Një grua 61-vjeçare me shtetësi kineze është arrestuar nga Policia e Pogradecit, ndërsa një tjetër shtetase e huaj është shpallur në kërkim, pasi akuzohen për ushtrim prostitucioni në një apartament të marrë me qira në lagjen nr. 1 të qytetit.
Operacioni policor i koduar “Last night” u zhvillua pas një hetimi dy mujor me metoda proaktive, në bashkëpunim me Prokurorinë, për identifikimin dhe goditjen e këtij aktiviteti të paligjshëm.
E arrestuara është identifikuar si Huan Fang, 61 vjeç, e cila u kap në flagrancë duke ushtruar prostitucion. Gjatë kontrollit, asaj iu gjetën edhe shuma parash në valutë të ndryshme, përfshirë kartëmonedha të dyshuara si të falsifikuara, si dhe katër aparate celularë.
Ndërkohë, një tjetër grua 46-vjeçare me shtetësi kineze është shpallur në kërkim. Ajo dyshohet se ishte e përfshirë në organizimin e kësaj veprimtarie të paligjshme dhe po punohet për lokalizimin dhe arrestimin e saj.
Po ashtu, në kuadër të hetimeve, është proceduar penalisht në gjendje të lirë edhe pronari i apartamentit, një 33-vjeçar nga Pogradeci, për veprën penale “Mbajtja e lokaleve për prostitucion”.
Policia bën me dije se hetimet vijojnë në bashkëpunim me Prokurorinë, pasi dyshohet se në këtë aktivitet janë të përfshirë edhe shtetas të tjerë brenda dhe jashtë Shqipërisë. Sipas hetimeve paraprake, veprimtaria ishte e organizuar përmes komunikimeve dhe reklamave të bëra nga jashtë vendit.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë për veprime të mëtejshme ligjore.