Nga sot procesi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë hyn në fazën përfundimtare.
Prej sot deri më 18 shkurt në Dhomat e Specializuara palët do të paraqesin fjalën përfundimtare për gjykimin.
Seancat e para janë planifikuar për prokurorinë, pastaj mbrojtësin e viktimave e mbrojtjen e të akuzuarve.
Në seancën e fundit Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi do t’i kenë në dispozicion nga 20 minuta për të dhënë qëndrimet e tyre.
Njohës të këtij procesi presin që fundi të jetë triumfues për katershen.
Sipas avokatit Ardian Bajraktari, pala mbrojtëse e tyre është në avantazh për shkak të kredibilitetit të dëshmitarëve.
“Ecuria e procesit tashmë po shkon drejt fundit dhe sipas këtyre parametrave vlerësoj se kah qershori ose korriku do ta kemi verdiktin e trupit gjykues në shkallë të parë, e në rast se ka drejtësi unë jam optimist se fundi i procesit do të jetë triumfues, do të jetë rikonfirmues sa i përket pastërtisë së luftës së UÇK-së”, tha për RTK-në Ardian Bajraktari, avokat.
Njëjtë mendon edhe drejtori i Institutit për Drejtësi, Ehat Miftaraj i cili ngriti shqetësime për qasjen e trupit gjykues e cila sipas tij nuk ka qenë e barabartë.
“Trupi gjykues nuk është që ka pasur një qasje të drejtë e të barabartë, të paanshme si për prokurorët, ashtu edhe për mbrojtësit e viktimave ashtu edhe oër të pandehurit dhe avokatët mbrojtës. Fatkeqësisht ka pasur masa të paraburgimit përtej afatit të arsyeshëm kohor. Për ne është e pakuptimtë që të pandehurit të mbahen në paraburgim për vite të tëra. Nëse do të kemi një aktgjykim lirues, atëherë cili do të jetë arsyetimi i gjykatës”, ka thënë për RTK-në Ehat Miftaraj.
Pas fjalës përfundimtare, trupi gjykues ka 90 ditë kohë për të marrë një vendin të shkallës së parë.