Nis paraqitja e argumenteve në gjyqin ndaj presidentit Trump - Gazeta Express
string(60) "nis-paraqitja-e-argumenteve-ne-gjyqin-ndaj-presidentit-trump"

Gazeta Express

22/01/2020 23:04

Nis paraqitja e argumenteve në gjyqin ndaj presidentit Trump

Gazeta Express

22/01/2020 23:04

Në Uashington, demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve akuzuan të mërkurën Presidentin Donald Trump se vuri në lëvizje një “skemë korruptive” për t’i bërë presion Ukrainës që ajo të hetonte rivalin e tij politik, ish-nënpresidentin demokrat Joe Biden, me synimin mashtrues për të fituar zgjedhjet presidenciale të 2020-s.

Kongresmeni Adam Schiff u tha të 100 anëtarëve të Senatit që luajnë rolin e jurisë në gjyqin e presidentit se “Presidenti ka treguar që ai beson se është mbi ligjin dhe se i përbuz kufijtë që i njeh ligji.”

Lexo Edhe:

Demokratët kanë ngritur dy akuza ndaj Presidentit republikan Trump, me synim shkarkimin e tij në gjyqin që po zhvillohet në Senat.

Ligjvënësi Schiff, duke paraqitur në Senat argumentet e demokratëve kunër zotit Trump, tha se presidenti i 45-të i vendit kërkoi “ndihmë nga jashtë për të favorizuar politikisht veten e tij” në zgjedhjet amerikane.

Zoti Schiff është anëtari kryesor i grupit të Dhomës së Përfaqësuesve që luajnë rolin e prokurorëve në këtë gjyq. Ai tha se presidenti pezulloi 391 milion dollarë ndihma ushtarake të miratuara nga kongresi për Ukrainën, “një vend në luftë me Rusinë”, ndërsa i bënte presion Presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskiy për të hapur hetime ndaj zotit Biden dhe djalit të tij Hunter në bordin e një kompanie ukrainase të gazit natyror.

Për këtë, tha zoti Sciff, “ai përdori fuqitë shtetërore që i ishin besuar vetëm atij,” dhe shtoi se veprimet e Presidentit Trump “shkelën betimin e tij të shenjtë ndaj detyrës”.

Ligjvënësi tha se presioni i zotit Trump ndaj Presidentit Zelenskiy ishte njëlloj si t’i kërkonte një udhëheqësi të huaj “të bënte punën e tij të ndyrë politike”, pasi në zgjedhjet e nëntorit do të përballet ndoshta me rivalin Biden, i cili është në krye të sondazheve të votuesve demokratë.

Gjatë 13 orëve debat që filloi të martën pasdite dhe përfundoi të mërkurën herët në mëngjes, demokratët humbën disa votime radhazi ndaj shumicës republikane të Senatit rreth çështjes nëse do të paraqiten në gjyq dokumente dhe dëshmitarë të tjerë.

Pasditen e së mërkurës ishte radha e demokratëve të dilnin në foltoren e Senatit për të paraqitur me hollësi argumentet e tyre rreth veprimeve të Presidentit Trump në Ukrainë. Kjo ishte e para nga tre seancat tetë-orëshe ku ata do të flasin për çështjen.

“Nuk ka asnjë mosmarrëveshje serioze në lidhje me faktet themelore,” tha zoti Schiff, duke shtuar se në vend të kësaj, avokatët e Shtëpisë së Bardhë që mbrojnë zotin Trump thjesht do të argumentojnë se ai nuk mund të hiqet nga detyra për abuzimin e pushtetit presidencial.

Para se të fliste në Senat, zoti Schiff u tha gazetarëve: “Faktet janë diskredituese dhe ne do t’i paraqesim ato në detaje të hollësishme.”

Të shtunën, avokatët e Presidentit Trump do të fillojnë mbrojtjen e tyre gjatë tre ditëve. Presidenti përballet me dy akuza: shpërdorim pushteti dhe pengim i përpjekjeve të kongresit për të hetuar veprimet e tij të lidhura me Ukrainën.

Demokratët argumentojnë se Presidenti Trump nuk kishte asnjë interes për të luftuar korrupsionin në Ukrainë, siç pretendojnë disa republikanë, përveçse ta bindëte Zelenskiy-n të shpallte hetime kundër zotit Biden dhe të birit të tij.

Avokatët e Presidentit thonë nga ana e tyre se ai thjesht po bënte politikë të jashtme, diçka legjitime për një president, prandaj duhet të lirohet menjëherë nga akuzat. Ata thonë se Dhoma e Përfaqësuesve nxitoi të ngrejë akuza për shkarkimin e zotit Trump me një proces të çalë, në të cilin presidenti nuk u trajtua në mënyrë të drejtë.

Ndërsa gjyqi zhvendoset tek thelbi i akuzave kundër zotit Trump, është pëothuajse e sigurt se Senati, me shumicë republikane, do ta nxjerrë atë të pafajshëm. /VoA