Nga gjendja gjyqësore, te shëndeti mendor, formulari i kandidatëve për deputetë në PD - Gazeta Express

Shqiperi

Gazeta Express

11/08/2020 11:11

Nga gjendja gjyqësore, te shëndeti mendor, formulari i kandidatëve për deputetë në PD

Shqiperi

Gazeta Express

11/08/2020 11:11

 Partia Demokratike ka hyrë tashmë në një proces delikat të përgatitjes së listës për deputetë.

Emrat e propozuar që do të kalojnë fazën e parë të seleksionimit në komisionin e përbërë nga 5 anëtarët (Besnik Mustafaj, Bujar Nishani, Enriketa Papa, Genc Ruli e Mark Marku), nëse do të duan të vazhdojnë garën brenda partisë për të qenë pjesë e listës finale për deputetë dhe kryetarë bashkie, duhet të plotësojnë një formular me rreth 40 faqe.

Plotësimi i një formulari të tillë nga kandidatët brenda një partie është një risi për politikën shqiptare. Por çfarë informacionesh kërkohen në dokumentin e publikuar pak kohë më parë nga Kryesia e PD-së?!

Pyetjet në formularin me mbi 40 faqe janë nga ato më të thjeshtat, ku kërkohen gjeneralitetet e personit që e plotëson atë, deri tek ato më të vështirat, që mund të konsiderohen të tilla si kontaktet e kolegëve në punë apo të dhënat që kërkohen për kandidatët që në të kaluarën kanë ushtruar aktivitet të ndryshëm biznesi.

GJENERALITETET

Kandidatët, të cilët duan të vazhdojnë garën për të qenë pjesë e listës finale për deputetë dhe kryetarë bashkie në PD, duhet të plotësojnë të dhënat e tyre personale dhe vendbanimet. Ajo që e bën më të vështirë është se formulari kërkon të dhëna të sakta në rast se kandidati në fjalë ka ndryshuar vendbanimet. Nëse po, atëherë në formular duhet të specifikohet koha se nga cila datë deri në çfarë date ka jetuar për secilin vendbanim. Personi që plotëson formularin nuk duhet të japë gjeneralitetet vetëm për vetën e tij, por edhe për familjarët, duke përfshirë prindërit, bashkëshortin ose bashkëshorten, fëmijët, vëllezërit e motrat.

Faksimile e formularit të vetëkandidimit
Faksimile e formularit të vetëkandidimit

Po ashtu, kandidati duhet të tregojë nëse ka ndryshuar ndonjëherë emrin ose mbiemrin dhe arsyen se përse e ka bërë. Hartuesi i formularit të vetëdeklarimit në PD nuk është mjaftuar vetëm me të dhënat e njerëzve të ngushtë të familjes. Pyetësori merr informacione edhe për tre miq të ngushtë të kandidatit, të cilët kanë informacion të detajuar rreth tij dhe duhet të kenë njohje së paku 7 vite. Kandidati duhet të rendisë të paktën 3 emra dhe të dhënat bashkëshoqëruese. Ndërsa më tej, formulari kërkon informacion për aktivitetet jashtë Shqipërisë dhe njohjet jashtë vendit.

INFORMACIONE DELIKATE

Formulari që duhet të plotësojnë kandidatët kërkon edhe informacione, të cilat po i konsiderojmë si delikate, pasi kërkohet nëse personi që e plotëson atë ka pasur apo jo ndonjëherë probleme mendore dhe a ka kërkuar konsultim me psikologun apo psikiatrin. Po ashtu, PD-ja kërkon të marrë informacion nëse kandidati ka përdorur ndonjëherë lëndë narkotike apo nëse ka tregtuar dhe kultivuar ndonjëherë më parë lëndë narkotike. Një tjetër pyetje lidhjet me konsumimin e alkoolit në atë masë sa të jetë bërë problem për mbarëvajtjen në punë.

Selia-e-PD

Më tej, formulari i PD-së mbledh informacionet që kërkon formulari i dekriminalizimit në shtet, që lidhen me gjendjen gjyqësore të kandidatit. Përpos të dhënave në pastërtinë e figurës, përmes këtij procesi PD-ja kërkon të marrë informacionin e nevojshëm për kandidatin në lidhje me arsimimin, eksperiencat në punë dhe marrëdhëniet me kolegët. Duke parë denoncimet e herëpashershme të kryedemokratit Basha për korrupsion dhe oligarkët në këto 7 vite, në formular nuk mund të mungonin pyetjet për çështjen e pasurisë.

“Përshkruani hollësisht: llojin, sipërfaqen, adresën ku ndodhen, vitin e krijimit, vlerën në lekë apo në valutë që pasqyrohet në dokumentacionin që dispononi, çmimin e blerjes, në mungesë të dokumenteve shumën e shpenzimeve që keni kryer, pjesën takuese që zotëroni dhe burimet e krijimit të çdo lloj pasurie të regjistruar ose jo në regjistrat publikë.

Objekt i deklarimit sipas kësaj pjese janë të gjitha pasuritë e akumuluara ndër vite deri në datën e dorëzimit të këtij formulari, burimet e krijimit të tyre dhe të drejtat reale mbi to, të ndodhura brenda dhe jashtë vendit”, thuhet ndër të tjera në formularin e deklarimit të PD-së. Kandidatët, të cilët nuk i përgjigjen qoftë edhe një pyetjeje të vetme në formular, u hiqet e drejta për të qenë pjesë e garës për deputetë. I gjithë ky proces pritet të përfundojë deri në fund të shtatorit.