string(105) "nis-takimi-i-kurtit-me-krasniqin-a-do-te-heq-dore-lvv-ja-nga-haxhiu-si-kandidate-per-kryetare-te-kuvendit"

Lajme

Gazeta Express

01/05/2025 8:40

Nis takimi i Kurtit me Krasniqin, a do të heq dorë LVV-ja nga Haxhiu si kandidate për kryetare të Kuvendit?

Lajme

Gazeta Express

01/05/2025 8:40

Ka nisur takimi ndërmjet kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi në Kuvend.

Para takimit, as Kurti dhe as Krasniqi nuk folën për gazetarët.

Kurti të mërkurën u dërgoi ftesa për takim kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqi dhe kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili refuzoi të merrte pjesë.

Krasniqi shkroi mbrëmë në Facebook se e ka pranuar ftesën “duke besuar thellësisht se Republika e Kosovës ka nevojë urgjente për zhbllokim institucional dhe për rikthimin e funksionimit të rregullt të institucionit më të lartë legjislativ, si dhe për t’i hapur rrugë afateve kushtetuese për themelimin e Qeverisë”.

Ai tha se e inkurajon Kurtin që “të reflektojë me përgjegjësi mbi situatën aktuale dhe të shfaqë vullnet të sinqertë për të mundësuar formimin e institucioneve të reja, në mënyrë që Kosova të ketë sa më parë një Kuvend dhe një Qeveri legjitime e funksionale”. Në këtë kontekst, Krasniqi tha se “gjetja e një kandidateje apo kandidati të përshtatshëm, që gëzon mbështetjen e shumicës së deputetëve, do të ishte një hap i rëndësishëm përpara”.

LVV-ja për kryetare të Kuvendit e ka propozuar disa herë radhazi Albulena Haxhiun, e cila po aq herë ka dështuar t’i marrë 61 votat e nevojshme, gjë që e ka pamundësuar konstituimin e Kuvendit.

Në njërën nga mbledhjet e seancës konstituive e cila po vazhdon pa sukses që prej 15 prillit, LVV-ja ka përmendur nevojën për një “marrëveshje politike” për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, por pa bërë ndonjë përpjekje serioze që kjo të arrihej.

Në një takim “konsultativ” para vazhdimit të seancës konstituive javën e kaluar, LVV ka këmbëngulur në propozimin e Albulena Haxhiut.

Kandidatja e LVV-së për herë të shtatë dështoi të zgjidhet kryetare e Kuvendit, duke mos marrë më shumë se 57 vota. Herën e fundit, madje mori vetëm 54 vota.

PDK-ja dhe AAK-ja janë shprehur të gatshme për ta shqyrtuar një kandidaturë “më të pranueshme” nga LVV-ja.

LDK-ja, ndërkaq, ka thënë se për ta, “nuk ka asnjë kandidat”, të LVV-së që do të mund ta votonin.