Nisma e hidhëruar me Ramush Haradinajn që e joshi Haxhi Shalën për të shkuar në AAK - Gazeta Express

Nisma e hidhëruar me Ramush Haradinajn që e joshi Haxhi Shalën për të shkuar në AAK

Lajme

Gazeta Express

10/07/2020 15:02

Nisma Socialdemokrate e udhëhequr nga Fatmir Limaj ka reaguar pas lajmit se deputeti Haxhi Shala që ishte edhe shef i deputetëve të kësaj partie është larguar nga ky subjekt, raporton Gazeta Express.

Pas lajmit se Shala ka kaluar në AAK, ka pasur edhe disa lajmërime nga partia e Ramush Haradinaj për aderime nga partia e Limajt.

Nga Nisma në këtë komunikatë kanë shkruar se tash e një kohë të gjatë ka filluar një fushatë kundër prezencës së tyre në Kuvend të Kosovës.

“Duke e vënë në rend të parë interesin shtetëror, NISMA Socialdemokrate i tejkaloi të gjitha ndërskëmbësat që na i vunë gjatë rrugëtimit tonë dhe zbatoi politikën e harmonizimit të qëndrimeve në interes të Kosovës. Fatkeqësisht nga partnerët politikë të cilëve u ofruam mbështetje dhe ata që e kanë gojën plot premtime se “janë njerëz që e mbajnë fjalën”, për asnjë çast nuk i ndërprenë veprimet e tyre kundër nesh! Përkundrazi, në të gjitha rastet që u është dhënë mundësia, ata janë përpjekur ta dëmtojnë NISMËN Socialdemokrate. Përpjekjeve për shkatërrimin e zërit të votuesve të NISMËS Socialdemokrate iu shtuan edhe forca të reja politike, sidomos gjatë zgjedhjeve të fundit parlamentare. Përkundër të gjitha metodave që u përdorën për të na lënë jashtë Kuvendit të Kosovës, ngadhënjeu vullneti i pathyeshëm i anëtarëve dhe i simpatizantëve të NISMËS”, shkruhet në reagim.

Nga partia e Limajt, thonë se ka në të gjitha partitë politike ka njerëz lakmitarë që interesat e veta i vënë jo vetëm mbi partinë, por edhe mbi interesat e kombit dhe ato të shtetit.

“Dhe të tillët e tregojnë fytyrën e vërtetë në momentet më kritike.

Sidoqoftë, ne nuk do të ndryshojmë orientimin tonë politik për të vënë në rend të parë interesat e vendit dhe kemi bindjen e plotë që kjo gjë mund të realizohet edhe më mirë pa ata që vënë interesin e tyre personal në rend të parë. Jemi të sigurt se të gjitha përpjekjet dashakeqe kundër nesh do të dështojnë, sepse vullneti i anëtarëve, i simpatizantëve dhe i strukturave udhëheqëse të NISMËS Socialdemokrate është shumë më i madh se lakmitë dhe intrigat e dikujt tjetër”, shkruhet në reagim. /GazetaExpress/