Federata e Basketbollit e Kosovës njoftoi sot se Basketball Champions League nëpërmjet FBK-së e ka ftuar skuadrën kampione të Kosovës, KB Golden Eagle Ylli, për të aplikuar për pjesëmarrje në raundin kualifikues të kësaj gare për edicionin 2022/23.
Gjithashtu u njoftua se klubi nga Suhareka e ka kompletuar dokumentacionin e kërkuar nga Basketball Champions League, të cilin nëpërmjet FBK-së e ka përcjell tek departamenti i garave të kësaj lige prestigjioze të basketbollit.
Pas kësaj, klubi i Yllit e ka paralajmëruar pjesëmarrjen në këtë garë. Faqja zyrtare e klubit e ka shpërndarë lajmin e FBK-së, teksa ka shkruar: “Një fillim i ri”, shkruan Gazeta Express.
Kujtojmë se pjesëmarrja e Yllit në Champions League do të jetë historike, pasi ky klub nuk ka garuar më herët në garat evropiane.
Pjesëmarrja në edicionin e rregullt të Basketball Champions League apo në raundet kualifikuese për çdo klub mbetet në kompetencat e Bordit të kësaj lige, i cili do të konfirmojë listën përfundimtare të klubeve pjesëmarrëse deri të premten më 24 qershor 2022.
Kujtojmë se KB Golden Eagle Ylli është shpallur kampion i Kosovës për edicionin 2021/22 duke triumfuar në serinë finale të playf-off-it në Art Motion Superligë 3:1 ndaj Trepçës. /Gazeta Express/