Kompani të shumta globale nga vende si Arabia Saudite, Azerbajxhani, Emiratet e Bashkuara Arabe, Kina, Afrika e Jugut dhe Pakistani po prezantojnë produktet e tyre në fushat e mbrojtjes dhe aviacionit gjatë Panairit Ndërkombëtar të Industrisë së Mbrojtjes 2025 (IDEF), që do të mbahet për gjashtë ditë në Stamboll.
Sipas Anadolu Agency, ky edicion i 17-të i panairit ka mbledhur mbi 400 kompani të huaja të teknologjisë dhe industrisë së mbrojtjes nga 44 vende të botës, si dhe rreth 900 vendase.
Bëhet e ditur se pjesëmarrës janë gjigandë globalë si BAE Systems, Rolls-Royce, Lockheed Martin dhe Airbus. Ndërsa, nga kompanitë vendase po marrin pjesë emra kryesorë të industrisë turke si Baykar, Turkish Aerospace Industries (TAI), Aselsan, Havelsan, Roketsan, FNSS, Otokar, MKE, si dhe shumë kompani të tjera.
Bëhet e ditur se kompania turke Havelsan ka prezantuar një sërë produktesh të avancuara me sisteme për vendimmarrje të mbështetura nga Inteligjenca Artificiale.
Në IDEF 2025, prezantohen tanke kryesore luftarake, automjete të blinduara luftarake, sisteme për luftë elektronike, raketa balistike taktike, raketa mbrojtëse ajrore, raketa të drejtuara dhe automjete tokësore pa pilot. E poashtu, në sektorin ajror prezantohen platforma me krahë të palëvizshëm, teknologji për luftë elektronike, sisteme mbrojtëse ajrore, satelitë, dronë dhe motorë avionësh.
Ndërsa, në sektorin detar përfshihen anije luftarake dhe mbështetëse, platforma me krahë të palëvizshëm dhe të lëvizshëm, mjete sipërfaqësore dhe nëndetëse pa pilot, si dhe sisteme të komandimit, kontrollit dhe komunikimit.