Policia e Durrësit ka arrestuar Luis Xhumarin, operator turistik. Ai akuzohet për “Shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë”, pas incidentit tragjik që ndodhi në det me dy pushues anglezë, ku humbi jetën drejtuesi 34-vjeçar i një Jet Ski.
Ngjarja ndodhi në thellësi të detit, ndërsa ende nuk është përcaktuar shkaku i saktë i vdekjes së viktimës. Ekspertiza mjeko-ligjore pritet të përcaktojë nëse vdekja ka ardhur si pasojë e mbytjes apo e ndonjë problemi shëndetësor.Nga verifikimet e policisë, rezulton se viktima nuk posedonte lejen për drejtimin e mjetit lundrues, ndërkohë që operatori turistik që ia kishte dhënë me qira mjetin, është konstatuar në shkelje të rregullores. Bazuar në rregullore, motorët e ujit mund të jepen me qira vetëm kur drejtuesi është i pajisur me leje përkatëse.