Një 13 vjeçare nga Lipjani dyshohet të ketë qenë cak i ngacmimit seksual nga një arsimtar në shkollën shkollën “Vezir Kolshi” në fshatin Resinoc të kësaj komune. Nga policia nuk dhanë shumë detaje të reja, përveç se i dyshuari pas intervistimit nga prokurori është liruar në procedurë të rregullt.
Gazeta Express
Raste të dhunimeve, sulmeve dhe ngacmimeve seksuale po raportohen thuajse çdo ditë në Kosovë.
Dje një burrë u intervistua në Lipjan nën dyshimin se kishte ngacmuar seksualisht një vajzë.
Pavarësisht kësaj, ai u lirua në procedurë të rregullt nga prokurori i rastit.
Nga organet e hetuesisë, kanë konfirmuar se rasti ka të bëjë me ngacmimin seksual të një 13 vjeçarje në shkollën “Vezir Kolshi”, në fshatin Resinovc të Lipjanit.
Rasti që dyshohet të ketë ndodhur me 5 mars të këtij viti, në polici është lajmëruar nga prindi i vajzës.
“Lipjan 05.03.2024-10:20. Ankuesi mashkull kosovar, ka raportuar se viktima femër kosovare është ngacmuar nga i dyshuari mashkull kosovar. Lidhur me rastin, i dyshuari është intervistuar dhe me vendim të prokurorit rasti procedohet në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftimin e policisë.
Pavarësisht se i njëjti u lirua, pasi u intervistua për veprën penale “ngacmim seksual”, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, konfirmuan për Express se prokurori i shtetit tashmë ka iniciuar rast për këtë çështje.
Zëdhënësja e kësaj Prokurorie, Laureta Ulaj deklaroi për Express se janë në pritje të grumbullimit të provave bashkë me kallëzimin penal ndaj të dyshuarit.
“Ju njoftojmë se Prokurori i Shtetit ka iniciuar rast lidhur me këtë çështje. Mbesim në pritje të grumbullimit të provave bashkë me kallëzimin penal për të vepruar tutje konform dispozitave të KPPRK-së”, thuhet në përgjigjen e saj për Gazetën.
Hiç më larg se dje, Drejtoria e Arsimit në Gjilan ka pezulluar nga puna mësimdhënësin i cili dyshohet të ketë ngacmuar nxënësen e tij 16-vjecare me fjalë të pakëndshme për trupin dhe integritetin e saj, por edhe të nënës së saj.
njëjti ishte mësimdhënës në Shkollën e Mesme të Lartë te Arteve “Adem Kastrati” në Gjilan.
“Drejtoria e Arsimit në Gjilan, vjen me vendim; I punësuari z. K.Q , i sistemuar në vendin e punës si mësimdhënes në Shkollën e Mesme te Lartë te Arteve “Adem Kastrati” në Gjilan, PEZULLOHET përkohësisht nga puna. II. I punësuari si shkelës i supozuar, pezullohet përkohësisht nga puna, duke filluar prej datës 14.03.2024, deri në marrjen e vendimit përfundimtar për konstatimin e përgjegjësisë disiplinore ndaj tij, për shkak të shkeljeve të supozuara të detyrave të punës”, thuhet në përgjigjen e drejtorisë së Arsimit.
Vitin e kaluar gjatë periudhës janar-tetor 2023, në Policinë e Kosovës u patën raportuar 126 raste të sulmeve dhe ngacmimeve seksuale.
Nga Policia e Kosovës patën thënë për Gazetën Express se vetëm gjatë vitit të kaluar nga janari e deri në tetor u regjistruan 70 raste të ngacmimeve seksuale dhe 56 raste të sulmeve seksuale. E gjatë tërë vitit 2022, në Policinë e Kosovës ishin raportuar 93 raste të ngacmimeve seksuale dhe 69 raste të sulmeve seksuale. /Express/