Mbrëmjen e kaluar, disa qytete të Serbisë janë përfshirë nga përleshje të ashpra mes policisë dhe protestuesve kundër qeverisë. Qytetarët, të revoltuar pas dhunës së ushtruar nga mbështetës të Partisë Progresive Serbe (SNS) ndaj civilëve gjatë protestave të mëhershme në dy qytete të Vojvodinës, kanë rrethuar selitë lokale të kësaj partie.
Policia dhe njësitë e xhandarmërisë kanë përdorur gaz lotsjellës për të shpërndarë turmat, ndërsa raportohet për shumë të plagosur nga radhët e protestuesve, si dhe disa efektivë policie. Protestuesit pretendojnë se në mesin e tyre janë infiltruar provokatorë që kanë ushtruar dhunë për të nxitur ndërhyrjen e forcave të rendit.
Prokuroria ka urdhëruar identifikimin dhe ndjekjen penale të personave që kanë sulmuar policinë. Ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiç, ka konfirmuar plagosjen e “shumë qytetarëve” dhe të paktën gjashtë policëve. Ai shtoi se personi që nxori armën para selisë së SNS në Novi Sad është një ushtar i Ushtrisë së Serbisë, i cili pretendohet të ketë qenë në një “mision sigurie për një person të mbrojtur”.
Janë arrestuar shumë persona, por sipas gazetarëve në terren, është e pamundur të përcaktohet numri i saktë i të ndaluarve. Situata më e rënduar u shënua në Beograd, Novi Sad, Nish dhe disa qytete të tjera. Në Lazarevc, qytetarët arritën të çajnë kordonin policor.
Protestat në shumicën e qyteteve përfunduan pas mesnate.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, në një deklaratë të jashtëzakonshme pak para mesnatës, akuzoi protestuesit për nxitjen e dhunës dhe u shpreh se “nuk do të ketë luftë civile” dhe se ushtria nuk do të aktivizohet në rrugë. Rreth orës 21:00, Vuçiç doli në qendër të Beogradit për të përshëndetur mbështetësit e tij.
“Sot dhe sonte Serbia është ngritur si asnjëherë më parë. Ata nuk kanë mbledhur më shumë se 4000 vetë në gjithë Serbinë, ndërsa njerëzit tanë janë shumëfish më të shumtë dhe duan vetëm një jetë të dinjitetshme”, u shpreh Vuçiç para simpatizantëve të SNS-it.
Ai kërkoi falje “njerëzve të thjeshtë dhe të ndershëm” që, sipas tij, nuk kanë përfituar kurrë asgjë nga partia që mbështesin. Në mesin e turmës në Beograd është filmuar edhe vëllai i tij, Andrej Vuçiç.
Në një ton dramatik, ai pretendoi se në Novi Sad “deri para pak minutash ishte në pikëpyetje nëse do të mbijetonin rreth 300 qytetarë” që mbronin selinë e SNS-it, duke akuzuar protestuesit si “bllokues dhe dhunues”.
Në kontrast me deklaratat e presidentit dhe policisë, protestuesit i akuzojnë mbështetësit e SNS-it për dhunë të organizuar dhe të koordinuar, duke përfshirë persona me të kaluar të dyshimtë që, sipas tyre, janë angazhuar për të provokuar përplasje me qëllim ndërhyrjen e policisë.
Studentët kanë publikuar një video nga Novi Sadi që tregon një grup burrash të maskuar me shkopinj në drejtim të Kampusit Universitar. Më vonë, ata dyshohet se kanë sulmuar një të ri që kishte bllokuar rrugën me motorin e tij.
Protestuesit thonë se kanë dalë në rrugë për shkak të politikave të partisë në pushtet dhe vetë Vuçiçit, të cilët, sipas tyre, refuzojnë të vendosin sundimin e ligjit, të rregullojnë institucionet dhe të ndëshkojnë fajtorët për tragjedinë e 1 nëntorit 2024 në stacionin hekurudhor të Novi Sadit, ku humbën jetën 16 të rinj pas rrëzimit të një ndërtese ndihmëse.
Pas kësaj tragjedie, ka nisur një valë protestash të udhëhequra nga një lëvizje studentore që kërkon shtet funksional, luftë kundër korrupsionit, institucione të pavarura dhe drejtësi. Një nga kërkesat kryesore të tyre aktuale është shpallja e zgjedhjeve të parakohshme – kërkesë që qeveria vazhdon ta refuzojë.
Vuçiç, pas një takimi me kancelarin austriak Christian Stocker, deklaroi se “shumë në BE kanë shpresuar për ndërrim pushteti në Serbi” dhe akuzoi organizatat joqeveritare për financim të huaj dhe për “qëndrim pothuajse unik kundër qeverisë dhe shtetit serb”.
Për çështjen e zgjedhjeve, presidenti tha se ato do të mbahen “përpara afatit kushtetues dhe ligjor”, por nuk specifikoi se kur.