Në pediatrinë e spitalit rajonal të Korçës, ka mbërritur në gjendje shumë të rëndë shëndetësore një foshnjë rreth 2 muajshe. Burime konfidenciale nga policia dhe spitali, bëjnë të ditur se foshnja aktualisht është në gjendje të rëndë shëndetësore, ndërsa dyshohet se kjo gjendje ka ardhur nga kequshqyerja.
Foshnja ka lindur dy muaj më parë, prematurë (7 muajsh). Është trajtuar në spitalin e Korçës e më pas në Tiranë, nga ku raportohet se ka dalë në gjendje të mirë shëndetësore, por pas kthimit në shtëpi ka shfaqur probleme të rënda shëndetësore.
Sipas po të njëjtave burime, dyshohet se ka qenë nëna ajo që nuk është kujdesur për foshnjën për ta ushqyer me gji dhe ky dyshohet të jetë shkaku kryesor i gjendjes së rënduar.
Po ashtu, dyshohet se nëna ka probleme të shëndetit mendor, por detaje të reja priten të zbardhen në vijim për të përcaktuar nëse kjo e fundit ka shfaqur shenja të përkeqësimit pas lindjes së fëmijës.
Policia ndodhet në pediatrinë e spitalit, ndërsa mjekët po bëjnë të pamundurën për të shpëtuar foshnjën 2 muajshe.