Bundestagu ka nisur raundin e dytë të votimit për Friedrich Merz, i cili pret të marrë rolin e kancelarit të Gjermanisë.
Pas një humbjeje mëngjesin e sotëm, tani po zhvillohet raundi i dytë i cili do të marrë pak kohë, pasi fillimisht do të votohet, do të numërohen votat, pastaj do të votohet sërish me një kartë votimi në një zarf që do të hidhet në një kuti votimi.
Kujtojmë se, në një votim të fshehtë të mbajtur sot, Merz siguroi 310 vota, 6 më pak se shumica e nevojshme. E edhe pse grupet parlamentare të koalicionit CDU/CSU dhe SPD kanë një numër prej 328 vendesh në Parlament, Merz nuk mori shumicën e kërkuar.
Ndërkohë, më herët në seancë Steffen Bilger i CDU/CSU hapi debat duke thënë se votimi i dytë për Merz tregon për “aftësinë së shtetit për të vepruar dhe funksionimin e demokracisë”, ndërsa theksoi se Gjermania ka nevojë për qeveri.
Edhe Katja Mast nga SPD, ka theksuar rëndësinë dhe përgjegjësinë e deputetëve për emërimin e kancelarit dhe qeverinë e re.
Megjithatë, zëdhënësi i Alternativës për Gjermaninë, Bernd Baumann, ka vazhduar të përdorë një ton më ndryshe duke thënë se humbja e mëngjesit të sotëm ishte e pashembullt.
Baumann poashtu ka shtuar se “edhe nëse Merz siguron shumicën në votimin e dytë, kjo tregon se sa i paqëndrueshëm është koalicioni i tij dhe kjo është “e kundërta e asaj që i duhet Gjermanisë”.