Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka njoftuar se sot Kosova ka qenë për herë të parë nikoqir i punimeve të Këshillit Botëror të Unionit Ndërkombëtar të të Rinjve Socialistë (IUSY), ku rinia e VV-së është votuar si anëtare vëzhguese e këtij Unioni.
Në këto punime të këtij këshilli, pjesëmarrës ka qenë edhe ish-kryeministër i Greqisë, George Papandreou.
Kurti ka bërë të ditur edhe se pjesëmarrës janë edhe të rinj nga Afrika, Amerika, Azia, Paqësori, Deti i Zi, Mesdheu, Evropa, të cilëve ai u ka folur si kryeministër.
”Si Kryeministër i Republikës së Kosovës, dua ta afirmoj përkushtimin e vendit tonë për të qenë një partner aktiv në rrjetet ndërkombëtare progresiste. Ne besojmë në fuqinë e bashkëpunimit, në respektin e ndërsjellë dhe në mobilizimin e energjive rinore për të ndërtuar një të ardhme të drejtë e të qëndrueshme. Kosova është një vend jo aq i madh, por me një zemër shumë të madhe dhe një vizion të qartë për të kontribuar në kauzat globale të barazisë e të solidaritetit.’, ka shkruar ai.
Postimi:
Vendi ynë për herë të parë është nikoqir i punimeve të Këshillit Botëror të Unionit Ndërkombëtar të të Rinjve Socialistë (IUSY), një ngjarje që bashkon rininë progresiste nga çdo cep i botës. Përveç organizimit të punimeve të Këshillit, Rinia për VETËVENDOSJE!. Sot zyrtarisht u votua si anëtare vëzhguese e këtij Unioni dhe pjesë e familjes botërore të të rinjve socialistë!
Fjala ime e plotë në hapjen e punimeve të Këshillit të IUSY:
E nderuara Presidente e Unionit Ndërkombëtar të të Rinjve Socialistë (IUSY), Hend Mgaieth,
I nderuar ish-Kryeministër i Greqisë, miku im George Papandreou, i cili njëkohësisht ka qenë edhe ministër i Punëve të Jashtme, ka qenë edhe ministër i Arsimit, Kryetar i Internacionales Socialiste dhe tash deputet i PASOK-ut në Republikën e Greqisë,
Të nderuar anëtarë të Kryesisë së IUSY-it,
Të dashur delegatë të Këshillit Botëror,
Të nderuar anëtarë të Kryesisë së Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe të Rinisë për VETËVENDOSJE!,
Kolegë nga qeveria e deputetë të Republikës,
Të nderuar mysafirë dhe miq,
Mirë se vini në Republikën e Kosovës dhe mirë se po takohemi në Prishtinë, ku po e mbajmë hapjen e Këshillit Botëror të Unionit Ndërkombëtar të të Rinjve Socialistë (IUSY) për vitin 2025, një ngjarje që bashkon rininë progresiste nga çdo cep i botës dhe, pa dyshim, që pikërisht ju jeni zëri i një gjenerate që nuk pranon t’i nënshtrohet padrejtësive, zëri i një gjenerate që lufton për një botë ku barazia, solidariteti dhe dinjiteti njerëzor janë vlera të patjetërsueshme e të pa negociueshme.
Ky Këshill, me temën që e shtjellon, vjen në një moment kritik për botën dhe planetin. Demokracia, siç e njohim, po përballet me sfida të mëdha: rritja e autoritarizmit dhe ekstremizmit, polarizimi i shoqërive, sulmet ndaj të drejtave themelore, kriza e mjedisit dhe përhapja e ideologjive të urrejtjes. Në këtë kontekst, roli i të rinjve si ju, të mbledhur këtu nga të gjitha kontinentet, nga Afrika, Amerika, Azia, Paqësori, Deti i Zi, Mesdheu, Evropa, etj., është më i rëndësishëm se kurrë. Ju jeni arkitektët e një të ardhmeje ku solidariteti triumfon mbi përçarjet dhe ku guximi ynë kolektiv i përgjigjet frikës me vullnet, guxim dhe shpresë.
Kosova, si vend pritës i këtij Këshilli, është shembull i fuqisë transformuese të rinisë dhe i vendosmërisë për të ndërtuar një shoqëri të drejtë. Historia jonë është një histori e luftës për çlirim, e rezistencës kundër shtypjes dhe shfrytëzimit dhe e përpjekjeve të pandalshme për të krijuar një shtet të bazuar në sundimin e ligjit, në drejtësi e barazi, e në një shoqëri gjithëpërfshirëse e cila nuk e lë askënd mbrapa. Nga vuajtjet e së kaluarës, kemi mësuar se liria dhe drejtësia nuk dhurohen, ato fitohen dhe duhet të mbrohen. Nga sfidat e së kaluarës dhe të tashmes, ne kuptojmë se përgjegjësia për të mbrojtur demokracinë bie mbi supet tona. Dhe nga ëndrrat për të ardhmen, ne gjejmë guximin për të vepruar, për të bashkëvepruar dhe për të ndërtuar një vend më të mirë me të ardhme të ndritshme.
Ky ka qenë edhe synimi ynë gjatë këtij mandati qeveritar e do të vazhdojë të jetë edhe në të ardhmen. Në katër vitet e qeverisjes sonë, kemi bërë shumë për shtetin e veçanërisht për rininë e cila mbetet një prej shtyllave kryesore të zhvillimit dinamik të vendit tonë.
Punësimi u shtua duke arritur rritjen më të madhe ndonjëherë e pikërisht rinia ishte ndër përfituesit më të mëdhenj. U dyfishua numri i të të punësuarve: nga më pak se 29 mijë sa ishin në vitin 2021, në vitin 2023 ky numër iu afrua 61 mijë të rinj të punësuar, ku gjysma e punësimeve të reja ishin vajza. Përmes Platformës SuperPuna, për më pak se dy vite Qeveria punësoi mbi 14 mijë të rinj të moshës nga 18-29 vjeç, prej tyre më shumë se gjysma, saktësisht 51%, ishin vajza, që u punësuan në gjithsej 9,500 biznese vendore. Përmes programit Kosova Generation Unlimited janë ofruar edhe mundësi praktike për mbi 3 mijë të rinj, nga të cilat 59% janë vajza e gra, 12% nga komuniteti serb dhe 4% nga komunitetet tjera jo-shumicë.
Për qasje të barabartë e arsimim cilësor, arsimimin e lartë publik e kemi bërë falas, ndërsa mbi 173 mijë studentë janë liruar nga pagesat që nga viti 2021. Për Bachelor dhe Master në Kosovë nuk paguajnë studentët fare, paguajnë vetëm për Doktoraturë. Afër 15 milionë euro transfere janë ekzekutuar për mbështetje të studentëve. Në fushat STEM, shkencë, teknologji, inxhinieri dhe matematikë – janë ndarë afër 7 mijë bursa, nga të cilat mbi 96% kanë qenë për vajza. Për studentët elitarë me notë mesatare mbi 9.0 janë ndarë afër 5,500 bursa; për studentët me aftësi të kufizuara – 70 bursa; për studentët e doktoratës në universitetet më të mira botërore – rreth 300 bursa; për studentët e tjerë jashtë vendit – afër 240 bursa.
Gjithashtu kemi trefishuar mbështetjen e nxënësve të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, që janë komunitetet më të varfra në Kosovë – me afër 2 mijë bursa në vlerë mbi 600 mijë euro, gjersa studentët e nivelit Master në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Evropë i kemi mbështetur përmes financimit të programeve si Fulbright dhe Young Cell Scheme. Me arsimin dual, i cili e bënë lidhjen ndërmjet edukimit profesional dhe tregut të punës, në Kosovë kemi vendosur 12 profile në 23 shkolla profesionale në 15 komuna me gjithsej 1,635 nxënës. Synimi ynë është që për çdo diplomë shkolle të ketë një vend pune.
Kosova tashmë është vend i teknologjisë dhe inovacionit. Në sektorin e Teknologjisë, Informacionit dhe Komunikimit, që është sektori më eksportues i vendit tonë kemi ndarë 574 mijë euro për maturantë të profilit të Teknologjisë, Informacionit dhe Komunikimi nëpërmjet kuponëve për trajnime e në vitin 2023 kemi mbajtur “Orën e Kodimit” në 22 komuna ku mbi 20 mijë nxënës të klasave nga I deri në XII në 350 shkolla kanë mbajtur rreth 30 mijë orë kodim. Këto janë disa nga hapat që i kemi ndërmarrë për të mbështetur të rinjtë në fusha të ndryshme, për një Kosovë progresiste, e cila zhvillohet dhe avancon përtej të gjitha barrierave sërish duke mos lënë asnjeri mbrapa.
Të nderuar të pranishëm,
Gjatë këtyre dy ditëve sa do të jeni në Prishtinë, do të diskutoni çështje të rëndësishme që prekin të ardhmen tonë të përbashkët. Paneli mbi zgjerimin e Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor do të hedhë dritë mbi rrugën e integrimit. Kjo rrugë për Kosovën dhe rajonin tonë nuk është vetëm një proces teknik. Është një angazhim për vlera të përbashkëta demokratike që duhet të bazohet në vlera të meritokracisë për t’u orientuar drejt një të ardhmeje të qëndrueshme, me unitet, solidaritet e bashkëpunim mes shteteve.
Por, mbi të gjitha, ky këshill është një thirrje për veprim. Nuk mund të lejojmë që ekstremi i djathtë dhe fashizmi e nazizmi, në shekullin XXI, të rikthehen e të gjejnë vend në shoqëritë tona dhe në këtë mënyrë të na rikthejnë në të kaluarën, në vitet e errëta të përhapjes së këtyre ideologjive. Nuk mund të lejojmë që frika të zëvendësojë shpresën, që cinizmi ta zëvendësojë pasionin, apo që ndarjet të zbehin solidaritetin. Siç thotë edhe motoja e Këshilli: Është koha për të vepruar, dhe veprimi ynë fillon me dialog, bashkëveprim e me idetë dhe angazhimin që ju po e sillni së bashku këtu në Prishtinë.
Si Kryeministër i Republikës së Kosovës, dua ta afirmoj përkushtimin e vendit tonë për të qenë një partner aktiv në rrjetet ndërkombëtare progresiste. Ne besojmë në fuqinë e bashkëpunimit, në respektin e ndërsjellë dhe në mobilizimin e energjive rinore për të ndërtuar një të ardhme të drejtë e të qëndrueshme. Kosova është një vend jo aq i madh, por me një zemër shumë të madhe dhe një vizion të qartë për të kontribuar në kauzat globale të barazisë e të solidaritetit.
Të dashur delegatë,
Prishtina është shtëpia juaj. Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, ju uroj një Këshill të frytshëm, plot debate, diskutime, ide dhe vendime që do ta formësojnë botën për të cilën ëndërrojmë të gjithë. Le të jetë ky Këshill një hap i madh drejt një bote më të drejtë, më solidare dhe më demokratike.
Faleminderit për pjesëmarrjen, kontributin dhe shumë suksese në punën tuaj!