Nga pozita në pozitë – Njeriu i VV-së që pati ‘telashe’ me drejtësinë do t’i ‘vjelë’ taksat e qytetarëve – Kush është Mentor Hyseni - Gazeta Express
string(123) "nga0-pozita-ne-pozite-njeriu-i-vv-se-qe-pati-telashe-me-drejtesine-do-ti-vjele-taksat-e-qytetareve-kush-eshte-mentor-hyseni"

Lajme

Gazeta Express

14/08/2025 15:08

Nga pozita në pozitë – Njeriu i VV-së që pati ‘telashe’ me drejtësinë do t’i ‘vjelë’ taksat e qytetarëve – Kush është Mentor Hyseni

Lajme

Gazeta Express

14/08/2025 15:08

Emërimi i Mentor Hysenit në krye të Administratës Tatimore të Kosovës, gjatë ditës së djeshme, nxiti reagime të shumta ndaj zgjedhjes së tij si udhëheqës i ATK-së. Këto kritika u bën për shkak të lidhjes së Hysenit me Lëvizjen Vetëvendosje, pasi që i njëjti në mes tjerash ka qenë edhe kandidat për deputet nga kjo parti, shkruan Gazeta Express.

‘‘Shembull tipik i kapjes të institucioneve publike’’, tha dje Eugen Cakolli nga IKD, se është emërimi i Hysenit si drejtor në këtë institucion.

Ai vlerësoi edhe se veprimi në fjalë rrezikon që ta shndërrojë ATK’në në ‘‘instrument politik’’.

Reagime erdhën edhe nga politika, ku anëtarët e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku e Arben Mustafa ndër tjerash e panë edhe si kapje të ATK-së nga lideri i VV-së Albin Kurti.

Çitaku tha VV-ja është zhveshur nga të gjitha vlerat që ata kishin predikuar sa ishin në opozitë.

‘‘…këta që nga opozita bënin betejë kundër nepotizmit e klientelizmit, dhe e kishin gojën plot meritokraci e parime, me të ardhur në pushtet u zhveshën nga çdo vlerë që predikonin’’, ka thënë mes tjerash deputetja e PDK-së.

Ndërsa Mustafa vlerësoi se ‘‘lufta ndaj bizneseve sot kaloi në një nivel tjetër’’, me zgjedhjen e Hysenit.

Por, kush është Mentor Hyseni?

Hyseni i cili ka bërë studime të doktoraturës në fushën e Financave dhe Ekonomisë Ndërkombëtare në Qendrën Europiane për Paqe dhe Zhvillim, është anëtarësuar në LVV në gusht të vitit 2019.

Qe prej atëherë, Hysenit duket se i ka buzëqeshur “fati” me pozita të ndryshme. Fillimisht ai hyri në listën e VV-së për zgjedhjet e atij, porse i njëjti s’kishe arritur votat e mjaftueshme për tu bërë deputet.

Megjithatë, ai s’kishte mbetur aspak keq. Vetëm pak muaj pas zgjedhjeve, pasi që ishte formuar qeveria e Kurtit, Hysenit i ishte bërë vendi në Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”.

‘Suksesi’ i Hyseni nuk përfundon këtu, pasi që në vitet që pasuan anëtari i VV-së ndërroi edhe disa pozita.

Njeriu i VV-së pas kësaj pozite, arriti të sigurojë edhe një tjetër pozitë udhëheqëse. Atë të drejtorit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit. Pozitë të cilën ai e mbajti deri vonë.

Në fakt kjo ishte pozita e fundit që ai ushtroi para se të zgjidhej si drejtor i ATK-së.

Megjithatë, ‘fati i mirë’ s’ishte i vetmi që e ndoqi anëtarin e VV-së gjatë qeverisjes së partisë së tij.

Hyseni pati edhe disa telashe gjatë këtyre viteve. Telashe me drejtësinë.

Në korrikun e 2021, njeriut të VV-së, i ishte ngritur aktakuzë.

Prokuroria Themelore e Prishtinës kishte konfirmuar atëkohë që Hysenit, aktakuza i ishte ngritur për ‘‘Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”.

“Prokurori i Shtetit pas shqyrtimit të lëndës dhe analizimit të provave ka ngritur Aktakuzë pran Gjykatës Themeiore në Prishtinë kundër të pandehurit Mentor (Heset) Hyseni, për veprën penale “Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare” nga neni 430 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhej në përgjigjen e Prokurorisë Themelore të Prishtinës që e kishin raportuar mediat asokohe.

Por aktakuza s’është e tëra. Ndaj Hysenit ka edhe vendim dënues nga Gjykata Themelore e Prishtinës. Kështu ka raportuar Insajderi muaj më parë.

“ËSHTË FAJTOR | Sepse: Tani i akuzuari M.H se, në cilësinë e zyrtarit të lartë publik, Anëtar i Bordit të Drejtorëve – Agjencia Kosovare e Privatizimit, Prishtinë, me dashje ka vepruar në kundërshtim me nenin 5 par. 1 të Ligjit për Deklarim, Prejardhjen dhe Kontrollimin e Pasurisë së Zyrtarëve të Lartë Publik, në atë mënyrë që i njëjti edhe pse ka qenë i obliguar të bëjë deklarimin e pasurisë në afatin e parapare ligjor (brenda 30 ditëve), i njëjti nuk e ka deklaruar pasurinë brenda këtij afati, përkatësisht nga 01 mars deri me 31 mars të vitit 2022, për vitin paraprak nga 1 janari deri me 31 dhjetor të vitit 2021”, thuhet në vendimin e Gjykatës.

Për këtë çështje Gazeta Express ka dërguar pyetje në Gjykatën Themelore, për të marrë përgjigje dhe për të kuptuar se shumë rreth këtij vendimi. Porse nga dje, ende kjo gjykatë s’ka kthyer përgjigje.

Përveç telasheve personale me drejtësinë, dhe, afërsisë me partinë në pushtet, emërimi i Hysenit në pozita të rëndësishme ku menaxhohen shuma të mëdha parash, e ka edhe një problematikë tjetër. Sidomos emërimi i tij i fundit në ATK-së.

Bëhet fjalë për aktgjykimin e Gjykatës Supreme, e cila para disa javësh e shpalli si të paligjshëm dhe duke e shfuqizuar udhëzimin administrativ për pajisjet elektronike fiskale, sistemeve fiskale dhe softuerëve elektronikë fiskalë të hartuar nga Ministria e Financave.

“… gjykata vlerëson se ministri në detyrë përgjegjës për nënshkrimin e aktit nënligjor normativ të kontestuar i ka përfunduar mandati dhe përkatësisht ka qenë ministër në dorëheqje në momentin e nënshkrimit, përkatësist publikimit të tij në Gazetën Zyrtare” – thuhet në aktgjykim.

Këtë çështje e komentoi edhe Cakolli në reagimin e tij, ku tha se emërimi i Hyseni është shkelje e këtij aktgjykimi të Supremes.

‘‘…ky vendim përbën vazhdimësi të shkeljes së kufizimeve ligjore mbi kompetencat e një qeverie në detyrë dhe është mosrespektim i hapur i aktgjykimit të fundit të Gjykatës Supreme, pikërisht në raport me (ish-)Ministrin e Financave’’, shkroi ai në postimin e tij.

Ndërkaq, sot, Hyseni e pranoi detyrën e tij të re nga Ilir Murtezaj, mandati i të cilit ka përfunduar. Në njoftimin lëshuar për media, theksohet se Hyseni ka dhënë zotimin se do të punojë ngushtë edhe me stafin e ATK-së por edhe me partnerët institucionalë. Ai po ashtu, bëhet e ditur, ka shprehur mirënjohje për besimin që i është dhënë. /GazetaExpress