Nga pazaret te akuzat: Kush po e mashtron opinionin publik në Strugë? - Gazeta Express
string(67) "nga-pazaret-te-akuzat-kush-po-e-mashtron-opinionin-publik-ne-struge"

Maqedoni

Gazeta Express

23/12/2025 15:49

Nga pazaret te akuzat: Kush po e mashtron opinionin publik në Strugë?

Maqedoni

Gazeta Express

23/12/2025 15:49

Këshilltarët komunalë të Strugës nga radhët e Aleancës Kombëtare për Integrim (AKI) kanë reaguar ashpër ndaj deklaratave të fundit të Mendi Qyrës, duke i cilësuar ato si akuza selektive dhe përpjekje për të relativizuar të vërtetën politike para opinionit publik. Në reagimin e tyre, këshilltarët e AKI-së theksojnë se, për hir të transparencës ndaj qytetarëve të Strugës, ndihen të detyruar të sqarojnë disa fakte që, sipas tyre, janë të pamohueshme dhe të dokumentuara publikisht.

Sipas AKI-së, Lista Merko, të cilës Qyra sot i referohet si të koordinuar me AKI-në për bllokimin e punës së Këshillit, në fakt ka mbështetur publikisht kandidaturën e tij për kryetar të Këshillit Komunal. Madje, sipas reagimit, edhe Ramiz Merko ka deklaruar hapur për media se nuk e mbështet kandidatin e AKI-së – fakte që, siç thuhet, nuk mund të fshihen me retorikë të re politike.

Këshilltarët e AKI-së sqarojnë se propozimi i tyre për Kryetar të Këshillit Komunal nuk u mbështet me katër vota, ku përfshiheshin votat e vLEN-it, VMRO-DPMNE-së, LSDM-së, Levicës dhe Listës Merko. Sipas tyre, kjo dëshmon se nuk ka pasur mungesë vullneti institucional nga ana e AKI-së, por një bashkërendim të qartë politik për ta rrëzuar propozimin e tyre. “Bllokimi institucional nuk është krijuar nga AKI, por është produkt i drejtpërdrejtë i pazareve politike të zhvilluara larg syrit të opinionit publik”, thuhet në reagim. Këshilltarët shtojnë se në ditë të caktuara është vepruar në koordinim të plotë vetëm për të rrëzuar propozimet e AKI-së, çka sipas tyre tregon se problemi nuk ka qenë funksionimi i Këshillit, por frika nga propozime që nuk kontrolloheshin politikisht.

AKI thekson gjithashtu se në seancën e kaluar ishin këshilltarët e VMRO-DPMNE-së ata që e braktisën seancën, duke tentuar të paralizojnë punën e Këshillit. Në kontrast me këtë, këshilltarët e AKI-së, sipas reagimit, qëndruan në seancë dhe votuan pro zgjerimit të buxhetit, duke treguar përgjegjësi institucionale dhe duke vendosur interesin e qytetarëve mbi kalkulimet politike.

Në reagim përmendet edhe qëndrimi i Mendi Qyrës gjatë fushatës zgjedhore, kur, sipas AKI-së, ai ishte distancuar publikisht nga kjo parti, ndërsa sot tenton të paraqitet si faktor uniteti. “Qëndrimet politike nuk ndërrohen sipas nevojës së ditës dhe interesit momental”, thuhet më tej. Këshilltarët e AKI-së theksojnë se nuk kanë hyrë dhe nuk do të hyjnë në pazare të errëta politike në dëm të qytetarëve, duke nënvizuar se qëndrimi i tyre mbetet i pandryshuar: respektim i procedurave, transparencë, barazi dhe dinjitet institucional.

“Do të vazhdojmë të mbështesim çdo pikë të rendit të ditës që është realisht në interes të qytetarëve të Strugës, por kurrsesi nuk do të bëhemi pjesë e marrëveshjeve të fshehta politike që dëmtojnë besimin publik dhe funksionimin institucional”, përfundohet në reagim, duke shtuar se çdo përpjekje për zhvendosjen e fajit është e kotë, pasi qytetarët e dinë mirë se kush ka vepruar me përgjegjësi dhe kush ka zgjedhur pazarin në vend të parimit.

Ndryshe, kryetari i Komunës së Strugës, Mendi Qyra, sot ka akuzuar ashpër opozitën për bllokim institucional dhe për krijimin e një, siç e quajti ai, “koalicioni të fshehtë anti-qytetar” në dëm të interesave të qytetarëve të Strugës. Sipas Qyrës, strukturat e vjetra politike në Strugë, të përfaqësuara nga AKI, LSDM dhe Lista Merko, kanë vepruar së bashku për të paralizuar institucionet komunale dhe për të penguar zhvillimin e qytetit.

Megjithatë, Qyra dhe VLEN, sipas opozitës, ka bërë marrëveshje që kryetar i Këshillit tqë emërohet nga radhët e VMRO-së, por kanë shpresuar që të mos i kërkojnë votat e këshilltarëve të Listës Merko, por që kandidati i VMRO-së të mbështetet nga LSDM, gjë që nuk ndodhi. (koha.mk)

Advertisement
Advertisement
Advertisement