Po bëhen gati 6 muaj që kur u mbajtën Zgjedhjet parlamentare në Kosovë dhe vendi nuk i ka krijuar ende institucionet e reja.
Derisa po vazhdon ngërçi politik Ambasada gjermane vlerëson se Kosova në njëfarë forme po e “humb trenin”.
Kjo Ambasadë përkujton se duke mos arritur të konstituohet Kuvendi nuk po zbatohet as vullneti i popullit të Kosovës, i shprehur në Zgjedhjet e fundit parlamentare.
Një gjë e tillë, sipas kësaj Ambasade, është kryesisht padrejtësi ndaj qytetarëve dhe bizneseve në Kosovë, për faktin se Vendimet e rëndësishme nuk po merren dhe zbatimi i tyre po vonohet pa nevojë.
“Në të njëjtën kohë, Kosova në një farë mënyre po e humb trenin. Ndërkohë që vendet e tjera të rajonit po ecin përpara me Planin e Rritjes së BE-së dhe po ndërmarrin hapat e ardhshëm për shpërndarjen e fondeve, Kosova është në rrezik të menjëhershëm që të mbetet pas.” – tha Ambasada gjermane në një përgjigje për KALLXO.com.
Kosova nuk ka përfituar ende grantin për shkak të ngërçit politik. Që Kosova të përfitojë milionat e parë nga BE-ja, që gjithsej deri në vitin 2027 janë 882,000,000, së pari duhet ta ratifikojë Marrëveshjen në Kuvendin e Kosovës.
Një shqetësim tjetër që ngriti ky institucion diplomatik është që Kosova ka kohë që ka pritur për një Komisioner të ri të Zgjerimit, një Përfaqësues të Lartë dhe një Përfaqësues të Posaçëm për Dialogun: të gjithë nga vendet që e njohin Kosovën dhe tash vazhdon të qëndrojë e paralizuar politikisht.
“Tani ‘skuadra e ëndrrave’ nga ana e BE-së është në detyrë, por Kosova vazhdon të jetë e paralizuar politikisht. Në fund, Kosova po humb kohë të çmuar çdo ditë dhe po i shkakton vetes dëm politik dhe ekonomik – gjë që në mënyrë të pashmangshme e zvogëlon rëndësinë e saj.” – potencon Ambasada gjermane.
Sipas këtij misioni diplomatik, Kosova nuk mund të përballojë vazhdimin e ngërçit edhe për 6 muaj të tjerë, pasi që është humbur tashmë shumë kohë dhe energji.
“Zgjidhja më e mirë do të ishte që deputetët e zgjedhur dhe udhëheqësit e partive më në fund të bashkohen në një frymë kompromisi dhe të gjejnë një rrugë përpara, duke vënë vendin dhe qytetarët në radhë të parë.” – vlerëson Ambasada gjermane.