Gjashtë vite më parë, Arton Zekaj, kapiteni i ekipit të të rinjve të Serbisë, vendosi të ndryshojë fanellën dhe të luajë për vendin e tij të origjinës, Kosovën.
Një vendim që u prit me shumë polemika dhe tensione mes federatave, duke shkuar deri në ndërhyrje në nivelin e FIFA-s.
Në fillim të këtij viti, Zekaj u largua nga klubi i Hisperanges në Luksemburg dhe që atëherë nuk ka qenë pjesë e ndonjë skuadre tjetër.
Portali serb, Kurir.rs, ka rikthyer në vëmendje këtë rast në prag të ndeshjes Serbi-Shqipëri në 11 tetor.
Në një intervistë të vitit 2018 dhënë për Kurir, Zekaj shpjegoi se arsyeja kryesore e ndërrimit të kombëtares ishte mungesa e përkrahjes nga Federata Serbe e Futbollit. Ai theksoi se dëshiron të luajë për ekipin që e do më shumë dhe ku ndihet i pranuar.
“Do të luaj për ata që më duan më shumë,” tha ai, duke reflektuar një histori që përfshin politika, identitet dhe sfida të mëdha personale, përcjell TCH.
Në artikullin e publikuar nga portali serb, Kosova vijon të quhet e “ashtuquajtura”, duke treguar nivel të ulët respekti dhe seriozitet, pavarësisht se Kosova është njohur nga FIFA dhe UEFA, duke marrë pjesë rregullisht në kompeticionet europiane dhe ndërkombëtare prej vitesh.