Parlamenti Evropian po zhvillon një seancë të jashtëzakonshme në Strasburg, ku një nga temat kyçe është situata politike dhe shkelja e të drejtave të njeriut në Serbi. Në qendër të vëmendjes është dhuna ndaj protestuesve, shtypja e mediave të pavarura dhe tendencat autoritare të regjimit të presidentit Aleksandar Vuçiq.
Diskutimi në PE po zhvillohet në kuadër të panelit “Serbia: Demokracia në një udhëkryq”, të organizuar nga grupet politike “Socialistët dhe Demokratët”, “Të Gjelbrit” dhe “Rinovojmë Evropën”.
Në hapje të debatit, eurodeputeti Vladimir Prebiliç përshëndeti opozitën dhe aktivistët nga Serbia, duke theksuar guximin e studentëve që marshuan drejt Strasburgut dhe Brukselit. “Ju jeni shembull frymëzimi. Protestat paqësore nuk janë krim, por themel i demokracisë”, tha ai.
Eurodeputetët përsëritën se dhuna policore nuk mund të tolerohet dhe se BE duhet të dëgjojë zërin e qytetarëve serbë që kërkojnë drejtësi, zgjedhje të ndershme dhe institucione të pavarura.
Zdravko Ponosh, kryetar i partisë “Srbija Centar”, tha se Serbia po rrëshqet në drejtim të kundërt me Evropën dhe e krahasoi situatën aktuale me periudhën e regjimit të Sllobodan Millosheviqit. Ai theksoi se që nga 1 nëntori janë mbajtur mbi 23.000 protesta në Serbi dhe se përdorimi i dhunës ka kulmuar më 15 mars, kur mbi 300.000 qytetarë protestuan në Beograd.
Sipas Ponoshit, përdorimi i topit zanor ndaj civilëve përbën krim kundër njerëzimit dhe ka rezultuar me mbi 3.000 qytetarë që kanë kërkuar ndihmë mjekësore. Ai akuzoi regjimin se përdor dhunë sistematike, përfshirë policë civilë pa identifikim, për të shtypur protestat.
Pavle Grboviq, lider i Lëvizjes së Qytetarëve të Lirë (PSG), foli për ngjarjet tragjike në Novi Sad, ku 16 persona humbën jetën për shkak të korrupsionit shtetëror dhe marrëdhënieve të dyshimta me investitorë kinezë. Ai përmendi se qindra studentë dhe qytetarë janë plagosur dhe arrestuar padrejtësisht, përfshirë edhe një studente që i është thyer nofulla.
Ai akuzoi Vuçiqin se ka falur agresorët dhe se institucionet janë në funksion të partisë në pushtet. “Njerëzit nuk kanë rrugë tjetër përveçse rezistencës, por përgjigja e qeverisë ka qenë vetëm dhunë dhe arrestime”, theksoi Grboviq.
Biljana Djorgjeviq nga Fronti i Gjelbër e i Majtë tha se Serbia ka kaluar nga stabiliteti drejt autoritarizmit dhe ka kritikuar BE-në për lehtësimin e ngritjes së regjimit aktual. “Nga Brukseli deri në Moskë dhe Pekin, jemi zhvendosur nga vlerat demokratike drejt hakmarrjes institucionale”, tha ajo.
Sipas saj, qëndrimi i BE-së ka krijuar një klimë ku pushteti ndëshkon mësues dhe profesorë për mbështetjen ndaj studentëve dhe e kthen universitetin në fushëbetejë politike.
Borko Stefanoviq nga Partia e Lirisë dhe Drejtësisë (SSP) tha se protestat në Serbi zgjasin tashmë 10 muaj dhe se regjimi i Vuçiqit është bërë gjithnjë e më agresiv. Ai tha se presidenti serb përdor institucione evropiane për legjitimitet ndërkombëtar, por nuk ka asnjë qëllim real për integrim në BE.
“Sapo Serbia të përballet me luftën kundër korrupsionit dhe kërkesën për llogaridhënie, ai regjim bie”, u shpreh Stefanoviq, duke përmendur mbylljen e mundshme të televizioneve të pavarura N1 dhe Nova S.
Eurodeputeti nga grupi “Renew Europe” përshëndeti guximin e qytetarëve serbë dhe studentëve, duke theksuar: “Ju jeni shembull për ne. Kam dëgjuar që disa në Serbi thonë se Komisioni Evropian është shumë i afërt me Vuçiqin. Dua të di çfarë do të thotë nesër Ursula von der Leyen për këtë”.
Ai shtoi se do të kërkojë përgjigje nga mediat serbe për raportimin e tyre të njëanshëm dhe theksoi se BE do të dërgojë një delegacion në Serbi për të vlerësuar situatën.