string(85) "nga-persik-ne-arabik-trump-shqeteson-iranianet-me-planin-tij-te-riemertimit-te-gjirit"

Lajme

Gazeta Express

07/05/2025 16:14

Nga Persik në ‘Arabik’, Trump shqetëson iranianët me planin tij të riemërtimit të Gjirit

Lajme

Gazeta Express

07/05/2025 16:14

Sipas dy zyrtarëve amerikanë, The Guardian po raporton se presidenti amerikan Doland Trump është duke planifikuar të njoftojë se ShBA-të do t’i referohen Gjirit Persik me emrin “Gjiri Arabik”.

Bëhet e ditur se liderët iranianë veçse kanë nisur të kundërshtojnë riemërtimin e Gjirit nga ShBA, duke thënë se një gjë e tillë do të ishte “tregues i qëllimit armiqësor ndaj Iranit”. Ministri aktual i jashtëm i Iranit tha se emrat e rrugëve ujore të Lindjes së Mesme “nuk nënkuptojnë pronësi nga ndonjë komb i veçantë, por përkundrazi pasqyrojnë një respekt të përbashkët për trashëgiminë kolektive të njerëzimit”.

“Përpjekjet e motivuara politikisht për të ndryshuar emrin e Gjirit Persik, të vendosur historikisht, tregojnë qëllime armiqësore ndaj Iranit dhe popullit të tij dhe dënohen me forcë”, ka shkruar Abbas Araghchi në platformën sociale X.

Në detaje të tjera thuhet se njoftimi i Trumpit në lidhje me këtë ndryshim të planifikuar, do të bëhet gjatë udhëtimit të tij në Arabinë Saudite që do të realizohet javën e ardhshme.

Kujtojmë se Gjiri Persik njihet gjerësisht me këtë emër që nga shekulli i 16-të, megjithëse përdorimi i emrit “Gjiri i Arabisë” dhe “Gjirit Arabik” është dominues në shumë vende në Lindjen e Mesme. E edhe ushtria amerikane për vite me radhë i është referuar Gjirit në mënyrë të njëanshme si Gjiri Arabik në deklaratat dhe imazhet që publikon.

Emri i këtij Gjiri është edhe çështje emocionale për iranianët të cilët përqafojnë historinë e gjatë të vendit të tyre, si Perandoria Perse. Trump kishte shkaktuar tension për këtë çështje edhe gjatë mandatit të tij të parë në 2017, kur përdori emrin Gjiri Arabik, atëkohë presidenti iranian Hassan Rouhani, i kishte sugjeruar Trumpit që duhej “të studionte Gjeografinë”.

Mos të harrojmë që ky veprim i Trumpit, vjen disa muaj pasi ai tha se ShBA-të do t’i referoheshin Gjirit të Meksikës si “Gjiri i Amerikës”.