Nga Anjeza Shahini te Rona Nishliu e Linda Halimi... cila është historia shqiptaro - kosovare në Eurovision? - Gazeta Express
string(102) "nga-anjeza-shahini-te-rona-nishliu-e-linda-halimi-cila-eshte-historia-shqiptaro-kosovare-ne-eurovision"

Muzike

Gazeta Express

11/05/2022 22:23

Nga Anjeza Shahini te Rona Nishliu e Linda Halimi… cila është historia shqiptaro – kosovare në Eurovision?

Muzike

Gazeta Express

11/05/2022 22:23

Shqipëria aventurën e saj për pjesëmarrjen e saj në Eurovision e ka nisur që nga vitit 2004. Përfaqësuesja e parë e tyre në ngjarjen më të madhe të muzikës në Europë e pati talentja e “Etheve të së premtes mbrëma”, Anjeza Shahini, ku u rëndit në vendin e 7. Por ishte Rona Nishliu që me “Suus” rrëmbeu vendin e 5-të në Eurovision.

Shqipëria për 18 vite paraqitje në “Eurovision” ka pasur një paraqitje modeste. Teksa gjatë këtyre viteve suksesi më i madh i këtij vendi në këtë garë ka qenë në vitin 2012 me këngën “Suus” të Rona Nishliut. Nga 19 vite sa Shqipëria mori pjesë në finale arritën 10 herë kurse finalen nuk e prekën 7 herë. Shqipëria po ashtu kaloi në finale të “Eurostream 2020” pasi që Eurovision nuk ishte mbajtur shkaku i pandemisë Covid-19.  

Lexo Edhe:

Më poshtë ne po sjellim një historik të Shqipërisë në këtë garë.

2004

Ishte viti i parë kur Shqipëria debutoi në “Eurovision”. Nikoqir i eventit ishte Turqia, kurse Shqipërinë e përfaqësonte talentja e “Etheve të së premtes”, Anjeza Shahini me këngën “Image of You”. Kënga u vlerësua mirë nga publiku europian dhe kjo e radhiti Anjezën në vendin e shtatë.

2005

Një vit më vonë Shqipërinë do ta përfaqësonte një këngëtare tashmë me emër në skenën shqiptare. Ishte kjo Ledina Çelo. Ledina në finale shkoi edhe në saj të rregullave të atëhershme të festivalit, për shkak se 10 vendet e para shkonin direkt. Një këngë me ritme shqiptare, që nuk u përshtat si duhet në gjuhën angleze përfundoi në vendin e 16-të me 53 pikë. Kënga titullohej “Tomorrow I Go”.

2006

Më 2006, Shqipëria do të njoftohej me dështimin. Ata ndryshuan stilin dhe përsëri aty sollën një këngë folk. “Zjarr e ftohtë” ishte kënga e Luiz Ejllit që u këndua në shqip, por që nuk e kapi dot finalen.

2007

Në 2007 Shqipërinë do ta përfaqësonte këngëtari me zërin e tij të fuqishëm, Frederik Ndoci. Por, edhe kënga “Hear My Plea” e kishte të njëjtin fat dhe nuk arriti as finalen.

2008

2008-ta do ta kthente Shqipërinë në finale të Eurovision që mbahej në Beograd, pikërisht në vitin që Kosova kishte shpallur pavarësinë. “Zemrën e lamë peng” Olta Boka e këndoi në gjuhën shqipe dhe në finale u rëndit në vendin e 17-të me 55 pikë.

2009

Shqipëria në këtë vit do të përfaqësohej nga tinejxherja 17 vjeçare, Kejsi Tola, e cila në Moskë këndoi këngën “Carry me in Your Dreams”. Olta arriti në finale dhe u radhit e 17-ta me 48 pikë. Kjo këngë u përfol shumë për koreografinë, kurse shumë media e kishin përqeshur paraqitjen e këngëtares së re.

2010

Tashmë Shqipëria po e prekte finalen për herë të tretë dhe kjo falë këngëtares Juliana Pasha që e përfaqësoi atë me këngën “It’s All About You”.

Por, Juliana u dërgoi Shqipërinë vetëm në një vend më lartë, në vendin e 16-të me 62 pikë.

2011

Aurela Gaçe është emri tjetër shqiptar në të cilin kishte pasur shumë shpresa që do ta dërgonte lart Shqipërinë. Por, nuk ndodhi. Kënga “Feel the Passion” nuk arriti që të kalojë as në finale. Sipas kritikëve, kënga ishte shumë e ngarkuar për një festival si Eurovisioni.

2012

Rona Nishliu kishte bërë që “Festivali i këngës” në Shqipëri ta kritikonte më të madhe. Skeptikët e kishin sulmuar shumë RTSH-në dhe Ronën duke thënë se kënga nuk është e “denjë për ta përfaqësuar” Shqipërinë në Eurovision. Rona befasoi tërë Europën me zërin e saj në gjysmëfinalen e parë dhe natyrisht shkoi në finale. Aty ajo do të renditej në vendin e pestë me 146 pikë. Nëse do të kishte sistem të votimit si tani, ndoshta Rona do të ishte edhe më lart se në atë vit.

2013

Një vit më vonë, Shqipëria dërgoi në Eurovision një grup roku. “Identitet” quhej kënga që këndohej nga Adrian Lulgjuraj dhe Bledar Sejko. Por, kjo nuk mjaftoi që kjo dyshe rokeresh të shkojnë në finale.

2014

Hersi Matmuja është dështimi i radhës për të shkuar në “Eurovision”. Edhe pse me një vokal interesant, kënga “One Night’s Anger” u këndua vetëm në gjysmëfinalen e parë.

2015

“I’m alive” e Elhaida Danit mbetet kënga më e pëlqyer ndonjëherë në Eurovision. E punuar nga Zzap & Chris dhe njëra prej këngëve më të pëlqyera në youtube me mbi 9.5 milionë klikime. Por, Elhaida dështoi për të kënduar si duhet në paraqitjen e saj “live” dhe dy tri herë kishte distonuar. Ajo shkoi në finale por që kënga mori vetëm 34 pikë duke u renditur në vendin e 17-të.

2016

Një zë tjetër i njohur shqiptar, por që dështoi ta dërgojë Shqipërinë në finale. Bëhet fjalë për këngën “Fairytale” të kënduar nga Eneda Tarifa që u këndua në gjuhën angleze. Kënga u vlerësua nga kritikët, por që kjo nuk mjaftoi për ta dërguar atë në finale.

2017

Lindita Halimi është kosovarja e dytë që e përfaqësoi Shqipërinë në këtë garë. Ajo vinte në këtë garë pas një suksesi që pati në “American Idol. Por, kënga e saj “World” nuk arriti po ashtu të kalojë në finale.

2018

Edhe pse befasi, në 2018-ën, Eugen Bushpepa do të arrinte një sukses të konsiderueshëm për Shqipërinë në herën e 15-të. Kënga “Mall” e tij, një rok baladë arriti ta zërë vendin e 11-të në Eurovision.

2019

Në vitin 2019, Shqipëria përzgjodhi Jonida Maliqi për t’i përfaqësuar ata me këngën “Ktheju Tokës”. Shqipëria arriti të kualifikohej në gjysmëfinalen e dytë, duke e bërë këtë herën e parë që Shqipëria u kualifikua dy herë me radhë që nga 2009 dhe 2010. Jonida arriti të radhitej e 17-ta mes kolegëve të tjerë europian.

2020

Pandemia globale e COVID-19 ka ndikuar në anulimin e shumë eventeve të ndryshme artistike, muzikore e sportive dhe në të gjitha fushat e jetës. Edhe Eurovizion 2020 ishte një nga festivalet që u anulua dhe në këto kushte, organizatorët sollën një version tjetër të këtij festivali. Atë të quajtur “Eurostream 2020” – e cila kishte shumë herë më pak shikues se ç’do të kishte në një mbrëmje normale po të mbahej në Rotterdam. Arilena Ara përfaqësoi vendin me audion e këngës “Fall from the sky” në natën e dytë të festivalit, pa një videoklip. Fituesi i “Eurostream 2020” u shpall grupi “Daði og Gagnamagnið”, përfaqësues i Islandës me këngën “Think about things”. Shqipëria arriti të kualifikohej në finale dhe u rendit në vendin e fundit me 63 pikë, 26 pikë nga juria dhe 37 pikë nga televotimi.

2021

Shqipëria edhe në këtë vit mori pjesë në Eurovision që u mbajt në Rotterdam të Holandës, edhe pse me numër të kufizuar fansash shkaku i Covid-19. Kënga “Karma” e kënduar nga Anxhela Peristeri përfaqësonte Shqipërinë. Anxhela këndoi në gjysmëfinalen e dytë me numrin 11 dhe arriti të jetë në mesin e këngëve finaliste. Megjithatë, ajo zuri vendin e 21-të nga 26 vendet finaliste duke marrë vetëm 57 pikë.

2022

Ronela Hajati ishte përfaqësuesja e fundit shqiptare që këndoi mbrëmë dhe nuk e arriti finalen. Ronela fitoi në polemika në Tiranë pasi që kënga e Alban Ramosaj vlerësohej më mirë se e saj. Ajo mori kritika edhe për veshjen e saj, ku u tha se është e vjedhur kurse kritika pati edhe për koreografinë për të cilën paraqitje ironizoi edhe televizioni publik i Mbretërisë së Bashkuar, BBC. /GazetaExpress/