Nga Twitteri në zyrat e LDK-së, Heldt i kërkon Mustafës që Qeveria të bëhet sa më shpejt - Gazeta Express
string(87) "nga-twitteri-ne-zyrat-e-ldkse-heldt-i-kerkon-mustafes-qe-qeveria-te-behet-sa-me-shpejte"

Nga Twitteri në zyrat e LDK-së, Heldt i kërkon Mustafës që Qeveria të bëhet sa më shpejt

Gazeta Express

05/12/2019 15:35

Përplasjet e fundit VV – LDK që po i mbajnë të dy partitë pa arritur marrëveshje për koalicion, si duket kanë alarmuar ndërkombëtarët, të cilët janë duke i përsëritur thirrjet që qeveria të krijohet sa më shpejt. Për këtë temë, në zyrat e LDK-së, partisë së dytë më të votuar në zgjedhje, ka shkuar sot ambasadori gjerman në Kosovë, Christian Held. Ambasada gjermane ka folur për Gazetën Express pas vizitës.

Gazeta Express

Lexo Edhe:

Një ditë pasi që u shpreh i qartë në thirrjen e tij për formim sa më të shpejtë të qeverisë së re, që po tentohet të bëhet nga Lëvizja Vetëvendosje e Lidhja Demokratike e Kosovës, ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christan Held, i shkoi sot në zyrë kreut të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, partia e të cilit ka rritur së fundmi kushtet të cilat kërkon që t’i plotësohen që të nënshkruajë marrëveshjen me VV-në.

Pavarësisht se takimi nuk ishte bërë i ditur për media, në një përgjigje për Gazetën Express, Ambasada gjermane e ka cilësuar si normale vizitën.

Sipas saj, dy muaj pas zgjedhjeve të përgjithshme është normale që ambasadori të takohet me partitë fituese.

“Është shumë normale që ambasadori të takohet me partitë fituese dy muaj pas zgjedhjeve të përgjithshme”, ka njoftuar Ambasada.

Për takimin, përmes një komunikate për media ka dhënë detaje edhe Lidhja Demokratike e Kosovës.

LDK-ja ka shkruar se kryetari i partisë, i shoqëruar nga nënkryetarja Vjosa Osmani, kanë takuar ambasadorin Heldt.

Mustafa e ka njoftuar ambasadorin gjerman për rrjedhjen e bisedimeve me partinë e Albin Kurtit.

“Poashtu kryetari Mustafa e njoftoi z. Heldt për rrjedhën e bisedimeve me LVV-në drejt formimit të koalicionit bashkëqeverisës. Z. Heldt falënderoi kryetarin Mustafa për pritjen dhe bashkëpunimin dhe shprehu gatishmërinë që ky partneritet të vazhdojë edhe në të ardhmen”, shkruhet në komunikatën e lëshuar për media.

Kujtojmë që një ditë më parë, Heldt ka pasur një kërkesë për klasën politike në vend, në veçanti për fituesit e zgjedhjeve, VV-në dhe LDK-në, të cilët ende nuk po arrijnë të formojnë Qeverinë. Ai kërkon që Kuvendi të mblidhet sa më shpejt.

“Në këtë rajon ekziston konkurrenca. Ku duam të jemi pas 10 ose 20 vjetësh. Këto ndoshta janë disa nga çështjet e para që duhet theksuar. Ekziston një numër i madh i sfidave premtuese me të cilat mund të përballet qeveria e ardhshme. Formojeni këtë qeveri sa më shpejt që është e mundur, mblidheni Parlamentin pasi ka shumë punë që duhet të bërë. Arsimi është kyç, pastaj tregu i punës”, ka thënë ai.

Tutje, Heldt ka shtuar se në Kosovë ka gjëra që vërtet mund dhe duhet të trajtohen.

“Ekziston një sfidë që mund të përmbushet po që ndodhet jashtë vendit e që është keqkuptimi që ka të bëjë me imazhin. Njerëzit e kanë mendimin se Kosova është një vend i dalë nga lufta, por kjo ndryshon sapo njerëzit vijnë në Kosovë. Ka gjëra që vërtetë mund të trajtohen këtu, së pari është çështja e aftësive të tregut, arsimimi, a është gjithmonë e nevojshme për të pasur një diplomë. Si mund të marrin staf të kualifikuar, këta nuk janë akademikët, por teknikët. Ka të bëjë me aftësimin e fuqisë punëtore. Pika tjetër, besueshmëria e furnizimit me energji elektrike. Një pikë tjetër si infrastruktura ligjore, juridike, investitorët ju duhet të presin me vite për të marrë vendimin për të vazhduar me një projekt”, tha ai.

Përveç Gjermanisë, edhe ambasadat tjera në vend ju kanë kërkuar VV-së e LDK-së që sa më shpejtë të kryejnë procedurat për fillim të punës së institucioneve. /GazetaExpress/