Një analizë e ngërçit aktual politik dhe kushtetues - Gazeta Express
string(51) "nje-analize-e-ngercit-aktual-politik-dhe-kushtetues"

Gazeta Express

25/05/2020 14:08

Një analizë e ngërçit aktual politik dhe kushtetues

Gazeta Express

25/05/2020 14:08

Shkruan: Shkëlzen Maliqi

1. Insistimi i LVV-së se Neni 84. pika 2 i Kushtetutës së Kosovës është Neni i vetëm përcaktues se si do të duhej të vepronte Presidenti i Kosovës pas aprovimit të mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti, është qëndrim i karakterit keqinterpretues dhe i gabueshëm. Ky Nen nuk e detyron Presidentin që vendin ta çoj në zgjedhje, siç e thotë Albin Kurti dhe intepretuesit e tjerë të zhurmshëm. Përkundrazi, edhe nëse roli i Presidentit do të ishte vërtet si i një noteri – siç e kualifikoi Kurti – leximi i saktë, edhe i variantit shqip dhe atij në anglisht të tekstit të Kushtetutë të le të kuptosh se Neni 82 pika 2 e konfirmon të drejtën e diskrecionit Presidentit që të vendos pro ose kundër shpërbërjes së Kuvendit dhe, si konsekuencë, pro ose kundër shpalljes së zgjedhjeve

Lexo Edhe:

2. Neni 82 pika 2 është pjesë e listimit të disa rasteve që kërkojnë ose mundësojnë shpërndarjen e Kuvendit, ku përfshihet edhe situate e votimit të suksesshëm të mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë. Formulimi është modal jo urdhërues: “Kuvendi mund të shpërndahet nga Presidenti i Republikës së Kosovës, pas votimit të suksesshëm të mosbesimit të Qeverisë.” Pra e thotë mund dhe jo duhet ose, për rastin e dytë nëse do të mendohej se ço në shperndarje, do të thuhej pa ekuivoke “… pas votimit të suksesshëm të mosbesimit të Qeverisë… Kuvendi shkarkohet nga Presidenti…”

E drejta e diskrecionit dhe vendimarrjeve pro-aktive nënkuptohet edhe në nenet e kushtetutës që përshkruajnë vendin dhe roline Presidentit në sistemin tone parlamentar.  Kushtetuta e thotë dy herë, në Nenin 4 pika 3 dhe në Nenin 84 pika 2 se Presidenti është “garantues i funksionimit demokratik të institucioneve të Republikës së Kosovës”.

3. Roli i garantit nuk mund të realizohet pa angazhimin e Presidentit në përcjelljen, vlerësimin dhe, kur ka arsye, ndërhyrjen në zhillimet politike që pengojnë “funksionimin demokratik të institucioneve”.

Në rastin konkret pas mocionit të mosbesimit që e shkarkojë Qeverinë Kurti, ku ajo vepron si Qeveri në detyrë me kompetenca të kufizuara, Presidenti doemos duhet ta ketë rolin aktiv, sikundër që rol inaktiv e ka edhe Kuvendi i Kosovës me kompetencat e tij të patjetërsueshme në çdo vendimmarrje rreth krijimit dhe shkarkimit të Qeverisë.

4.Presidenti dhe Kuvendi nuk mund të anashkalohen ose të veprojë nën komandën e Qeverisë, por duhet të ndodhë e kundërta. Qeveria në detyrë i nënshtrohet procedurës së vlerësimit që e ka në dorë Presidenti (garantuesi është në një funksionn të dorëzanit nga e drejta tradicionale kanunore; e përmendi këtë për qartësi semantike), kurse verdiktin e fundit për vendimet e Presidentit e jep Kuvendi, pasi që e voton çdo vendim kyç rreth Qeverisë.

5. Procedura obliguese për diskrecionin e vendimmarrjes së Presidentit se a mundet apo jo ta shpërndaj Kuvendin, është konsulta e tij me të gjitha partite që e përbejnë Kuvendin. Në disa vende kjo konsultë bëhet në mbledhjen plenare të Kuvendit ku merret vendimi për mocionin e mosbesimit, dhe njëkohësisht shqyrtohet dhe votohet edhe propozimi e një qeverie alternative. Në rast se kjo qeveri alternative nuk e siguron shumicën, Presidenti me automatizëm e dekreton shpërbërjen e Kuvendit dhe shpall zgjedhjet e parakohshme.

Kushtetuta e Kosovës e ndanë këtë proces në dy hapa; mocioni i mosbesimit e shkarkon Qeverinë, por ajo mbetet në detyrë kujdestarie deri në zgjedhjen e qeverisë pasuese. Pason me urgjencë procedimi i kërkimi të nje qeverie tjetër legjitime. Për shkak të shpërthimit të pandemisë Kovid 19, urgjenca ka qenë relativisht e suspenduar, por jo edhe e shtyer pa kufi.

6. Procedimi i detyryeshëm kërkon nga Presidenti që Qeverinë në detyrë që i ka kompetencat e kufizuara, ta zëvendësojë me një qeveri me kompetenca të plota, tërësisht funkcionale. Për këtë a ii drejtohet Kuvendit që është funksi onal dhe partive politike që e përbëjnë Kuvendin. Presidentit i takon roli kyç i ndërmjetësuesit në këtë proces; ai i konstaton dhe vlerëson disponimet dhe raportin e forcave për të gjetur dhe propozuar një mandatar të ri që mund ta krijojë qeverinë, ose konstaton se Kuvendi me shumicë përcaktohet për zgjedhje të reja.

7. Zhvillimet në Kosovë pas aprovimit të mocionit të mosbesimit më 25 mars, pasqyrojnë situatën e alternatives: 1) propozimin për zgjedhjen e Qeverisë së re; 2) shpërbërja e Kuvendit dhe dekretimi i zgjedhjeve të reja.

Detyra imediate e Presidentit është që ta mundësoj sa më parë krijimin e një qeverie plotësisht funksionale që do ta zëvendësojë Qeverinë e shkarkuar, me opcionet: Qeveri e re e legjislaturës aktual4, ose Qeveri e re pas zgjedhjeve të reja të parakohshme.

9. Në sfondin e kësaj situate imponohet edhe nevoja e afirmimit të rolit primar të Kuvendit të Kosovës si institucioni që e mundëson daljen nga ngërçi aktual.

Për dallim nga Qeveria Kurti që është e cunguar dhe me kompetenca të kufizuara, Kuvendi i legjislaturë së 6 tetorit 2019 është institucion plotësisht funksional me 120 deputet që e kanë mandatin katëvjeçar.  Si instuticion Kuvendi nuk vuan nga asnjë formë e disfunksionalitetit që do ta bllokonte tërësinë e sistemit, dhe që e kushtëzojnë shpërbërjen e tij. Kuvendi që e ka legjitimitetin zgjedhor shpërbëhet me vetëdeklarim ose kur nuk mund ta zgjedh një qeveri funksionale. Aktualisht, sistemi palamentar është idërmuar me mocionin ndaj Qeverisë, por Kuvendi kërkon në përbërjen e tij një qeveri tjetër potenciale. Vetë nëse nuk e gjen këtë alternativë, detyrohet që të shperbëhet.

10. Presidenti aktual që e ka mandatin deri në vitin 2021 dhe Kuvendi të cilit mandati i skadon në vitin 2024, i kanë kompetencat dhe mundësinë për riparimin e mandatit të Qeverisë, si institucioni vital të pushtetit ekzekutiv. Kuptohet, pas moconit nuk mund të rikthehet koalicioni i shkarkuar i tillë çfarë ka qenë, por Presidenti obligohet që konsultat për ribërjen e Qeverisë t’i fillojë me partinë fituese të zgjedhjeve të 6 tetorit, si dhe me partitë tjera parlamentare, për të pare se çfarë duan partitë dhe deputetët, a janë për zgjedhje të reja, apo kanë mundësi ta bëjnë një qeveri të re.

10. Presidenti është mates i disponimit dhe pulsit të Kuvendit për të gjetur një përgjigjje paraprake për atë që e udhëzon Neni 82 në pikat 1 dhe 2 të Kushtetutës: “Nëse për shpërndarjen e Kuvendit votojnë dy të tretat e të gjithë deputetëve, shpërndarja bëhet me dekret të Presidentit” (Neni 82.1); por Presidenti e kan në diskrecion vendimin nëse duhet ta dekretojë shpërbërjen pas nocionit të mosbesimit: “Kuvendi mund të shpërndahet nga Presidenti i Republikës së Kosovës, pas votimit të suksesshëm të mosbesimit të Qeverisë.” (Neni 82.2)

Pra, pas aprovimit të mocionit që e shkarkon Qeverinë, siç e kemi tani rastin, Presidenti konsultohet me të gjitha partitë që e përbëjnë Kuvendin, për të parë a janë për shkarkimin e Kuvendit dhe përzgjedhje, apo e preferojnë hapjen e procedurës për mandatimin e një kryeministri dhe qeverie të re.

11.Presidenti Thaçi, në korrektësi me Kushtetutën, i ka bërë konsultat dhe dëgjuar përgjigjet e partive për të kuptar se të gjitha, pos LVV, janë kundër shpërbërjes së Kuvendit. Qëndrimi i LVV-së nuk ka qenë sekret, ky subjekt është deklaruar edhe publikisht se për te i vetmi opcion është shpërbërjen e legjislaturës aktuale të Kuvendit dhe shpallja e zgjedhjeve të parakohshme.

Ndërkaq, nuk ka qenë sekret as qëndrimi i partive të tjera, se nuk janë për zgjedhje, pos PDK-së e cila, së voni, i ka kërkuar zgjedhjet. Nuk dime se çfarë ka qenë qëndrimi i PDK-së gjatë konsultave me Presidentin, ndoshta kanë qenëë ende të pavendosur. Sidoqoftë, shumica e partive, sipas Presidentit, ka qenë për kërkimin e një qeverie te re dhe kundër zgjedhjeve.

Në këtë procedim që e ka ndjekur Presidenti nuk ka asgjë kundërkushtetuese e aq më pak puçiste, siç e vlerësonte LVV_ja.

12. Presidenti Thaçi ka qenë në të drejtën e tij që të vendos me kujdesin e respektimit të vullnetit të shumicës së partive dhe deputetëve të tyre në Kuvend, që edhe duhet të deklarohen individualisht, se preferojnë krijimin sa më pare të një qeverie të re funkcionale, pa shkuar në zgjedhje.

13. Megjithatë, ky procedim për rinovimin e Qeverisë shkaktoi mospajtime të mëdha dhe interpretime kontradiktore të Kushtëtutës.

Sipas Nenit 95 të Kushtetutës, si dhe të një vendimi të Gjykatës Kushtetuese e vitit 2014 rreth situatës të ngjashme, ndonëse jo edhe identike me këtë që e kemi sot, është afirmuar e drejta që subjekti fitues i zgjedhjeve, duhet patjetër ta ketë përparësinë e propozimit të kandidit për kryeministër jo vetëm në tentimin e parë pas zgjedhjeve, por herën e dytë në situatat kur vendi mbetet pa kryeministër, qoftë nëse herën e parë nuk e voton Kuvendi, qoftë nëse ai jep dorëheqje, shkarkohet ose për arsyet tjera nuk mund ta ushtroj më detyrën.

14. Presidenti Thaçi, pas shkarkimit të Kryeministrit Kurti, e ka respektuar udhëzimin e të drejtës që LVV-ja, si parti fituese e zgjedhjeve të 6 tetorit, ta dergojë sërish emrin e kandidatit për Kryeministër, për të provuar edhe një here krjimin e një koalicioni qeverisës.

Por, tek kjo është paraqitur një problemi sepse LVV-ja, përkatësisht kryetari i saj Albin Kurti, gjatë korespodencës me Presidentin për rimandatim të LVV-së, kur ai ia  kërkonte emrin e kandidatit për kryeministër, nuk pranonte që t’i përgjigjet kërkesës, duke u thirrur në një mangësi që e ka Kushtetuta, ku nuk figuron fare afati për dërgimin e emrit të kandidatit për kryeministër.

15. Në të vërtetë, Albin Kurti kërkon zgjedhje të reja, dhe jo mandat të ri për LVV, edhe pse madje ka mundur sërish ta rikandidonte veten. Kurti dhe LVV mendonin se Kushtetuta është në favor të tyre, pasi që nuk i obligon me afat të deklarimit. Mirëpo, ky qëndrim bjen ndesh me një pasojë tjetër, se aprovimin e këtij interpretimi, kërkon shkarkimin paraprak të Kuvendit të Kosovës, pra djegjen e mandateve valide të deputetëve të zgjedhur më 6 tetori 2019.

16. Presidenti, pas konsultave me partitë, mësoi se disponimi i shumicës së Kuvendit nuk është për shpalljen e zgjedhjeve që nënkuptonte vetëshpërbërjen e Kuvendit. Andaj ai ia dërgoi 5 letra Albin Kurtit ku me ngulm kërkonte caktimin e mandatarit për Kryeministër dhe pas 20 ditësh, kur u bind se LVV-ja nuk do ta dërgoj emrin duke kërkuar zgjedhjet, ose edhe sepse nuk e shihte mundësinë për krijim të një koalicion të ri.

Presidenti atëherë erdhi deri te përfundimi se mundësia e dytë e krijimit të qeverisë së udhëhequr nga LVV-ja është shterrur dhe vendosi që mandatimin t’ia ofrojë LDK-së, si partisë që ka qenë e dyta për nga votat dhe me ulëse në Kuvend.

Ldk-ja pas dita ditësh dërgoj emrin e mandatarit me dëshminë se e ka mbështetjen e shumcës së kërkuar të deputetëve për të krijuar koalicion të ri dhe Qeveri funksionale. Pa vonesë Presidenti e dekretoi Avdulah Hotin si kandidat për Kryeministër dhe Kuvendi edhe do ta votonte atë në sencën e radhës së Kuvendit, nëse LVV-ja nuk do ta dërgonte ankesën ne Gjykatën Kushtetuese, ku kërkonte pezullimin e dekretit dhe vlerësimin e kushtetutshmërisë së keëtë procedimi të Presidentit.

17. Mendimi im për procesin e dekretimit të Avdullah Hotit është se proceduralisht gjithçka ka qenë në rregull në hapat esencial që i ka ndërmarrë Presidenti: 1) Ai i ka konsultuar partite parlamentare dhe ka konstatuar se shumica dërmuese është kundër zgjedhjeve të reja. 2) E ka ftuar disa here LVV-në që të propozojë kandidatin për kryeministër. 3) Pasi që nuk morri përgjigje në një afat që e konsideroi të arsyeshëm, Presidenti ia kaloi ftesën subjektit tjetër, LDK-së dhe ky u përgjigj pozitivisht.

18. I vetmi moment kontestues në këtë ecuri që parashihet me Kushtetutën ka qenë mungesa në Kushtetutë e afatit për përgjigjje nga partia e pare. Ështe e arsyshme të supozohet se kjo mangësi gjatë hartimit të Kushtetutës nuk ka qenë me ndonjë qëllim që aludon LVV-ja, por ka mbetur si lëshim rastësor. LVV-ja ndërkaq, insistonte se Kushtetuta i jep kohë të papërcaktur për vonesa dhe mospërgjigjje ftesave të Presidentit. Kjo taktikë ishte e favorshme për LVV-në sepse Kryeministrin e shkarkuar Albin Kurti dhe qeverinë e tij të cunguar e lënte në detyrë dhe pushtet, ndërkaq që Presidenti edhe nuk e ka mundësinë që të procedojë me atë alternativë që e kërkonte LVV-ja, që t’i shpallj zgjedhjet e parakohshme, për çka parakusht është qenë shpërbërja e Kuvendit. U krijua një rreth vicoz që bllokonte procesin.

19. Besoj se ka ekzistuar një hap i ndërmjetëm për thuerjen e bllokadës artificiale. Presidenti e ka pas mundësinë që të kërkojë mbajyjen e mbledhjes së Kuvendit ku deputetët do të deklaroheshin nëse janë për zgjedhje të reja dhe vetëshkarkim, në mënyrë që tëje bëjë transparent se ërcilin opcion është Kuvendi. Megjitahtë, nuk munt ë mohohet e drejta e diskrecionit të Presidentit, sepse edhe me procedimin e tij vendimarja finale i dërgohet Kuvendit, ku sërish do të bëhet transparent qënderimi i shumicës. Ky qëndrim afrimon dhe përmbush rolin e patjetërsueshëm kushtetues të Kuvendit të Kosovës në krijimin dhe në shpërbërjen e Qeverisë.

20. Presidenti në parim e ka pas të drejtë të kërkojë përgjgijen e LVV-së në një afati që ai e pa të aryeshëm, sikundër qe e vlerësoj në diskrecion se mospërgjigja dhe vonesa e LVV-së nuk bëhet për shkaqe objektive dhe të arsyeshme, por është një akt i vullnetshëm obstruktiv që çon drejt destabilizimit të funksionalitetit të institucioneve të shtetit, për mbrojtjen e të cilit funksionalitet Kushtetuta e mandaton taksativisht Presidsentin.

21. Pra, ta rikapituloj, fakt është se LVV-ja nuk u privua nga përparësia e rikandidimit për kryeministër dhe iu dha mundësa e bërjes së koalicionit të ri me çdo subjekt të Kuvendit, ashtu siç e bëri herën e parë me LDK-në, por që qeverisja e tyre zgjati vetëm 50 ditë.

22. Mospërgjigjja ftesës së Presidentit për mandat të përsëritur, edhe pse Kushtetuta nuk e përcakton afatin, megjithatë është akti i manipulimit dhe i shmangjes së përgjegjësisë, me çka në të vërtetë maskohet pamundësinë e LVV-së që ta bëjë një koalicion të ri. Kuvendi me 2/3 e kishte votuar mocionin e mosbesimit dhe LVV-ja s’kishte gjasa t’i gjej partnerë të tjerë për ta bërë sërish qeverinë.

23. Nga ana tjetër, Kuvendi i dal nga zgjdhjet e 6 tetorit të vitit 2019, na pëlqeu apo jo përbërja e tij, e ka legjitimitetin dhe kapacitetin e plotë të vendimmarrjes dhe nuk mund të privohet nga e drejta që të kërkojë edhe një tjetër formulë të qeveris, për çka edhe e autorizon Kushtetuta. Kuvendi është autoriteti kryesor i vendit dhe i pushteteve, institucion me mandat të plotë, madje edhe punëdhënës sovran edhe për Qeverinë edhe për Presidentin, pasi që ata zgjedhen nga Kuvendi dhe atij i japing përgjegjësi, dhe nuk ndodh e kundërta, që Kuvendi të mvaret nga Presidenti apo Qeveria.

24. Akuzat se Presidenti Thaçi me nominimin e kandidatit të partisë së dytë për nga votat në zgjedhjet e 6 tetorit, ka bërë “amandamentim” të paligjshëm të Kushtetutës, nuk kanë kuptim. Është e vërtetë se nominimi proceduralisht s’ka mbështetje taksative në tekstin e Kushtetutës, por nuk mund të mohohet se është një verdikt në harmoni me frymën e Kushtetutës dhe të sistemit parlamentar që e ka Kosova.

25. Presidenti e ka te drejtën e diskrecionit rrëth vendimit për shpërbërjen e Kuvendit dhe shpalljes së zgjedhjeve, dhe kjo e drejtë për nga pesha është më e rendësishme se vendimi që pas 20 ditësh të pritjes së përgjigjes nga LVV, të shpallet dekreti për nominim të Abdullah Hotit. Ky “arbitraritet” i Presidentit, mund të kontestohet, por është i kuptueshëm dhe i arsyetueshëm në intencën e tij që të rikthehet në funksion të plotë vendimarrja e Kuvendit, e cila mbetej e bllokuar nga një mangësi joesenciale në tekstin e Kushtetutës, e mosparashkimit të afatit për deklarim të LVV-së, edhe pse afatet ekzistojnë në disa nene të tjera të ngjashme gjatë procesit të krijimit të qeverisë. P.sh. në Nenin 95 pika 2 thuhet: “Kandidati për Kryeministër, jo më vonë se pesëmbëdhjetë (15) ditë pas emërimit, paraqet përbërjen e Qeverisë para Kuvendit të Kosovës dhe kërkon miratimin nga ana e Kuvendit.” Dhe në Nenin 95 pika 4 udhëzon : “Nëse përbërja e propozuar e Qeverisë nuk merr shumicën e votave të nevojshme, Presidenti iRepublikës së Kosovës, brenda dhjetë (10) ditësh emëron kandidatin tjetër sipas së njëjtës  procedure”.

26. Pra, nëse nominimi i Abdullah Hotit konsiderohet si paligjësi dhe arbtraritet me karakter të “amandamentimit të Kushtetutës”, siç po shprehet Abin Kurti, mendoj se arbitrariteti do të ishte shumë më i rëndë nëse Presidenti do të vendoste, sipas kërkesës së LVV, që Kuvendi i Kosovës praktikisht të përjashtohet nga vendimarrja për një çështje kaq esenciale të vetëshkarkimit. Kërkesa e LVV-së që Presidenti t’i shpall zgjedhjet pas mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë (keqinterpretim i Nenit 82 pika 1) do të ishte po kështu një amandamentim edhe më arbitrar dhe shkellje më e rëndë e Kushtetutës.

27. Presidenti në pajtim me kompetencat esenciale që i ka, mori vendime për zhbllokimin e gjendjes, duke penguar pretendimet që Kuvendi të delegjitimohet dhe të bëhet jofunksional, sikundër që e ka adresuar jofunksionalitetin real të Qeverisë e cila me 25 mars u pat shkakrua me 2/3 e votave në Kuvend, duke penguar kështu synimin e Kryeministrit Albin Kurtit që të mbetet në detyrë pa kufizim, “deri në zgjedhjet”.

28. Caktimit “arbitrar” i Presidentit i afatit për dërgim të emrit të kandidatit të LVV-së, nuk mund të konsiderohet assesi si shkelje e Kushtetutës, por është vendim racional i bazuar në të drejtën e diskrecionit që e ka Presidenti si guardian i funksionalitetit të institucioneve. Ai veproi drejt në një situatë ku ishte lënë të priste përgjigjjen për të cilën të gjithë e dinin se nuk do ta merrte. Në të vërtetë, Presidenti do ta bënte shkeljen kapitale të Kushtetutës nëse nuk do ta procedonte nominimin e kandidatit të LDK-së, sepse me pritjen e përgjigjjes dhe mosveprim do të kontribuonte në përmbysjen e balansit dhe të funksionalitetit të institucioneve vitale të sistemit dhe të rendit parlamentar.

PS

Vërejtje për lexuesit

Kjo analizë e situates së zgjidhjes së ngërçit ku Presidenti e ka rolin kyç, është e karakterit kontekstual dhe assesi jo apologji e Presidentit; me te Presidenti nuk amnistohet për veprimet dhe vendimet e gabuara dhe të dëmshme gjatë karrierës së tij të gjatë politike. Por, për këto gabime dhe dëme duhet të ndërmerren veprimet hetimore dhe të tjera nga institucionet përkatëse të shtetit.