Gjatë ditës së sotme kanë qarkulluar lajme të shumta se KB Drita është shuar.
Në fakt, një gjë të tille e ‘konfirmoi’ kapiteni i klubit, Qëndrim Demi, përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”.
“Përfundon rrugëtimi i klubit të basketbollit “Drita” meshkujt . Një klub me një histori të pasur dhe një trashëgimi të ndërtuar me mund e përkushtim nga breza të tërë, sot po mbyll kapitullin e tij të rëndësishëm në fushën e sportit. Drita nuk ishte vetëm një klub, ishte simbol i pasionit dhe i bashkimit të komunitetit tonë. Ishte vendi ku qindra të rinj u formuan, ku fëmijët dhe të rinjët e gjetën shpresën dhe krenarinë përmes sportit. Mirëpo, për shkak të vështirësive financiare dhe mungesës së mbështetjes së duhur, ky udhëtim ka ardhur në fund. Ndonëse “Drita” sot shuhet, shpresa mbetet që një ditë të rilindë për t’i dhuruar komunitetit tonë sërish atë ndjesinë e veçantë që vetëm një klub si ky mund të ofronte”, ka shkruar Demi.
Mirëpo për këtë reagim ka folur ekskluzivisht për “Gazeta Express” drejtori sportiv i KB Drita, Arben Bislimi.
Bislimi ka thënë se ky ka qenë një moment frustrimi për kapitenin e skuadrës gjilanase, derisa shton se pronarët e klubit e mohojnë shuarjen.
Ai tutje akuzon edhe partitë politike për keqpërdorim të fatkeqësisë së klubit dhe se asnjëra prej tyre s’e ka ndihmuar klubin në të vërtetë.
“Një frustrim i kapitenit në rrjete sociale ka nxitur shumë debate, por pronarët e klubit nuk e pohojnë një gjë të tillë. Kështu që partitë politike mos ta keqpërdorin fatkeqësinë tonë, sepse të gjitha i kemi provuar dhe asnjëra nga to nuk na ka mbështetur të jemi konkurrues me klubet tjera elitare”, ka thënë ai për “Express”.
Bislimi tutje shtoi se me ditën e nesërme do të mirret një vendim i favorshëm për të gjithë.
KB Drita nisi riorganizimin gjatë gushtit të këtij viti, duke gjetur një zgjidhje financiare që do t’i ndihmonte klubit.
Me këtë rast kishte pasur ndryshime edhe në kryesinë e klubit, me biznesmenin Enis Islami që ishte zgjedhur në krye të klubit./GazetaExpress/