Delegacionet nga Moska dhe Kievi kanë nisur diskutimet për mundësinë e një takimi mes presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, dhe homologut të tij rus, Vladimir Putin.
Këto diskutime janë zhvilluar gjatë bisedimeve të mbajtura mes këtyre dy delegacioneve në Stamboll më herët gjatë kësaj jave, tha Zelensky në komente të publikuara më 25 korrik.
Zelensky po kërkon një takim me Putinin dhe i ka bërë thirrje presidentit amerikan, Donald Trump, – i cili po kërkon që palët të arrijnë një marrëveshje – që po ashtu të marrë pjesë në këtë takim.
Putin ka thënë se është i gatshëm që të takohet me Zelenskyn, por vetëm gjatë “një faze finale” të negociatave, për t’i dhënë fund luftës që ka nisur mbi tre vjet më parë.
“Ne kemi nevojë që të ketë përfundim të luftës, dhe kjo me gjasë nis me një takim të udhëheqësve”, tha Zelensky për gazetarët.
“Në bisedime me ne, ata kanë nisur që ta diskutojnë këtë çështje. Veçse ka përparim drejt një lloji formati të takimit”, shtoi ai.
Në rundin e fundit të bisedimeve të mbajtur të mërkurën, Kievi propozoi që të mbahen bisedime në fund të gushtit.
Kjo kohë është e përafërt edhe me afatin e vendosur nga Trumpi, i cili më herët gjatë këtij muaji i dha Rusisë 50 ditë kohë për të arritur një marrëveshje të paqes me Ukrainës ose do të përballet me sanksione.
Një ditë më parë, Kremlini e minimizoi mundësinë e një takimi Putin-Zelensky në një periudhë të shkurtër kohore.
“Një takim i nivelit të lartë mund dhe duhet të japë një zgjidhje përfundimtare”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.
“A është e mundur që të shkohet në këtë proces të ndërlikuar brenda 30-ditësh? Ka pak gjasa të ndodhë”, shtoi ai.
Bisedimet për përfundimin e luftës kanë prodhuar pak rezultate. Palët kanë qëndrime krejtësisht të ndryshme dhe Ukraina e ka akuzuar Rusinë se po dërgon në bisedime zyrtarë të nivelit të ulët që nuk kanë fuqi për vendimmarrje.
Rusia i ka bërë thirrje Ukrainës që të heqë dorë nga katër rajone që Moska pretendon se i ka aneksuar, një kërkesë që Kievi e ka quajtur të papranueshme.
Ukraina thotë se nuk do ta njohë kurrë pretendimin e Rusisë mbi territoret e pushtuara – përfshirë Krimenë, të cilën Kremlini e aneksoi në vitin 2014./REL/