Kryeprokurori Blerim Isufaj në një intervistë për “KallxoPërnime” foli për tema të ndryshme që kanë qenë në fokus të debatit publik, përfshirë mosdekretimin e tij si Kryeprokuror i Shtetit, tërheqjen e urdhër-arrestit ndaj Milan Radoiçiqit në vitin 2021, raportet me Kryeministrin në detyrë Albin Kurti, dhe sfidat në luftën kundër korrupsionit dhe krimeve të rënda.
Isufaj deklaroi se nuk e di arsyen pse nuk është dekretuar në pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit, ndonëse në publik janë përmendur dyshime se kjo mund të ketë lidhje me tërheqjen e urdhër-arrestit ndaj Milan Radoiçiqit. “Nëse kjo është arsyeja, kjo nuk duhet me qenë arsyeje. Por të jeni të sigurt se unë arsyet nuk i di për mosdekretim”, tha ai.
Ai iu përgjigj edhe deklaratave të kryeministrit Kurti, presidentes Osmani dhe ish-kryeparlamentarit Konjufca se nuk i besojnë. “Ata kanë thanë që s’më duan, edhe mirë që nuk m’dojnë. Nuk prishë punë. Nuk e di pse nuk më duan, pyetni ata”, tha Isufaj.
Për herë të parë, ai dha detaje të hollësishme rreth tërheqjes së urdhër-arrestit ndaj Radoiçiqit në vitin 2021, në lidhje me vrasjen e politikanit serb Oliver Ivanoviq. Ai sqaroi se ky vendim ishte rezultat i një strategjie të propozuar nga prokurori i çështjes, Burim Qerkini, i cili, sipas Isufajt, kishte marrë sinjale bashkëpunimi nga ana e avokatit të Radoiçiqit. Prokurori kishte propozuar të hiqej përkohësisht urdhër-arresti në këmbim të informatave kredibile për vrasjen e Ivanoviqit.
Isufaj theksoi se në fillim nuk ishte dakord me këtë plan, mirëpo për shkak të pavarësisë së prokurorëve dhe përkrahjes që ky plan e kishte nga ish-Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, procedura u zhvillua. “Nuk është bërë në mënyrë sekrete. Unë isha i informuar, si dhe disa prokurorë të tjerë. Në fund, pasi Radoiçiqi nuk erdhi në Prokurori siç ishte premtuar, urdhër-arresti u rikthye,” tha ai.
Sipas tij, aktualisht Prokuroria Speciale ka katër urdhër-arreste aktive për Milan Radoiçiqin – për rastin e Oliver Ivanoviqit, për incidentin në Banjskë, për organizimin e barrikadave dhe për krime të luftës. “Jemi duke e hetuar në shumë pista dhe për bashkëpunime të mundshme me persona të tjerë në Kosovë,” shtoi ai.
Duke iu përgjigjur kritikave të kryeministrit Kurti për mungesë të rezultateve në punën e tij, Isufaj prezantoi statistika konkrete të punës së tij. “Nga viti 2010 kam ngritur rreth 300 aktakuza, vetëm 6 janë refuzuar – që është performancë mbi 97%. Kjo është lehtë e verifikueshme”, tha ai. Ai përmendi edhe rastet e terrorizmit ku ka arrestuar dhe akuzuar dhjetëra persona, si dhe aktakuzat ndaj pesë ish-ministrave, një zëvendëskryeministri dhe ish-drejtorit të AKI-së.
Ndërsa për deklaratat e Kurtit lidhur me rastet “Dino Asanaj” dhe “Sopi”, ai tha se nuk dëshiron të komentojë spekulime politike dhe theksoi se çdo vendim është marrë mbi bazën e provave dhe procedurës ligjore.
Isufaj komentoi edhe përpjekjet e Prokurorisë për të marrë deklaratë nga Albin Kurti në hetimet lidhur me rezervat shtetërore. Sipas tij, Kurti ishte ftuar dy herë për të dhënë deklaratë, por nuk është paraqitur. Prokuroria kishte kërkuar nga Gjykata që ai të sillet me forcë, por kjo kërkesë nuk është aprovuar. “Nuk ka dhënë shembull të mirë si kryeministër,” tha ai. “Pse duhet të shkojmë te ai? Ai duhet të jetë shembulli më i mirë për qytetarët.”
Isufaj gjithashtu nënvizoi se mediat nuk janë njoftuar nga Prokuroria për këtë ftesë, pasi qëllimi nuk ishte spektakli, por zhvillimi i hetimeve. Ai mohoi që ftesa të ketë pasur ndonjë tendencë politike apo selektive.
Në fund, Isufaj tha se e gjithë çështja rreth Radoiçiqit dhe mosdekretimit të tij është politizuar tej mase. “Nuk e kam besuar që shkon deri në këtë nivel. Por nëse del ndonjë provë që tregon shkelje ligjore në tërheqjen e urdhër-arrestit, unë do ta hetoj pa kompromis,” përfundoi ai.