Nga sulmet ndaj mediave e gjuhës vulgare ndaj opozitës, Dimal Basha “realizohet” në politikë, “kap” një nga postet më të larta në shtet - Gazeta Express
string(130) "nga-sulmet-ndaj-mediave-e-gjuhes-vulgare-ndaj-opozites-dimal-basha-realizohet-ne-politike-kape-nje-nga-postet-me-te-larta-ne-shtet"

Lajme

Gazeta Express

26/08/2025 13:05

Nga sulmet ndaj mediave e gjuhës vulgare ndaj opozitës, Dimal Basha “realizohet” në politikë, “kap” një nga postet më të larta në shtet

Lajme

Gazeta Express

26/08/2025 13:05

“Kosova vend i mundësive”. Kjo është fraza që shihet më së shumti nëpër postime në rrjete sociale, në reagimet që po bëhen pasi deputeti nga Ferizaji që arriti të kapë një nga pozitat më të lartë në shtet.

Basha sot është ulur në karrigen e kryetarit të Kuvendit pas gjashtë muajsh bllokadë politike, që nga zgjedhjet e 9 shkurtit. Ai në këtë pozitë është zgjedhur me votat e PDK-së dhe AAK-së, derisa LDK ka votuar kundër duke e konsideruar zgjedhjen e Bashës si një “fitore të injorancës”

Por kush është Dimal Basha që pasi u kthye nga Amerika arriti të realizojë “ëndrrën kosovare”  dhe çfarë ka thënë e bërë përgjatë gjithë kësaj kohe sa është aktivizuar politikisht në Lëvizjen Vetëvendosje?

Dimal Basha ka lindur më 12 tetor 1979 në Prishtinë dhe jeton në qytetin e Ferizajt. Studimet e larta i ka përfunduar në “John Jay College of Criminal Justice” në New York, duke diplomuar në drejtimin “E Drejta Penale Ndërkombëtare.” Sipas biografisë së tij në faqen e LVV-së, thuhet se gjithashtu Basha ka përfunduar studimet Master në Marrëdhënie Ndërkombëtare, me fokus në “Konflikt dhe Siguri,” në Universitetin “The New School University,” po ashtu në New York.

Ndonëse me gjithë këtë bagazh akademik, Dimal Basha, përgjatë gjithë këtyre viteve të angazhimit të tij politik, njihet vetëm për një gjë. Sulme të përditshme ndaj opozitës dhe mediave.

Basha ka qenë një prej figurave qendrore të partisë së Albin Kurtit që ka udhëhequr në baza ditore fushatën kundër mediave dhe kundër gazetarëve, me fjalë nga më të rëndat.

Këtë ai, nuk e ka bërë vetëm në profilin e tij në ‘facebook’ ku shkruan rregullisht, por edhe në paraqitjet e tij mediatike. Në një intervistë në televizionin publik të Kosovës, Basha një pyetje të gazetares së RTK-së për Asociacionin, e kishte cilësuar si një pyetje që do t’i interesonte televizionit publik të Serbisë.

Basha në postimet e tij ka tentuar që gjithmonë t’i bëjë bashkë mediat dhe partitë opozitare, si e “keqja” që po i kundërvihet qeverisë së Albin Kurtit.

Ai kishte shkuar aq larg, sa që pas zgjedhjeve të 9 shkurtit në një shpërthim emocional kishte përdorur shprehje me fjalë +18, duke iu drejtuar partive opozitare dhe mediave.

Në të njëjtin shkrim në profilin e tij në ‘facebook’ të datës 9 shkurt, pak para mesnatës, Basha kishte futur në përdorim edhe fjalën “langareca”

“Ku jeni o *. Për katër vjet, me media, me oligarkë, me miliona, me drejtësi, me Serbi… krejt bashkë edhe krejt këtë marre për 1% në vit a? Heeeej, edhe në fushatë jenir rrasë duke vrapu si langareca edhe prapë s’un e lëvizët! I palëvizshmi, i palëkunduri, i pathyeshmi.. Kryeministri KURTI! Vazhdojmë”, kishte shkruar Basha.

Basha të njëjtën qasje anti-media e ka pasur edhe në një postim të datës 5 tetor 2024, duke thënë se “opozita kontrollon mediat”

“Megjithatë, OPOZITA me mediat e tyre të kontrolluara vazhdojnë me shit mjegull dhe me thënë se qytetarët janë shumë keq!”, kishte shkruar ai.

Basha në disa raste ka sulmuar edhe Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës sa herë AGK kishte reaguar në mbrojtje të gazetarëve dhe lirisë së mediave në Kosovës.

Deputeti Basha, që sot është zgjedhur kryeprlamentare kishte shkuar aq larg sa kishte sulmuar edhe përfaqësuesin e Reporterëve pa Kufij, pas publikimit të raportit në të cilin Kosova pëson rënie drastike në indeksin e lirisë se shtypit në dy vitet e fundit.

Basha i është referuar Pavol Szalait si “hungarez” dhe i kishte kërkuar të merrej me problemet në “shtetin e tij”, për t’u rikthyer më pas me kërkimfalje për huqjen e origjinës së Szalait./GazetaExpress/