string(82) "nga-bluzat-te-tanket-trump-justifikon-tarifat-me-vizion-per-prodhim-te-madh-vendor"

Lajme

Gazeta Express

26/05/2025 10:48

Nga bluzat te tanket: Trump justifikon tarifat me vizion për prodhim “të madh” vendor

Lajme

Gazeta Express

26/05/2025 10:48

Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar të dielën se politika e tij e tarifave ka për synim të promovojë prodhimin vendas të tankeve dhe produkteve teknologjike, e jo atleteve e bluzave.

Duke folur para gazetarëve në New Jersey, sipas Reuters, Trump ka thënë se ishte dakord me deklaratat e Sekretarit të Thesarit, Scott Bessent, më 29 prill, se SHBA-ja nuk ka nevojë domosdoshmërisht për një “industri tekstile në lulëzim” – komente që u kritikuan nga Këshilli Kombëtar i Organizatave Tekstile.

“Nuk po përpiqemi të prodhojmë atlete dhe bluza. Duam të prodhojmë pajisje ushtarake. Duam të prodhojmë gjëra të mëdha. Duam të bëjmë, të merremi me inteligjencën artificiale,” është shprehur Trump.

Ai tutje ka shtuar se, “për të qenë i sinqertë, nuk dua të bëj bluza. Nuk dua të bëj çorape. Ato mund të prodhohen shumë mirë në vende të tjera. Ne duam të merremi me çipëra, kompjuterë dhe shumë gjëra të tjera – tanke dhe anije.”

Ndaj këtyre deklaratave të Trump ka reaguar Shoqata Amerikane e Veshjeve dhe Këpucëve, duke thënë se tarifat nuk janë të mira për industrinë.

Trump, i cili ka tronditur tregjet globale me vendosjen e gjerë të tarifave, të premten riktheu retorikën e ashpër tregtare kur kërkoi një tarifë 50% mbi mallrat e Bashkimit Evropian që nga 1 qershori, dhe paralajmëroi Apple se mund të përballet me tarifë 25% për të gjithë iPhone-t e importuar që blihen nga konsumatorët amerikanë. Megjithatë, të dielën ai ka zbutur qëndrimin ndaj BE-së, duke shtyrë afatin për vendosjen e tarifave deri më 9 korrik për të lejuar zhvillimin e negociatave mes Uashingtonit dhe bllokut prej 27 vendesh.

Kujtojmë se Trump është përpjekur të përmbushë premtimet për ringjalljen e prodhimit përmes tarifave ndaj importeve dhe duke theksuar investimet e kompanive dhe shteteve të huaja në Shtetet e Bashkuara, edhe pse ekonomia amerikane mbetet e varur nga zinxhirët e furnizimit me vende të tjera ku shumë mallra, përfshirë tekstilet, prodhohen më lirë.