Në Itali ka nisur procesi gjyqësor ndaj një shoferi 39-vjeçar nga Venecia, i akuzuar për vrasje nga pakujdesia në qarkullim rrugor, lidhur me aksidentin fatal që i mori jetën Donika Nikollbibaj, 24 vjeçarja shqiptare nga Kosova.
Ngjarja e rëndë ndodhi më 16 prill 2022, rreth orës 06:30 të mëngjesit, në rrugën Castellana, në zonën Padernello di Paese, pranë qytetit Treviso
Automjeti Volkswagen Polo, që drejtohej nga Donika Nikollbibaj, u përplas ballë për ballë me një kamion frigoriferik Iveco, i cili po udhëtonte nga Treviso drejt Castelfranco Veneto.
Sipas hetimeve, 24-vjeçarja kishte humbur kontrollin e automjetit duke kaluar në korsinë e kundërt, çka e bëri përplasjen të pashmangshme. Megjithatë, hetimet kanë zbuluar se shoferi i kamionit po lëvizte me 72 km/orë, ndërkohë që kufiri maksimal i lejuar në atë segment rruge ishte 50 km/orë, pasi bëhej fjalë për një zonë të banuar me disa kalime për këmbësorë.
Për këtë arsye, Prokuroria ka ngritur akuzë për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor me pasojë vdekjen, duke e çuar çështjen në gjykatë.
Në automjet ndodhej edhe motra e Donikës, Monika Nikollbibaj, 25 vjeçe, e cila pësoi vetëm dëmtime të lehta. Të dyja motrat jetonin në San Michele d’Adige, në provincën e Trentos. Përplasja ishte shumë e fortë dhe makina përfundoi në një kanal anës rrugës, duke i lënë të dyja të bllokuara brenda automjetit.
Donika u intubua në vendngjarje nga ekipet e urgjencës dhe u transportua me urgjencë në repartin e reanimacionit të spitalit të Trevisos. Ajo luftoi për jetën për tre ditë, por ndërroi jetë më 21 prill 2022. Shoferi i kamionit mbeti i padëmtuar.
Familja e viktimës është paraqitur në gjykatë si palë civile, duke theksuar se shpejtësia e lartë e mjetit të rëndë ka qenë një faktor vendimtar në pasojat fatale të aksidentit.
Në momentin e ngjarjes, dy motrat po udhëtonin drejt aeroportit të Venecias, nga ku do të fluturonin për në Kosovë për pushimet e Pashkëve. Prindërit e tyre kishin udhëtuar një ditë më parë. Familja Nikollbibaj jetonte prej rreth pesë vitesh në Itali.
Donika Nikollbibaj ishte studente universitare në Verona dhe punonte me kohë të pjesshme në MediaWorld në Trento për të përballuar shpenzimet e studimeve.
Procesi gjyqësor pritet të vijojë me dëgjimin e dëshmitarëve dhe ekspertëve të aksidenteve rrugore, ndërsa vendimi do të përcaktojë përgjegjësinë penale të të pandehurit.