Një “armik” si diaspora - Gazeta Express
string(21) "nje-armik-si-diaspora"

OP/ED

Gazeta Express

15/02/2021 11:23

Një “armik” si diaspora

OP/ED

Gazeta Express

15/02/2021 11:23

Nuk ka poshtërsi më të madhe sesa t’i duash milionat që sjell diaspora në Kosovë, por t’ua vështirësosh jetën çdo palë zgjedhje. Është çmenduri që diasporën ta shohësh si armik, e jo si pjesë të shtetndërtimit. Ata nuk kanë faj për stërkeqjen e politikës dhe pushtetit.

Imer Mushkolaj

Lexo Edhe:

Vetëm tri ditë para zgjedhjeve të 14 shkurtit Qeverisë së Kosovës “i ra ndërmend” që t’i lehtësojë masat antiCovid – krejt kjo në kohën kur një pjesë e madhe e Europës është duke i ashpërsuar ato. Vetëm tri ditë para zgjedhjeve, fare pa konsultuar ekspertë të fushës, qeveria vendosi që t’i lirojë masat brenda vendit, ndërkohë që vazhdon t’i mbajë në fuqi testin dhe masën e vetizolimit për ata që vijnë në Kosovë. Në këtë rast është e qartë se në shënjestër janë kosovarët që jetojnë në Perëndim, e që janë nisur drejt Kosovës për të votuar në zgjedhjet e 14 shkurtit. Pra, është një përpjekje për të penguar sadopak mijëra vetë që kanë zgjedhur të marrin pjesë në zgjedhje. Sigurisht, kjo nuk është e rastësishme. Ka kohë që diaspora është identifikuar si një “armik” i rrezikshëm.

Në tetor të vitti 2019, kryetari i LDK’së, Isa Mustafa, ankohej se fituesi i zgjedhjeve në Kosovë po përcaktohej nga qytetarët në diasporë. “Do të ishte më e drejtë dhe e udhës që fituesin ta përcaktojnë qytetarët që jetojnë në Kosovë”, pati deklaruar ai.

Këto fjalë po dilnin nga goja e njeriut që për gati një dekadë kishte mbledhur nga mërgimtarët qindra milionë marka gjermane e franga zviceranë në Fondin e Trepërqindëshit, ndërkohë që ende nuk ka dhënë kurrfarë llogarie në institucionet përkatëse se çfarë ka ndodhur me ato para. Këto fjalë po i thoshte njeriu që ka parë nga afër kontributin e atyre që nuk po kërkojnë gjë tjetër, vetëm të mos iu krijohen pengesa që të votojnë lirshëm.

Qytetarët shtetas të Kosovës që jetojnë jashtë gëzojnë të drejta kushtetuese që të marrin pjesë në zgjedhje sikurse çdo qytetar tjetër që jeton në Kosovë. Shumica prej tyre kanë familjet në Kosovë.

Ndër vite, kosovarët jashtë e kanë pasur jashtëzakonisht të vështirë që të votojnë në zgjedhjet e organizuara në Kosovë. Atyre iu është mundësuar votimi vetëm nëpërmjet postës, ndërkohë që nuk është bërë asnjë përpjekje që t’iu mundësohet që këtë të drejtë ta shfrytëzojnë nëpër ambasada e konsulata ose në ndonjë formë tjetër më të lehtë e më pak të kushtueshme. Ndër vite, ata janë anatemuar e ka pasur përpjekje që të pengohen që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre.

* * *

Ende janë të freskëta zgjedhjet e kaluara nacionale kur bëhej një lojë e ligë me një pjesë të votave të diasporës, në përpjekje për të favorizuar një subjekt të caktuar politik. Secilit mund t’i kujtohet se si bashkatdhetarët shiheshin si fajtorë nga parti të caktuara në Kosovë pse kishin zgjedhur në masë të madhe të votojnë partinë rivale të tyre. Saga e tyre nuk mori fund as në këto zgjedhje.

Pasi vendosi për verifikimin e secilit kosovar jashtë, që regjistrohet për të votuar, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ia doli do ta bëjë një gjë të tillë për të gjithë, ndërkohë që atyre nuk iu mbeti kohë e mjaftueshme në dispozicion për të dërguar votat e tyre me postë. Kjo bëhej edhe më e vështirë për shkak të situatës me pandeminë. Sidoqoftë, një numër i madh i bashkatdhetarëve kanë zgjedhur të vijnë për të votuar në Kosovë, pavarësisht shpenzimeve dhe masava të ndërmarra nga qeveria të enjten.

Një qeveri normale, një vend normal, një shoqëri normale diasporën do të duhej ta konsideronte të rëndësishme, do të duhej ta konsideronte vlerë dhe t’ia mundësonte pjesëmarrjen në të gjitha proceset. Ose, në një situatë tjetër, ta përjashtonte me ligj nga gjithçka që atë e lidh me Kosovën.

Nuk është fer, madje është poshtërsi që t’i duash paratë që sjell diaspora në Kosovë, por të mos u sigurosh kushte të nevojshme që ata të votojnë lehtë e lirshëm. Është idiotizëm t’i lëvdosh për paratë që sjellin e investimet që bëjnë në Kosovë, por kur vjen puna për vota, të përpiqesh me çdo kusht që t’ua vështirësosh jetën. Është çmenduri që diasporën ta shohësh si armik, e jo si pjesë të shtetndërtimit.

* * *

Do të dalë i humbur kushdo që përpiqet t’i pengojë qytetarët e Kosovës që të shprehin vullnetin e tyre politik në zgjedhje. Një të drejtë kushteteuse nuk mundet t’ia marrë kërkush kërkujt. Me të tilla përpjekje vetëm sa shtohet mllefi ndaj atyre që mbajnë pushtet e thonë se po ndërtojnë shtet. Shteti ndërtohet me të gjithë dhe për të gjithë qytetarët, pavarësisht bindjeve politike, përkatësisë partiake ose vullnetit të shprehur në zgjedhje. Nuk ka faj diaspora për stërkeqjen e politikës dhe pushtetit. Tekefundit nuk e ka mësuar kënd të keqqeveris, por ka ndihmuar sa ka mundur.