doja t’i besoja Kadaresë sonë të madh, por diçka më thoshte se ai lehtë e ka të na flas nga Parisi. Qe tash, s’i kemi prapa as amerikanët, as Kadarenë. Prapa po na vinë vetëm këto dhi mali,” e përfundon ai me ironi vetëthumbuese “rrëfimin” e tij, që duket sikur ia lehtëson shpirtin e rënduar nga “mëkati”, na përshëndet i hutuar dhe zhduket diku në brendësinë e malit i rrethuar nga një shpurë rojesh, të cilët, ndonëse mundohen të mbahen për të fortë, pa armatim e pa ushqim duken si ushtarë tarakota.

UÇK-ja vazhdon me përpjekje të dëshpëruara të kryejë sulme sporadike ndaj policisë serbe dhe sërish të tërhiqet prapa në territorin shqiptar. Sërish e sërish. Tash e mbi njëzet vite. Duket së në këto male koha nuk ec. Asgjë nuk ka ndryshuar, përpos frizurës së drejtorit politik të gueriljes. Kjo guerilje që në ditët më të mira të saj numëronte rreth 15 mijë luftëtarë, sot është tkurrur në disa dhjetëra syresh. Pos disa sulmeve të rralla në Dukagjin, ku vëllezërit Haradinaj kanë vazhduar të strehohen dhe të luftojnë maleve, dhe aksioneve në brezin kufitar, lufta e saj është bërë pothuajse inekzistente në pesëmbëdhjetë vitet e fundit. Ata premtojnë se kurrë nuk do të ndalen. Por, duket se edhe po nuk u ndalën, nuk do të ndryshojë asgjë në të mirë të tyre.

2.

Është 4 shtatori. Viti 2020. Me kokën përpjetë, Presidenti Tramp po ia kalon me radhë fjalën gazetarëve gjatë konferencës për shtyp që po e mban në Dhomën “Ruzvelt” të Shtëpisë së Bardhë pas takimit me homologun e tij serb, Aleksandër Vuçiq. “Serbia ka ndryshuar dhe nuk është më ajo e njëjta. Kush nuk e ka kuptuar këtë është një budalla,” shprehet ai me gjuhën tipike të tij. “Zoti Vuçiq është një good guy që po mundohet të sjellë paqe në atë rajon dhe guerilët janë disa kalamanj të lazdruar të cilëve Shtetet e Bashkuara deshën t’u ndihmonin, por ata menduan se janë më të mençur se ne,” vazhdon Presidenti Tramp, pasi që ka përmbyllur ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes tregtare me Presidentin Vuçiq – një sërë investimesh amerikane multimiliardëshe në ekonominë serbe.

I pyetur rreth kthimit të refugjatëve shqiptarë në krahinën e Kosovës, Presidenti Vuçiq, sikurse tani e sa vite, dha një përgjigje evazive: “Kosova është pjesë e Serbisë dhe është e hapur për qytetarët e saj. Por, aty nuk mund të kthehen pa u gjykuar fillimisht separatistët që deshën ta cenonin integritetin territorial të Serbisë. Kështu do të vepronte edhe Amerika, apo jo, zoti Tramp?! Të gjithë e dinë që Kosova është djep i kombit serb dhe terroristët nuk mund të kthehen që t’i shkatërrojnë kishat tona atje.” Në fakt, shumë komentatorë ndërkombëtarë kanë thënë se pas termeve “terrorist” dhe “separatist”, Presidenti Vuçiq po e fsheh qëllimin e tij dashakeq për moslejimin e kthimit të të gjithë refugjatëve civilë shqiptarë në shtëpitë e tyre, prej nga u dëbuan para njëzet e një vitesh. Ai erdhi në pushtet në vitin 2014 me kartën e një reformatori, duke premtuar zgjidhjen e problemit të refugjatëve shqiptarë, por duket se ish-ministri i Milosheviqit gjatë luftës së Kosovës ka ndërruar vetëm gëzofin dhe prore ka ngelur ai ujku i moçëm.

3.

Në fakt, deri në vitin 2014-2015, problemi i refugjatëve shqiptarë ka qenë kriza kryesore humanitare në Evropë. Por, pas krizës së refugjatëve sirianë, çështja e refugjatëve shqiptarë ka qenë thuajse inekzistente dhe burokratët e Bashkimit Evropian as kanë denjuar më që të merren me këtë problem. Për më tepër, Brukseli vazhdon t’i bëjë presion Republikës së Shqipërisë që t’i hap sa më shpejt kufijtë për zbrazjen e territorit të saj nga një milion refugjatët kosovarë. Madje, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Zhosep Borrel, ka thënë se Shqipëria nuk do të lejohet të hap kapituj të ri në procesin e euro-integrimeve nëse nuk i nxit refugjatët kosovarë që ta lëshojnë territorin e saj.

Megjithëkëtë, duket se frikërat e BE-së janë të bazuara. Me 1 milion shqiptarë të Kosovës që qëndrojnë në Shqipëri, duket se rajoni nuk do ta gjejë kurrë paqen dhe kufijtë e Serbisë asnjëherë nuk do të jenë të qetë. 1/3 e tyre aktualisht akoma jetojnë në kampet e refugjatëve në verilindje të Shqipërisë, gjersa 2/3 e tyre janë shpërndarë tejendanë qyteteve të Shqipërisë – ose duke jetuar me qera, ose duke blerë prona pas shitjes së tokave e shtëpive të tyre në Kosovë. Në fakt, Shqipëria ka mbi dy dekada që po i reziston një presioni të këtillë. E, Maqedonia nuk ia doli – ose nuk deshi – t’i rezistonte këtij presioni dhe fill brenda tri-katër viteve pas dështimit të Marrëveshjes së famshme të Rambujesë ajo i ka hapur kufijtë dhe që të gjithë 500 mijë refugjatët kosovarë të Maqedonisë janë shpërndarë nëpër botë si hebrenjtë motit – kush në ShBA, kush në Gjermani, në Zvicër e gjer në Australi dhe Zelandë.

Në Kosovë që nga lufta kanë mbetur më pak se 500 mijë shqiptarë dhe, si pasojë e politikave të kolonizimit që kanë ndjekur qeveritë serbe pas rënies së Milosheviqit, atje aktualisht jetojnë mbi 300 mijë serbë, duke e zbutur diskrepancën demografike që ekzistonte në favor të shqiptarëve para vitit 1998. Me një diferencë kaq të ngushtë, me Kosovën totalisht në duar të serbëve dhe me mungesë të përkrahjes ndërkombëtare, duket sikur shqiptarët e kanë humbur Kosovën një herë e përgjithmonë.

Kur ne ishim në Prishtinë, në rrugë dëgjoje njerëzit tekqë flisnin vetëm serbisht. Në fakt, siç na patën paralajmëruar që kur u nisëm nga Londra, tanimë në qytetet e mëdha të Kosovës nuk sheh këmbë shqiptari. Përjashto pak shqiptarë që kanë ngelur në Pejë e Gjakovë, në zonat urbane të Prishtinës, Mitrovicës, Gjilanit dhe Prizrenit ka vetëm banorë serbë. Teksa po ecnim rrugëve të Prishtinës na u vërtetua kjo. Kafeteritë lëshonin me zë të lartë muzikë në gjuhën serbe, qyteti ishte mbuluar nga buste të princërve mesjetarë serbë, Presidenti Vuçiq e kishte mbajtur më 19 qershor fjalimin e mbylljes së fushatës zgjedhore në hapësirën para Kishës Ortodokse mu në qendër të Prishtinës, në oborrin e Universitetit të Prishtinës “Dobrica Qosiq”, kurse nëpër vitrinat e dyqaneve shiheshin reklama të shkruara vetëm në serbisht dhe në alfabetin cirilik.

Serbët kalimtarë, që i pyetëm për takimin e presidentëve Vuçiq dhe Tramp në Shtëpinë e Bardhë, të gëzuar na thanë: “gjer më sot šiptari ka besuar që sërish Amerika do t’i ndihmojë sikur më 1998. Eh, dy herë nuk të vjen vera kah dera. Ata duhet ta kuptojnë që tash Amerika është me ne. Duhet ta kuptojnë që këtu gjithmonë do të jetë Serbi.” Diku aty afër sheshit “Sveta Anastasija” në qendër duhej të ishte stadiumi futbollistik sepse po i dëgjoja brohorimat e tifozëve dhe këngën e tyre: “Oj Kosovo, Kosovo, zemljo moja voljena”. Më thanë se “FK Priština”, klubi kryesor serb i Kosovës, po luante një ndeshje derbi me Crvena Zvezdën e Beogradit.

4.

Në Prishtinë nuk sheh asnjë gjurmë që ta kujton që në këtë qytet vetëm para njëzet vitesh shumica absolute ishin shqiptarë. Klubet sportive, aktivitetet kulturore, shkollat, universiteti, shoqatat dhe gjithçmos tjetër që ekzistonte këtu duket sikur e ka përpirë toka. Madje, edhe partitë e rezistencës paqësore shqiptare që toleroheshin në vitet ’90 nuk guxojnë të veprojnë më.

Lidhja Demokratike e Kosovës e themeluar nga Presidenti Rugova sot e zhvillon aktivitetin e saj vetëm në Shqipëri dhe gjetkë mes diasporës kosovare në Evropë dhe Amerikë. Presidenti i Republikës së vetëshpallur të Kosovës ndërroi jetë në vitin 2006 në Romë, ku jetonte me azil politik që nga lufta, pa e pasur asndonjëherë mundësinë, sikurse edhe 1.5 milion kosovarë të tjerë, të kthehej në shtëpinë e tij. I rraskapitur nga shëndeti dhe me pengun se si nuk arriti ta bindte pjesën tjetër të delegacionit që ta nënshkruanin Marrëveshjen e famshme të Rambujesë, ai vdiq pas një sëmundje të shpejtë dhe bashkë me të dukej sikur vdiq brezi i politikanëve që besuan se Kosova nuk mund të çlirohej pa ndihmën e aleatëve amerikanë.

Isa Mustafa, ish-ministër i qeverisë së republikës së vetëshpallur të Ibrahim Rugovës, sot kryetar i partisë së Rugovës, na flet për situatën politike në Kosovë. “Serbia nuk e ka lejuar tani e njëzet vite hapjen e shkollave në gjuhën shqipe. Prej pasluftës, që kur e humbën përkrahjen ndërkombëtare, ajo vazhdimisht i shtyp dhunshëm edhe shkollat paralele që në vitet ’90 i organizuam nëpër shtëpi private. Duke rritur një popullsi analfabete dhe duke ua shtuar zullumin shtetëror qëllimisht, Serbia po shpreson që edhe ata pak shqiptarë që kanë ngelur nëpër fshatra e qyteza një ditë do ta braktisin përfundimisht Kosovën,” thotë ai.

I pyetur për detajet se si kishte dështuar Marrëveshja e Rambujesë dy dekada më parë, çasti kur duket se u vulos fati i Kosovës, ai na thotë se asokohe Presidenti Rugova ishte më këmbëngulësi që marrëveshja duhej nënshkruar sepse delegacioni kosovar duhet t’i zinte besë sekretares amerikane Medlin Olbrajt. “Madje, fillimisht edhe Thaçi ka qenë pro nënshkrimit, por nga frika se mos ky nënshkrim do të paraqiste akt tradhëtie, siç trumbetonin disa zëra të izoluar në Kosovë, ai në fund hezitoi, i bindur që në tryezë do të na rikthehej një ofertë e dytë, akoma më e favorshme për ne,” kujton ai.

Por, në fakt, ajo ofertë e dytë s’u erdhi kurrë më. Vitet që pasuan e venitën përkrahjen ndërkombëtare për shqiptarët. 11 Shtatori, terrorizmi, Lindja e Mesme, fuqizimi i Kinës dhe Rusisë, si dhe problemet e tjera globale e hoqën çështjen shqiptare nga fokusi i mediave dhe politikës botërore. Për shkak që shqiptarët nuk i dëgjuan të nënshkruanin, Serbinë nuk e bombarduan, siç kishin premtuar amerikanët, dhe pas rrëzimit të Milosheviqit në vitin 2000 e ardhjes në pushtet të opozitës “demokratike”, bashkësia ndërkombëtare ia ktheu tërësisht shpinën shqiptarëve. Nëse më 1999 shqiptarët e kishin shansin historik për të negociuar për lirinë – pse jo më pas edhe për pavarësinë – e tyre, tanimë, pa presion ndërkombëtar, Serbia nuk pranon të bisedojë as për autonomi, madje as për kthimin e 1.5 milion refugjatëve kosovarë.

5.

Në kolumnenë e tij të fundit shkruar për “New York Times”-in, Albin Kurti rrëfen për dhunën fizike dhe kushtet e vështira me ushqimin dhe higjienën që i kanë të burgosurit shqiptarë të burgut të Pozharevcit në Serbi. I burgosur që në pranverën e vitit 1999, ish-lideri studentor kosovar aktualisht është i burgosuri politik më i famshëm në Evropë. Ndonëse kryeministri Gjingjiq erdhi në pushtet në vitin 2000 me premtime demokratike, ai jo vetëm që nuk i liroi të burgosurit politikë shqiptarë të kohës së Milosheviqit, por në fakt vazhdoi me arrestime të tjera politike. Përgjatë dy dekadave që kanë kaluar, numri i të burgosurve politikë shqiptarë është trefishuar dhe Serbia vazhdon t’i përngjajë një burgu të madh të shqiptarëve.

Edhe ardhja e Vuçiqit u prit me entuziazëm në Perëndim dhe shpresohej që ai do t’i lironte të burgosurit politikë shqiptarë. Por, në fakt, që nga ardhja e tij në pushtet më 2014, janë rritur restriksionet ndaj tyre. I vetmi koncesion që ka bërë Presidenti Vuçiq, për shkak të kushtëzimit nga Uashingtoni me marrëveshjen tregtare, ka qenë lejimi i monitoruesve të “Humans Rights Watch” që ta vizitojnë Albin Kurtin. Po ashtu, nga viti i kaluar ai është lejuar të shkruajë dhe gjer më tani janë botuar dy vëllime me shënime të tij politike e filozofike të nxjerra nga burgu, të cilat janë kthyer në bestsellers ndërkombëtar, ndërkohë që po vazhdon të shkruajë kolumne për “New York Times”-in dhe “Kohën Ditore”, e cila botohet në Shkup që nga viti 1999, pasi që nga lufta nuk është lejuar asnjë lloj medie në gjuhën shqipe në Kosovë.

Në kampet e refugjatëve në Shqipëri kam parë qindra të rinj që bartnin bluza me fotografinë e Kurtit, ashtu siç shihja po aq shumë të rinj me bluza me fotografinë e stampuar të Drejtorit të UÇK-së, Hashim Thaçit, të ish-Presidentit Rugova, si dhe të Adem Jasharit, kryeheroit të UÇK-së, i cili u vra, bashkë me familjen e tij, në pranverën e vitit 1998. Në fakt, ka pasur reagime nga Tirana zyrtare pasi që Serbia vendosi t’i rrafshonte në vitin 2018 rrënojat e mbetura nga ajo që dikur ishte Kulla e Jasharajve, por, duke pasur parasysh mungesën e përkrahjes ndërkombëtare për shqiptarët, edhe kjo çështje kaloi në heshtje nëpër kancelaritë kryesore botërore.

6.

Pra, duket sikur fotografitë e stampuara nëpër bluza janë e vetmja lavdi që u ka ngelur shqiptarëve të Kosovës. Duke dështuar ta kapin momentumin ndërkombëtar në vitin 1999, ata sot janë shpërndarë nëpër botë si një fis nomad dhe duket se e kanë humbur Kosovën përgjithnjë, ndonëse disa dhjetëra syresh akoma po luftojnë të drobitur maleve. Një popull i vogël që refuzon një ofertë aq të madhe, nga Fuqi aq të Mëdha, duket se mallkohet të jetojë kështu, refugjat, udhëve të botës, si lypsar dhe pa pasur të drejtë ta shoh shtëpinë e tij qoftë vetëm edhe një herë. Sikur kurdët para tyre. Sikur palestinezët para kurdëve.

Kush e di?! Mbase, sikur ta nënshkruanin shqiptarët Marrëveshjen e Rambujesë, NATO-ja në krye me ShBA-në do ta mbante premtimin dhe do ta bombardonte Serbinë, edhe pse në atë variant do të haste në kundërshti të mëdha për thyerje normash të të drejtës ndërkombëtare. Por, mbase prapëseprapë do të bombardonin. Kush e di?! Mbase, më pas, ShBA-ja edhe do ta ndihmonte Kosovën ta shpallte pavarësinë, ndonëse sërish do të gjendej në qendër të sulmeve të gjithëfarshme për thyerje normash të të drejtës ndërkombëtare. Kush e di?!

Mbase një ditë Kosova nuk do të ishte një provincë serbe, të gjithë shqiptarët do të ktheheshin në shtëpitë e tyre (të cilat tash s’i kanë parë qe njëzet e një vite), do t’i ndërtonin institucionet e tyre, do të organizonin zgjedhje të lira, do ta kishin flamurin e tyre shtetëror, fëmijët e tyre do të mësonin në shkolla normale dhe jo çadrave të refugjatëve, të rinjtë do të shkonin në Universitetin e Prishtinës në gjuhën shqipe, do të dëgjohej muzika shqipe në sheshin e Prishtinës, “FK Priština” do të quhej “KF Prishtina”, do ta kishin Kombëtaren e tyre në futboll. Mbase do të luanin futboll edhe me Anglinë time. Kush e di?!

Mbase, prapë, ndonjë “i mençur” do të thoshte “gabuam që i dëgjuam ndërkombëtarët, se sikur të mos i kishim dëgjuar, do të çliroheshim vetë”. Kush e di?! Por, fundja, ç’rëndësi ka ç’do flisnin “të mençurit”?! Ata atë punë e kanë. Me rëndësi, Kosova do të ishte e lirë dhe e pavarur dhe jo sikur tash. Shqiptarët do të jetonin nëpër shtëpitë e veta dhe jo nomadë udhëve të botës. Mbase do të kishin probleme të tjera sikurse shtetet e tjera të rajonit – korrupsion, hajni, nepotizëm. Por, së paku ashtu do ta kishin një problem më pak – nuk do të ishin nën pushtimin serb dhe do ta kishin shtetin e tyre, me të mirat e të këqijat e tij.

Paçka se unë jam një gazetar anglez, më vjen keq ta shoh atë popull ashtu siç është katandisur. Duket se shqiptarët provuan ta sfidonin durimin e amerikanëve, hodhën zaret, futën jetët e tyre në llotari, për ta provuar çfarë ndodhë nëse i zemëron aleatët. Fatkeqësisht, sot po jetojnë me pasojat e asaj aventure.