Nga dialogu në normalizim, me vija të kuqe - Gazeta Express
string(41) "nga-dialogu-ne-normalizim-me-vija-te-kuqe"

Nga dialogu në normalizim, me vija të kuqe

Gazeta Express

17/03/2020 15:06

Për të kaluar nga dialogu në normalizim në mes të Kosovës dhe Serbisë, duhet qartësi dhe respektim të vijave të kuqe të pozicionit të Kosoves.
 
Dialog i gjatë, me pak progres

Me procesin e dialogut Kosovë-Serbi, që filloj në shtator 2010, Kosova hyri në një rrugë të duhur por gjithnjë të paqartë. I paqartë ishte fundi, e paqartë ishte qasja e lehtësuesit Bashkimi Europian, dhe i pandryshueshëm ishte qëllimi i Serbisë.
 
Në 9 vite dialogu ka shënuar pak progres. Janë arritur 23 marrëveshje teknike e disa politike, si Marrëveshja e Brukselit (prill 2013). Mirëpo, shumica janë në proces të zbatimit apo pjesërisht të zbatuara, dhe shumë janë të pazbatuara. Në vitet e fundit ka filluar një dialog i lartë politik në mes të Presidentit Thaçi dhe Presidentit të Serbisë Aleksander Vucic. Nga ky dialog është spikatur diskutimi i aluduar për shkëmbimin e territorëve, dhe është thënë se procesi kishte për qëllim njohjen e ndërsjellë të të dyja vendeve, dhe pranimin e Kosovës si anëtare e OKB-së.
 
Së fundmi, SHBA-t kanë marrë një rol udhëheqës në dialogun e Presidentëve, dhe është thënë se janë arritur marrëveshje për hapjen e linjës ajrore ndërkombëtare Prishtinë-Beograd dhe për rilidhjen hekurdhore në mes të dy vendeve. Është e paqartë se ku mbeti BE-ja në këtë proces, dhe BE po tenton që të ripërfshihen si ndërmjetësues apo bashkëndërmjetësues, me SHBA-t. Është mirë që BE-ja të ripërfshihet, për shkak se mund të ofrojë përfitime të prekshme e të favorshme për të dyja palët, që mund t’i shtyejnë ato drejt një marrëveshjeje.
 
Kuvendi i Kosovës sapo miratoi, më 15 mars, një rezolutë ku shprehu 1) përkushtimin e Kosovës për bisedime politike me Serbinë që do të rezultojnë me njohje reciproke, 2) riktheksimin që “Kushtetuta e Republikës së Kosovës, sovraniteti shtetëror, integriteti territorial dhe karakteri shtetëror unitar i Republikës së Kosovës janë të pacenueshme,” dhe 3) konformimin se Qeveria e ka mandatin për të udhëheqë dialogun me Serbinë në bazë të aktgjykimit K043/19 (27 qershor 2019) të Gjykatës Kushtetuese.

Lexo Edhe:

Tani e tutje: Transparencë dhe qasje aktive nga Kosova

Për të kaluar nga dialogu në normalizim në mes të Kosovës dhe Serbisë, duhet qartësi dhe respektim të vijave te kuqe të pozicionit të Kosovës. Së pari, qëndrimet dhe vijat e kuqe—disa prej të cilave u shprehen në rezolutën e Kuvendit—duhet të bëhen publike. Në njërën anë, kjo transparencë rrit besimin e popullit se pazare kundër interesave shtetërore të Kosovës nuk do të bëhen. Në anën tjetër, publikimi i vijave të kuqe fuqizon ekipin e Kosovës karshi ndërkombëtarëve dhe Serbisë ngase që në fillim menaxhohen pritjet e tyre. 

Menaxhimi i pritjeve është praktikë e institucionalizuar në sektorin privat amerikan. Komunikimi në bazë të realitetit preferohet në vend të dhënies së sinjaleve shumë optimiste ose pesimiste, që mund të krijojnë pritje e kërkesa të cilat shtyejnë palët më larg mirëkuptimit dhe marrëveshjes, e deri në konflikt (apo thellim konflikti).

Duhet që Kosova aktivisht të jetë krijuese dhe promovuese e interesave më të mira të saj por e vetëdijshme gjithashtu për kohën dhe vëmendjen e kufizuar të aleatëve të mëdha. Ndërmjetësit duhet të kenë rol të përafrimit të pozicioneve por nuk mund të artikulojnë vetë interesin e Kosovës apo të Serbisë. Kosova, edhe pse me kulturë të re institucionale dhe diplomatike, duhet të mos varët nga aleatët për artikulimin e pozicionit të saj. Dhe duhet të mos bie pre e të qenurit vetëm reaguese ndaj qasjes aktive serbe. Kjo ka ndodhur vazhdimisht. Dhe duhet të ndryshojë që Kosova të arrij një marrëveshje të mirë.

Vijat e kuqe për të arritur normalizimin

Për Kosovën vija të kuqe janë 1) mosndryshimi i territorit dhe 2) mënjanimi i decentralizimit të mëtutjeshëm në baza etnike. Kur flitet për normalizim marrëdhëniesh mes dy shteteve nënkuptohet që në fund Kosova të mbetet shtet stabil, me karakter shtetëror unitar. Devijimi nga këto dy pika, ndonëse duket së lehtëson arritjen e një marrëveshje paqeje me Serbinë, do të dobësonte Kosovën dhe të hapte rrugët për destabilizim afatgjatë.

Si rrjedhojë e vijave të kuqe, Kosova duhet që të kalojë nga “dialogu” tek “procesi për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.” Dialogu mund të jetë i pafund, dhe mbase këtë e do Serbia. Në anën tjetër, normalizimi i marrëdhënieve e ka fundin e qartë: njohjen e ndërsjellë në mes të Kosovës dhe Serbisë, shkëmbimin e përfaqësuesve diplomatik në nivel të ambasadorëve, dhe marrëveshjen për demarkimin e kufirit. Kuvendi përmendi “njohjen reciproke” në rezolutën e saj por më tutje Qeveria duhet të punojnë drejt normalizimit të plotë me Serbinë.

Këtu ndërlidhen interesat e Kosovës e Serbisë për marrëveshje. Serbisë i lehtësohet integrimi në BE dhe përafrimi i përgjithshëm me perëndimin, për përfitime ekonomike, politike dhe diplomatike. Ndërsa Kosovës i lehtësohet zhvillimi i mëtutjeshëm i shtetit, duke tejkaluar barrierat e fundit të integrimeve ndërkombëtare. Gjithashtu, normalizimi do të duhej të prodhonte garanci dhe lehtësime dypalëshe që të realizohet respektimi i ndërsjellë i të drejtave dhe të përfaqësimit politik të komuniteteve pakicë.

Mund të kërkohen që të shkelën vijat e kuqe. Mundët që rrethanat prodhojnë një marrëveshje të dëmshme për Kosovën. Në këtë rast, Kosova duhet të jetë gati që të tërhiqet nga ajo, gjithsesi në mënyrë të bashkërenduar me aleatët. Një marrëveshje e keqe do të minonte lirinë dhe pavarësinë, atë që u fitua me mend, me mund e me gjak. Dhe të minonte atë që Shteti i Kosovës mund të arrij në të ardhmen, pra gjithmonë duke shterr, penguar dhe dobësuar kapacitetin shtetërore.

Anëtarësimi i Kosovës në OKB

Shpeshherë është folur se pjesë e këtij procesi është kërkesa që Serbia të mos ia bllokojë Kosovës anëtarësimin në OKB. Mirëpo, në kushtet e tanishme nuk duket reale që kjo çështje të përfshihet në normalizim, ngase nuk ka shenja që Rusia apo Kina do të pranonin anëtarësimin e Kosovës. Është thënë se Presidenti i Rusisë Putin do të përkrahte në zgjidhje të arrirë nga Kosova dhe Serbia, por kjo nuk duket reale. Pavarësimi i Kosovës u arrit në një proces diplomatik ndërkombëtar ku Rusia dikur ishte tërhequr si ndërmjetës, për shkak se, nga perspektiva e saj, nuk kishte ndikimin e duhur karshi SHBA-së. Për ta pranuar Kosovën në OKB, Rusia do të donte diçka në këmbim nga SHBA-t.

Pra, anëtarësimi i Kosovës në OKB do të mund ishte pjesë e një procesi tjetër, ku Kosova punon me aleatët perëndimorë dhe bëhet pjesë e një marrëveshje të perëndimit me Rusinë dhe Kinën, nga e cila ato shtete marrin diçka në këmbim të pranimit të Kosovës në OKB.

Duke ditur më qartë se çka pritet e çka nuk pritet nga bisedimet, siç është rasti me (pa)mundësinë për integrim të shpejtë në OKB, Kosovës i hapet udha të negociojë në bazë të asaj se çka mund dhe pritet të arrihet. Çka i mbetet Kosovës në ndërkohë është elaborimi dhe respektimi i vijave të kuqe në mënyrë që të pozicionohet sa më mirë për takimet e rradhës.

Drilon S. Gashi është profesionist në fushën e zhvillimit ndërkombëtar dhe punon në sektorin privat në Washington, D.C. Ka magjistruar në fushën e marrëdhenieve ndërkombëtare në Columbia University në New York.

Ard Morina është magjistër në Marrëdhënie Ndërkombëtare nga New School University, New York. Analist i tregtisë, sigurisë dhe zhvillimit ndërkombëtar për më shumë se një dekadë.