Nisi ndërtimi i interkonektorit të gazit me Greqinë! Mickoski: Po shndërrohemi në nyjë energjetike në rajon - Gazeta Express
string(105) "nisi-ndertimi-i-interkonektorit-te-gazit-me-greqine-mickoski-po-shnderrohemi-ne-nyje-energjetike-ne-rajon"

Maqedoni

Gazeta Express

09/07/2025 14:43

Nisi ndërtimi i interkonektorit të gazit me Greqinë! Mickoski: Po shndërrohemi në nyjë energjetike në rajon

Maqedoni

Gazeta Express

09/07/2025 14:43

Ky nuk është një investim në tuba dhe beton, por investim strategjik në të ardhmen energjetike të shtetit. Po ndërtojmë themelet e një arkitekture të re energjetike, po shndërrohemi në një nyjë të rëndësishme energjetike në rajon, theksoi kryeministri Mickoski në ceremoninë me të cilën u shënua fillimi i ndërtimit të interkonektorit të gazit me Greqinë. Afër Negotinës, delegacioni qeveritar, përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare dhe institucioneve financiare ndërkombëtare sot e shënuan zyrtarisht nisjen.

“Me këtë projekt do të ndërtojmë 66,7 kilometra gazsjellës në territorin e Maqedonisë, me tuba me diametër prej 700 milimetrash. Siç tha edhe drejtori, kapaciteti fillestar është 1,5 miliard metra kub gaz në vit, i cili mund të rritet deri në 3 miliardë. Kjo është energji për rritje, karburant për ekonominë, siguri për të ardhmen”, tha Hristijan Mickoski, kryeministër.

Po bëhemi pjesë e rrjetit energjetik evropian, theksoi kryeministri. E Ministrja e energjetikës Bozhinovska tha se çdo denar i investuar në interkonektor do të kthehet në ekonominë vendase.

“Ky nuk është vetëm një gazsjellës. Ky është një urë drejt tregjeve energjetike evropiane. Me këtë po bëhemi pjesë aktive e rrjetit energjetik rajonal. Paralelisht po punojmë edhe për të përfunduar të gjitha formalitetet dhe për ta vënë në funksion edhe përcjellësin për transport të dizelit. Janë duke u zhvilluar testimet teknike, presim që të vihet në funksion brenda disa muajve të ardhshëm. Gjithashtu po finalizojmë aktivitetet për lidhje të gazit me Serbinë”, shtoi Sanja Bozhinovska, ministre e Energjetikës.

Zëvendëskryeministri Mexhiti me mesazh se interkonektori i gazit me Greqinë nuk është vetëm projekt infrastrukturor, por një mesazh i qartë se vendi e di kah po shkon, me kë po lidhet dhe çfarë të ardhmeje po ndërton.

“Ky investim është një hap i rëndësishëm përpara drejt një mjedisi më të shëndetshëm. Me disponueshmërinë e gazit natyror, po hapim derën për zëvendësimin e lëndëve djegëse ndotëse, veçanërisht në komunat ku ende përdoren drurët dhe mazuti”, tha Izet Mexhiti, Zëvendëskryeministër dhe ministër i Mjedisit Jetësor.

Ambasadorja greke Filipidu tha se ky interkonektor siguron stabilitet energjetik rajonal, ndërsa sipas euroambasadorit Rokas, është një infrastrukturë kyçe që garanton siguri, qëndrueshmëri dhe konkurrencë. Ambasadorja e SHBA-ve Angela Aggeler tha se për këtë projekt është punuar 7 vite dhe ndërtimi i tij është një fitore për të gjithë në rajon.

“Si prodhuesi më i madh i LNG-së, SHBA-të dëshirojnë që gazi ynë të transportohet nëpërmjet këtij gazsjellësi së shpejti. Duam të shohim siguri ekonomike dhe zhvillim rajonal që ky rrjedhë do të sjellë për të gjithë ne”, theksoi Angela Aggeler, Ambasadore e SHBA-së në vend.

Interkonektorin do ta ndërtojë kompania “Rapid Build” nga Kumanova, me të cilën në maj është nënshkruar një marrëveshje me vlerë afro 60 milionë euro. Duhet të përfundojë deri në vitin 2027. Lidhja e gazit me Greqinë do t’i mundësojë vendit të ketë më shumë burime të gazit natyror, pasi për momentin lidhja e vetme është ajo me Bullgarinë.