Nis fushata për zgjedhjet e parakohshme, KQZ jep detaje për procesin - Gazeta Express
string(67) "nis-fushata-per-zgjedhjet-e-parakohshme-kqz-jep-detaje-per-procesin"

Lajme

Gazeta Express

28/05/2026 9:35

Nis fushata për zgjedhjet e parakohshme, KQZ jep detaje për procesin

Lajme

Gazeta Express

28/05/2026 9:35

Sot ka nisur zyrtarisht fushata zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë, e cila do të zgjasë deri më 7 qershor në ora 07:00, kur hapen Qendrat e Votimit.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se në këto zgjedhje janë certifikuar 21 subjekte politike me gjithsej 902 kandidatë për deputetë. Sipas zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezi, fushata do të zhvillohet për 10 ditë e 7 orë, ndërsa sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme të miratuar më 2023, ajo përfundon në momentin e hapjes së qendrave të votimit në ditën e zgjedhjeve.

“Për 10 ditë e 7 orë, 21 subjektet politike me 902 kandidatët për deputetë do të mund të zhvillojnë aktivitetet e tyre në kuadër të fushatës zgjedhore. Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, i miratuar në vitin 2023, fushata zgjedhore përfundon me hapjen e qendrave të votimit në ditën e zgjedhjeve. Pra, ashtu si në zgjedhjet parlamentare dhe lokale të vitit 2025, dita e shtunë nuk do të jetë heshtje zgjedhore”, ka thënë Elezi për Express.

Elezi ka sqaruar se KQZ nuk merret me trajtimin e ankesave për shkelje gjatë fushatës zgjedhore, pasi kjo kompetencë i takon Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa. Megjithatë, ai ka bërë të ditur se KQZ do të monitorojë aktivitetet e subjekteve politike në të gjitha komunat përmes monitoruesve të angazhuar nga Zyra për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike.

“Sipas ligjit, KQZ nuk i trajton ankesat për shkelje gjatë fushatës zgjedhore, pasi kjo është detyrë e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa. Megjithatë, KQZ ka rol në monitorimin e organizimit të takimeve, fushatave reklamuese dhe materialeve të tjera promovuese. Përmes Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike, do të angazhohen monitorues në të gjitha komunat e Kosovës, të cilët do të përgatisin raporte për aktivitetet e subjekteve politike. Këto raporte do të shfrytëzohen si burim informacioni për evidentimin dhe krahasimin me të dhënat e deklaruara në raportin financiar të fushatës, të cilin e dorëzojnë subjektet politike”, njoftoi Elezi.

Sipas KQZ-së, nga 902 kandidatët e certifikuar, 593 janë burra dhe 309 janë gra. Kandidatët përfaqësojnë 17 parti politike, 3 koalicione dhe 1 kandidat të pavarur.

Këto zgjedhje po mbahen pas krizës politike që ka përcjellë vendin që nga zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025.

Advertisement
Advertisement
Advertisement