Përtej garës për kryetarë bashkish, zgjedhjet lokale të 14 majit në Shqipëri janë një betejë për fatin e Sali Berishës dhe të Partisë Demokratike.
Imer Mushkolaj
Të dielën shqiptarët do të mësyjnë kutitë e votimit për t’i zgjedhur liderët e tyre lokalë. Pas një katërvjeçari të qeverisur nga socialistët gjithandej Shqipërisë, për shkak se zgjedhjet e vitit 2019 u bojkotuan nga Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, të dielën partitë opozitare synojnë të kthejnë një pjesë të pushtetit lokal. Vendimi idiot për bojkotim i ka dëmtuar shumë vitet e fundit.
Por, përtej betejës lokale, dita e 14 majit shënon edhe një betejë për Sali Berishën dhe Partinë Demokratike. E ndarë në dysh, PD më nuk është ajo e vjetra. Pjesa e partisë që i shkon mbrapa Berishës është bashkuar me Partinë e Lirisë së Ilir Metës. Pjesa tjetër garon e vetme. Pra, Berisha e Meta garojnë bashkë kundër Edi Ramës, në kohën kur Rama po bën dhjetë vjet në pushtet dhe kur opozita është më e përçarë se asnjëherë.
Pra, PD nuk ia ka dalë të bashkohet – për fajin e Sali Berishës, i cili ka gjetur tash aleat ish-rivalin të cilin e ka sulmuar vazhdimisht dhe për të cilin s’ka lënë pa thënë gjë të zezë.
Ata që e kanë përcjellë fushatën parazgjedhore në Shqipëri kanë fituar përshtypjen se bëhet fjalë për zgjedhje nacionale, e jo lokale. Përtej alternativave për zgjidhjen e problemeve të qytetarëve, liderët partiakë kryesisht janë fokusuar në një betejë nacionale, në përpjekje për të sulmuar sa më shumë njëri-tjetrin.
Natyrshëm, beteja kryesore zhvillohet në Tiranë, paçka se sondazhet e nxjerrin si fitues, për herë të tretë, Erion Veliajn e Partisë Socialiste. Sfiduesi i tij Belind Këlliçi, që përfaqëson koalicionin opozitar “Bashkë fitojmë”, është përpjekur të bëjë një fushatë lokale, madje duke iu shmangur identifikimit me binomin Berisha-Meta. Por, si rëndom, Berisha është ai që dominon fushatën, duke e parë atë si rastin e fundit për t’u rikthyer më seriozisht në skenë politike, tash edhe me damkën e personit “non grata” nga amerikanët.
Partia Socialiste kërkon votën me sloganin “Vetëm përpara – Kurrë më mbrapa”. Ndërkohë, një huqje monumentale ka ndodhur në fushatën e Këlliçit, pasi që publikoi një poster me fotografinë e tij duke pozuar me duart e ngritura, duke treguar gishtin e mesit. Posteri shkakoi reagime të shumta negative, e vetë kandidati u përpoq të sqaronte se gishti i mesit ishte për ata që keqpërdorin fondet publike të shtetit.
Përveç Tiranës, vëmendja është përqendruar edhe në Durrës dhe Elbasan. Sondazhet e nxjerrin PS’në fituese në shumicën e bashkive, përjashto ato të veriut në të cilat pritet të fitojnë kandidatët e “Bashkë fitojmë”.
* * *
Tri dekada pas rënies së komunizmit, Sali Berisha vazhdon të jetë opsion për qytetarët në Shqipëri. Fatkeqësisht. PD’në , dikur pishtare të demokracisë, ai e ka shndërruar në një subjekt të përçarë, të cilën “e ka marrë peng” bashkë me Metën.
E diela është beteja e fundit për të. Beteja që do të tregojë nëse ai do të vazhdojë ta shkatërrojë edhe më shumë partinë, me qëllimin e vetëm që ta shpëtojë veten politikisht. Në një situatë kur Edi Rama ka instaluar një pushtet gjysmautoritar dhe vazhdon të qeveris në mandatin e tretë, është fatkeqësi që alternativë qytetarëve iu ofrohet Sali Berisha. Përtej meritave që i ka gjatë qeverisjeve të kaluara dhe përgjegjësive për ditët e zeza të Shqipërisë, si piramidat, ’97-ta, Gërdeci e vrasjet në bulevard, ai s’mund të ofrojë më asgjë. Në skenën politike shqiptare, ai s’është gjëtjetër veçse përçarës që me çdo kusht kërkon ta kthejë shkëlqimin e dikurshëm prej politikani që rrezaton shpresë. Por, ajo kohë ka kaluar. Këtë e di mirë edhe vetë Berisha, por vazhdon të funksionojë sipas shprehjes “kap çka të mundësh”.
Sa për Tiranën, kryeqyteti shqiptar ka ndryshuar shumë gjatë tetë viteve të kaluara dhe as që mund të krahasohet me qytetin e qeverisur dikur, shumë moti, nga PD. Nuk mund të krahasohet as me qeverisjen në kohën e “aksidentit” Luzlim Basha. Përtej akuzave e kundërakuzave për korrupsion e degradim, Tirana ka shënuar zhvillim të vazhdueshëm. Një mandat i ri për Veliajn dhe PS’në është i sigurt. Sali Berisha, përnjemend, është e shkuara.