Kombëtarja shqiptare do t’i nisë përgatitjet për sfidat e muajit mars në kuadër të fazës “play-off” për Kupën e Botës 2026, me synimin për ta siguruar një vend në kompeticionin më të madh të futbollit botëror.
Sipas programit të përcaktuar, trajneri Sylvinho do ta bëjë publike listën e lojtarëve të grumbulluar ditën e shtunë, më 21 mars, në orën 10:00, ndërsa në orën 11:00 do të zhvillohet edhe konferenca për shtyp në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit”, njofton FSHF-ja.

Grumbullimi zyrtar i Kombëtares do të nisë më 23 mars, ditë e hënë, kur do të zhvillohet edhe seanca e parë stërvitore në prag të sfidës me Poloninë.
Kuqezinjtë do të zbresin në fushë më 26 mars për t’u përballur me Poloninë, ndërsa më 31 mars Shqipëria do ta luajë ndeshjen e radhës ndaj fituesit ose humbësit të çiftit Ukrainë – Suedi. /Gazeta Express