Në vitet ’90, Pokémon u sulmua ashpër nga prindër, media dhe figura fetare. Disa pastorë të krishterë në SHBA e shpallën Pikachu-n “demon”, ndërsa revista Time e quajti gjithë fenomenin një “skemë Ponzi të rrezikshme”.
Sot, teksa Pokémon feston 30-vjetorin, ai qëndron si një nga shembujt më të fuqishëm se si videolojërat mund të bashkojnë njerëzit në mbarë botën.
Për shumë fëmijë të asaj kohe, përfshirë edhe autorin e këtij rrëfimi, Pokémon ishte një ëndërr dhe një botë ku miqësia, besimi dhe puna e palodhur shpërbleheshin. Kampionatet Botërore të Pokémon-it, të mbikëqyrura nga një Pikachu gjigant, sot mbledhin lojtarë dhe familje që ndajnë pa komplekse dashurinë për këto lojëra. Prindërit që dikur dyshonin, tani shohin fëmijët e tyre të garojnë me krenari.

Që nga publikimi i versioneve të para Red dhe Blue në Japoni në vitin 1996, Pokémon është renditur përkrah klasikëve të letërsisë për fëmijë si Harry Potter apo Narnia: një fantazi vetëpërcaktimi, ku fëmijët nisen vetëm në botë, pa mbikëqyrje të vazhdueshme të të rriturve. Loja u konceptua që në fillim si përvojë shoqërore: për të “mbledhur të gjithë” Pokémon-ët, lojtarët duhej të shkëmbenin dhe të bashkëpunonin me njëri-tjetrin.
Sot, Pokémon është franshiza argëtuese me të ardhurat më të larta në histori – mbi 100 miliardë dollarë – duke tejkaluar Star Wars dhe Marvel. Por rrënjët e saj janë modeste. Krijuesi Satoshi Tajiri, i lindur në periferi të Tokios, ishte një fëmijë i apasionuar pas insekteve, i njohur si “Dr Bug”. Ideja për Pokémon lindi nga vëzhgimi i fëmijëve që lidhin Game Boy-t për të luajtur Tetris: Tajiri imagjinoi “krijesa” që kalonin nga një pajisje në tjetrën.
Suksesi nuk erdhi menjëherë. Loja ishte prodhim i një ekipi të vogël dhe u përhap gojë më gojë në oborret e shkollave. Por gjenialiteti qëndronte te fakti se versionet ishin të ndryshme dhe kërkonin bashkëpunim. Kablloja e Game Boy-t, që te Tetris shërbente për garë, te Pokémon u kthye në mjet lidhjeje.

Megjithatë, me famën erdhi edhe frika. Në SHBA dhe Evropë, Pokémon u pa si një “kërcënim japonez” për fëmijët, me tone shpesh ksenofobe. U kërkuan ndalime të serialit dhe u përhapën teori absurde për ndikime satanike. Kjo klimë bëri që Tajiri të tërhiqej nga vëmendja publike, edhe pse ai vazhdon të jetë i përfshirë në krijimin e lojërave.
Në vitin 2016, Pokémon Go e çoi këtë filozofi lidhjeje në një nivel të ri. Loja nuk ofroi thjesht arratisje nga realiteti, por i nxiti njerëzit të dilnin jashtë, të eksploronin lagjet e tyre dhe të takoheshin me të tjerë. Për disa muaj, parqet dhe sheshet u mbushën me njerëz që shikonin botën me një sy tjetër, sikur magjia të ishte fshehur pas çdo cepi.
Edhe pas 30 vitesh, thelbi i Pokémon mbetet i njëjtë: marrëdhënia mes njerëzve, natyrës dhe krijesave imagjinare. Është një univers që flet për bashkëjetesë dhe evolucion, duke treguar se videolojërat nuk janë vetëm argëtim, por edhe ura të fuqishme lidhjeje. Miliona njerëz në mbarë botën janë bashkuar nga këto krijesa të imagjinuara – të lindura nga dashuria e një djali për botën natyrore. /GazetaExpress/