string(41) "nje-beze-e-bardhe-te-tallesh-te-te-tallin"

Arte

Donjeta Abazi

17/05/2025 16:45

Një beze e bardhë – të tallesh të të tallin

Arte

Donjeta Abazi

17/05/2025 16:45

Mbrëmë në Teatrin Kombëtar të Kosovës u dha premiera e shfaqjës “Art”, e autores Yasmina Reza, me regji të Bashkim Ramadanit

Pas një pauze të gjatë dhe problemeve që pati TKK-ja, përfshirë grevën që zgjati disa muaj, mbrëmë në Pallatin e Rinisë patëm mundësinë ta shohim një premierë teatrore.

Satirë e komedi e domosdoshme

Shfaqja “Art” që na erdhi e përshtatur mbrëmë në TKK, pos emrave të aktorëve, gjithçka tjetër ishte e njohur, e parë, e dëgjuar për ne. Ani pse në kërkim të diçkaje të tillë publiku ishte për një kohë të gjatë, veç mbrëmë erdhi e përmbledhur ashtu siç kërkohej. Përtej që publikut të Teatrit i mungonte një komedi e pastër për kaq kohë, skenës artistike i mungonte dikush që satirizon me këtë lloj tematike, një mungesë e tillë kam përshtypjen është vërejtur gjithmonë. Një thumbim mbi ‘artin bashkëkohor’, ose atë që sot përmendet shpesh ‘artin konceptual’, kërkohej goxha gjatë. Tre aktorët e shfaqjes do ta bartin topin tek njëri-tjetri për të përmbushur çdo cep të shfaqjes që nuk pati nevojë për ta përmbushur sepse s’kishte vend. Nga fillimi në fund shfaqja ishte komedi e pastër me disa interferime krejt të shkurtra aty-këtu që nëse i shohim nga spektri i gjerë nganjëherë duken krejt inekzistente.

Arti si fushë, piktura si njëri nga mediumet e artit dhe vetë artisti modern si krijues u vunë në skenë në plotë dimensione. Te tre rolet kishin tre përfaqësime, përfaqësonin tre artistë prej të cilëve asnjëri s’del fitues, përkundrazi sido që shkojnë gjërat, të gjithë janë humbës. Dy kuptimesia që u jetësua në tre aktorët është një lloj tragji-komedie në vete, qoftë artisti si përfaqësues i rrymave që masa i llogarit idilike, qoftë artisti që megjithëse nuk depërton tregun e masën i pakënaqur është edhe me veten e deri tek artisti që veç artin nuk e ka profesion.

Nëse depërtojmë në tekst

Artisti bashkëkohor modern i personifikuar nga Ylber Bardhi, përfaqëson masën, atë që sot e hasim më të madhe në çdo fushë artistike. Duket sikur çdo ngecje sot, çdo krizë, çdo mungesë kreativiteti arsyetohet me atë që i takon rrymës së re artistike, madje nëse nuk komenton dhe ndjen diçka të tillë nëse nuk elaboron (diçka për të cilën as vet nuk je i sigurt) llogaritësh pa njohuri, pa njohuri mbi evoluimin e artit.

Prandaj nëse lexojmë brenda komedisë nuk gjejmë gjithçka komike, përkundrazi gjejmë shumë detaje që duhet marrë e trajtuar seriozisht. Nëse veç fillojmë nga krejt tematika e shfaqjes që mbështet mbi një pikturë të bardhë, pa asnjë vizë, pa asnjë ngjyrë, pa asnjë figurë, e kuptojmë që po behet fjalë për një satirizim ndaj një fushe të caktuar, atë të artit pamor. A është hiperbolizuar me detajet dhe komplet tematiken, padyshim që po, çdo komedi për të qenë më efektive hiperbolën e ka element të pandashëm.

Pse merret si e domosdoshme një komedi e tillë, në një kohë të tillë është pikërisht kjo që rryma të tilla, që po mirëmbahen nga një kategori e caktuar njerëzish, nuk duhet të kaloj kaq lehtë, e pakta që mund të behet është të ngec neper ‘pengesa’ të tilla. Jo veç në fushën e artit pamor, jo veç në teatër, jo veç në letërsi, në secilën fushë të mundshme artistike, kohë të gjatë është ngjizur një fenomen që ka ngjitur fjalën ‘modern’ si bastun për t’u mbajtur, një fenomen që pos servimit të diçkaje shumicën e kohës të pa përmbushur artistikisht, le nen hije edhe plotë krijime e artistë të një mendtë.

Shfaqja “Art” u gjend shumë autentike në skenë, për shkak të tre aktorëve të cilëve nuk u nevojitet sforcim për role të tilla. U bë e dashur për publikun dhe e afërt për shkak të gjuhës origjinale që u përdor, dhe të lirshmërisë së aktorëve në rolet e tyre.

Një tjetër element i rëndësishëm është padyshim vendosja në skenë e tematikave vetanake, përfshirë këtu egon, smirën, e shoqërinë. Tematika këto që e përmbushin edhe më shfaqjen për shkak të lirshmërisë së aktorëve për ta sjellë tek publiku.

Pas ‘Club Albania’ nuk erdhi një prodhim i tillë në TKK, pati një mungesë të vërejtshme të shfaqjeve të kësaj natyre në teatër.

Në rrafshinë më të gjerë, në një tjetër këndvështrim, teksti i shfaqjes mund të vihet në skenë duke mos pasur si temë bosht një pikturë të bardhë, një tekst i tillë shkon përshtati dhe me të drejt edhe për plotë forma tjera arti, edhe në vendin tonë.

Duke u mbështetur mbi mendimin se arti nuk njeh kufij, lehtësisht kjo pjesë satirike mund të luhet në cilëndo skenë teatrore.

“Art” është shfaqje e duhur për një kohë si tonën, për një temë të tillë, pas kaq shumë kohësh.

Datat e reprizave:

17 dhe 18 maj – Teatri Kombëtar i Kosovës

19 maj – Teatri i Gjilanit

21 maj – Teatri “Bekim Fehmiu”, Prizren

30 dhe 31 maj – Teatri Kombëtar i Kosovës

Autore: Yasmina Reza

Regjia: Bashkim Ramadani

Aktorë: Ard Islami, Ylber Bardhi, Butrint Lumi

/Gazeta Express