ANALIZË E SLOGANEVE SI INSTRUMENT PUSHTETI DHE SI SINJAL I PASIGURISË ELEKTORALE
Shkruan: Nikollë D. Ukaj
Slloganet politike janë mjete komunikimi të përqendruara, të ndërtuara për të ndikuar shpejt në perceptimin publik dhe për të orientuar qëndrimin e qytetarëve. Në këtë kuptim, ato nuk janë thjesht forma shprehjeje elektorale, por reflektime të drejtpërdrejta të klimës politike dhe të raporteve të pushtetit. Leximi kritik i tyre ndihmon për të kuptuar jo vetëm çfarë thuhet, por edhe pse thuhet në një moment të caktuar.
Sllogani “Mos lësho pe” përfaqëson një diskurs të fortë të moskompromisit. Në planin retorik, ai e zhvendos politikën nga hapësira e debatit racional në një logjikë qëndrueshmërie absolute. Qytetari nuk ftohet të vlerësojë politika, rezultate apo rrethana, por të ruajë besnikërinë ndaj një qëndrimi të paracaktuar. Ky lloj mesazhi e kufizon rolin e qytetarit si subjekt kritik dhe e shndërron atë në mbrojtës të palëkundur të vijës politike, pavarësisht nevojës për bashkëpunim, reflektim apo korrigjim.
Në kontekstin e qeverisjes, një slogan i tillë merr një peshë edhe më problematike. Diskursi i moslëshimit pe krijon përshtypjen se çdo kritikë, çdo kompromis apo çdo rishikim politik përbën dobësi. Kjo rrezikon të prodhojë një kulturë politike ku ngurtësia vlerësohet më shumë se përgjegjësia dhe ku qytetari ftohet të heshtë përballë dështimeve, në emër të qëndrueshmërisë.
Mos vallë slogani lidhet me pasigurinë elektorale!? “Mos lësho pe” mund të lexohet edhe si reagim ndaj një elektorati që po fillon të dyshojë, të zhgënjehet ose të distancohet. Në këtë rast, slogani nuk është shprehje force, por përpjekje për ta frenuar rrëshqitjen e besimit, duke kërkuar që mbështetja të vazhdojë edhe kur bindja dobësohet.
Në kontrast me këtë gjuhë absolute, slloganet e partive opozitare mund të lexohen si reagim ndaj një realiteti politik të polarizuar dhe ndaj nevojave imediate të krijuara nga qeverisja aktuale. PDK me “Bashkë përpara” artikulon një mesazh që synon të zbusë ndarjet dhe të rikthejë idenë e bashkëpunimit politik dhe shoqëror, në një kontekst ku diskursi qeverisës shpesh ka prodhuar përjashtim dhe ndarje morale. Edhe pse i përgjithshëm, slogani reflekton një nevojë reale për rikthim të komunikimit dhe funksionalitetit institucional.
AAK me “Krah teje” e vendos theksin tek afërsia me qytetarin, si kundërpeshë ndaj perceptimit të një qeverisjeje distancuese dhe vertikale. Ky slogan mund të lexohet si përpjekje për ta rikthyer ndjesinë e përfaqësimit dhe dëgjimit, në një moment kur shumë qytetarë ndihen të anashkaluar nga proceset vendimmarrëse.
LDK me “Zgjidh shpresën” adreson një tjetër nevojë imediate: lodhjen dhe zhgënjimin qytetar. Në një klimë politike të dominuar nga konfliktualiteti dhe retorika e fortë, thirrja për “shpresë” funksionon si kundër-diskurs, duke tentuar ta zhvendosë vëmendjen nga përplasja e vazhdueshme drejt një perspektive më të qetë dhe më institucionale.
Këto sllogane opozitare, pavarësisht kufizimeve të tyre, nuk ndërtohen mbi absolutizëm moral, por mbi nevoja të momentit: bashkëpunim, afërsi dhe rikthim të besimit. Ato nuk kërkojnë palëzim të verbër, por synojnë të hapin hapësirë për alternativa politike në një mjedis të dominuar nga diskursi i moskompromisit.
Prandaj, çdo slogan politik – qoftë qeverisës apo opozitar – duhet të përballet me të njëjtën kërkesë qytetare: “Na dëshmoni.” Dhe çdo diskurs që dështon të jetë gjithëpërfshirës, pluralist në mendim dhe i hapur ndaj kritikës, duhet të përballet me përgjigjen më themelore të një shoqërie demokratike: demokracinë aktive dhe llogaridhënien.